Një lagje e Tiranës del në dritë, Veliaj bën një premtim për ujin

Veliaj: “Brenda 5 viteve, me planin tonë të investimeve, Tirana do të ketë ujë 24 orë”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, siguroi sot qytetaret se brenda 5 viteve të ardhshme, kryeqyteti do të furnizohet me ujë të pijshëm 24 orë, bazuar edhe ne planin e investimeve te Ujësjellës-Kanalizimeve, i cili do t’i hapë rrugën investimeve të mëdha e të nevojshme për mospërsëritjen e situatave të emergjencës.

Kryebashkiaku Veliaj tha se investimet do të mundësojnë që Tirana të furnizohet pa ndërprerje me ujë të pijshëm.

“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të kursejnë ujin e pijshëm, pasi jemi ende në një situatë krize. Duam që brenda 5 viteve, me planin tonë të investimeve, Tirana të ketë ujë 24 orë. Nëse dikush është i shqetësuar për atë 20 lekëshin, mjafton vetëm 10 sekonda të mbylli çezmën. Sikur 10 sekonda të kursejë ujë në ditë, as nuk e ndjen fare në faturë të gjithë diferencën e çmimit. Ama, me çmim sikur të ishim në Bathore, do kemi ujë sikur të ishim në Korçë”, theksoi Veliaj, teksa inspektoi përfundimin e punimeve për rikualifikimin urban të bllokut të kufizuar nga rrugët “Muhamet Gjollesha” – “Myslym Shyri” – rruga e “Kavajës”.

Duke u ndalur tek investimi i Bashkisë së Tiranës për rikualifikimin e këtij blloku, Veliaj deklaroi se falë ndërhyrjes është mundësuar transformimi i plotë duke sjellë një përmirësim të cilësisë së jetës për të gjithë banorët.

“Kjo ka qenë një lagje që mund të jetë shumë afër Tiranës, por totalisht katrahurë në mënyrën se si ishte ndërtuar pa leje, në mënyrën se si ishte zënë hapësira publike, se si ishin zaptuar të gjitha terrenet, se si ishin bërë shtesat. Sot kemi një rezultat spektakolar. Kemi 38 rrugë, kemi gjetur disa hapësira ku kemi bërë sheshpushime, lulishte, kënde ku mund të kalojnë kohën e lirë qytetarët”, tha ai.

Nga një zonë e cila vuante nga mungesa e kanalizimeve dhe e rrjetit të ujësjellësit, tashmë është bërë sistemi duke e kthyer në një lagje model të kryeqytetit.

“Një pjesë e madhe e zonës ka qenë totalisht pa kanalizime, pa rrjet ujësjellësi, pa rrjet për internetin dhe telefoninë. Të gjitha janë futur nëntokë dhe kështu që sot mund të themi që realisht jemi në Tiranë. Edhe pse është gjithë zona e 21-shit, mes “Myslym Shyrit” dhe “Rrugës së Kavajës”, më në fund mund të themi që ne kemi mbërritur në qytetin e Tiranës dhe kemi cilësi qyteti nga sheshi “Skënderbej” deri këtu te ‘21’”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen bashkëpunues dhe të mirëmbajnë investimet publike.

“Dua t’i kërkoj gjithë qytetarëve, kemi shumë nevojë t’i mirëmbajmë. Nëse largohemi nga ky bllok për të vazhduar me 50 blloqet e tjera ku po punojmë në Tiranë dhe fillojnë prapë ndërtimet pa leje, fillojnë prapë zinxhirët, sigurisht që nuk bëjmë dot qytet. Na duhet ndihma e të gjithëve. Qytetarët te sinjalizojnë me ndërlidhësin, Policinë Bashkiake, Policinë e Shtetit çdo akt vandalizmi. Vetëm kjo mirëmbajtje do të na mundësojë që të kemi një rezultat shumë më të mirë në jetëgjatësinë e këtyre investimeve”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë kërkoi prej banorëve që të zgjedhin administratorët e tyre në mënyrë që të përfitojnë nga skemat për financimin e projekteve që i shërbejnë komunitetit. Veliaj siguroi se do të vijojë puna për rehabilitimin brenda këtij viti të 50 blloqeve të banimit, duke e çuar në total numrin e tyre në 150.

“Unë jam shumë optimist për Tiranën, më e mira është përpara. Ne kemi bërë deri tani 100 blloqe, kemi 50 për të bërë këtë vit, për ta çuar në 150 blloqe dhe ndërhyrje të Bashkisë së Tiranës.  Ne do të vazhdojmë me këto projekte në lagje gjatë gjithë muajit gusht”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se fokusi i punës së Bashkisë së Tiranës do të jetë dhe sistemimi i shkollave, kopshteve dhe çerdheve, ndërsa bëri të ditur se 4 shkolla të reja janë gati që të hapen për vitin e ri shkollor.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Raporti i policisë holandeze: Grupet kriminale shqiptare, kërcënim serioz

Policia Holandeze në raportin konfidencial ku sugjeron heqjen e vizave për shtetasit...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *