Një lajm i mirë për shkencën nga Samiti i Triestes

Samiti i Triestës ku krerët e BE-së u takuan me krerët e Ballkanit Perëndimor për të garantuar ecjen në rrugën e integrimit, kishte dhe një lajm të mirë për universitetet e këtyre vendeve, ku bën pjesë dhe Shqipëria. Ky samit i hapi rrugën themelimit të Fondacionit Kërkimor të Ballkanit Perëndimor dhe ky organizëm do të nxisë kërkimin shkencor në rajon.

Dr. Blerjana Bino, kërkuese shkencore në Universitetin Europian të Tiranës dhe eksperte e grupit të punës së Konferencës së Përbashkët Shkencore të Procesit të Ballkanit Perëndimor/ Procesi i Berlinit, shpjegon për MAPO-n rezultatet e Samitit të Triestes sa i takon kërkimit shkencor dhe ngritjes së Fondacionit Kërkimor të Ballkanit Perëndimor.

Çfarë është Konferenca e Përbashkët Shkencore e Procesit të Ballkanit Perëndimor/ Procesi i Berlinit?

Procesi i Ballkanit Perëndimor ose siç njihet – Procesi i Berlinit – është një iniciativë e përbashkët e 13 shteteve europiane dhe Komisionit Europian për të mbështetur përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim dhe për të përforcuar bashkëpunimin rajonal. Procesi i Berlinit mbulon disa fusha, si: Qeverisja, Sundimi i Ligjit, Parandalimi dhe Lufta kundër Korrupsionit, Çështjet e pazgjidhura dypalëshe, Lidhshmëria, Integrimi dhe zhvillimi ekonomik rajonal, sektori privat dhe zhvillimi i NMV-ve, rinia dhe shoqëria civile, si edhe kërkimin shkencor. Dimensioni i shkencës i Procesit të Berlinit njihet ndryshe si Konferenca e Përbashkët e Procesit të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillohet nën kujdesin e veçantë të Akademisë Gjermane të Shkencave – Leopoldina. 

Konferenca III e Përbashkët Shkencore e Procesit të Ballkanit Perëndimor / Procesit të Berlinit u mblodh në akademinë franceze “Académie des sciences – Institut de France” në Paris për ta çuar më tej procesin e nisur në Gjermani në korrik 2015 dhe të vijuar në Austri në maj 2016. Rezultatet e Konferencës I dhe II të Përbashkët Shkencore janë përmbledhur në deklarata të përbashkëta, të cilat kanë marrë mbështetjen e krerëve të shteteve dhe qeverive në Samitet e Ballkanit Perëndimor në Vjenë (2015) dhe Paris (2016). Deklarata e tretë e Konferencës së Përbashkët Shkencore fokusohet tek investimi te shkencëtarët e rinj dhe arsimi dhe inovacioni për vende pune dhe rritje. Kjo deklaratë u mbështet nga krerët e shteteve në Samitin e Triestes në korrik 2017 dhe ka si rezultatin e saj më konkret e më të rëndësishëm themelimin e Fondacionit Kërkimor të Ballkanit Perëndimor. 

Çfarë është Fondacioni Kërkimor i Ballkanit Perëndimor? 

Në Samitin e Parisit për Ballkanin Perëndimor, datë 4 korrik 2016, krerët e shteteve dhe qeverive shprehën kërkesën si në vijim për Konferencën e Përbashkët Shkencore të Procesit të Ballkanit Perëndimor: “[…] të propozohen [brenda verës së vitit 2017] mekanizma financimi për kërkues të rinj ekselentë nga Ballkani, për t’iu dhënë mundësi të fitojnë përvojë jashtë vendit dhe të krijojnë laboratorët e tyre të ekselencës”.

Më pas, është caktuar një grup ndërkombëtar ekspertësh, i cili nëpërmjet një procesi intensiv, ka përgatitur një plan maket të gjithanshëm për një Fondacion të ri Kërkimor të Ballkanit Perëndimor. Ky grup ekspertësh ku bëj pjesë ka punuar nën kujdesin e Akademisë Gjermane të Shkencave – Leopoldina dhe në bashkëpunim me akademinë franceze “Académie des sciences “– Institut de France, Akademinë Austriake të Shkencave dhe Akademinë Italiane të Shkencave. Si rezultat, është propozuar dhe më tej dakordësuar në Trieste, themelimi i Fondacionit Kërkimor të Ballkanit Perëndimor si organizatë vetëqeverisëse ndërkombëtare, i cili t’u japë grante individuale (ad personam) shkencëtarëve të rinj për të ngritur ekipe dhe laboratorë kërkimorë në Ballkan. Ky fondacion do të mbështesë lëvizshmërinë dhe ndërlidhjen e shkencëtarëve dhe kërkuesve të rinj në Ballkan me homologët europianë.

Pse është i rëndësishëm për Shqipërinë dhe çfarë mundësish priten për kërkuesit?

Fondacioni është projektuar t’iu japë mundësi shkencëtarëve të rinj të shquar nga Ballkani dhe nga Europa të ngrenë ekipe dhe laboratorë kërkimorë të ekselencës në vendet e Ballkanit brenda një periudhe pesëvjeçare nëpërmjet granteve ad personam. Grantet do të mundësojnë një periudhë formimi një deri në dyvjeçare në organizatat më të mira kërkimore të Europës, për t’i forcuar kështu lidhjet shkencore midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Nëpërmjet granteve të Fondacionit, do të marrë trajtë në formë progresive një masë kritike ekipesh të kërkuesve ekselentë në Ballkan. Këto ekipe do të përbëjnë forcën shtytëse të ndryshimit.

Ky Fondacion është i rëndësishëm për Shqipërinë, si edhe për Ballkanin Perëndimor pasi do të mbushë mangësitë ekzistuese në financimin e kërkimit shkencor, do të rrisë kapacitetet e kërkuesve të rinj si edhe këto grante janë një instrument qendror për rikthimin e trurit në Ballkan. Ky Fondacion synon qarkullimin e trurit dhe transferimin e njohurive dhe ekselencës dhe nxit krijimin e rrjeteve kërkimore brenda Ballkanit, shpërndarjen e gjetjeve shkencore në shoqëri, si edhe transferimin e inovacionit dhe teknologjisë në ekonomi dhe në shoqëri.

Kush mund të aplikojë për grantet e Fondacionit Kërkimor i Ballkanit Perëndimor?

Fondacioni do të tërheqë më të mirët e më të mirëve, duke iu kushtuar vëmendje të veçantë shkencëtarëve të rinj nga Ballkani. Pjesëmarrja është e hapur për të gjitha fushat shkencore. Kriteret janë të përcaktuara qartë: shkencëtarët e rinj (maksimumi 45 vjeç), diplomë doktorature në dorë dhe tezë doktorature e publikuar. Cilësia e kërkuesve dhe projekteve kërkimore aplikuese vlerësohet në një proces me dy faza, me intervistë përfundimtare. Kërkuesit e rinj shqiptarë janë të inkurajuar të aplikojnë në të gjitha fushat shkencore. Skemat e granteve janë të tilla që përshtaten për specifikat e fushave shkencore dhe lejojnë mundësinë e trajnimit në qendrat kërkimore në BE, si edhe ndërlidhjen mes kërkuesve e shkencëtarëve të rinj në Ballkanin Perëndimor. Grantet janë për një periudhë pesëvjeçare dhe shkojnë deri në 750 mijë euro. Fondacioni do të ofrojë tri lloje kryesore grantesh: Tesla: Grant kërkimor për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë dhe shkencat e jetës; Çabej: Grant kërkimor për shkencat sociale dhe humane; Marco Polo: Opsioni Europian i Lëvizshmërisë.

Kur shpallet thirrja për aplikime, pra kur nis punën Fondacioni Kërkimor i Ballkanit Perëndimor?

Shtetet Anëtare të BE-së dhe udhëheqësit e rajonit vendosën të nisin procesin e themelimit të Fondacionit Kërkimor të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Triestes në korrik 2017 në kuadër të Procesit të Berlinit. Pjesëmarrësit kanë mandatuar një grup shkencëtarësh dhe specialistësh për të studiuar fizibilitetin financiar dhe teknik të projektit, dhe për të negociuar të gjitha masat e nevojshme, deri në Samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor. Kështu ne do të punojmë për detajimin e mënyrës së organizimit, qeverisjes, funksionimit të Fondacionit dhe propozimi do tu paraqitet për miratim krerëve të shteteve në Samitin e ardhshëm të procesit të Berlinit në Londër në verën e vitit 2018. Kështu pritshmëria është që thirrja për grante do të hapet në 2019 për të gjithë shkencëtarët e rinj të Ballkanit. Mendohet që ky fondacion do të ketë selinë e tij si fillim në Trieste, Itali.

Çfarë u arrit tjetër në Samitin e Triestes sa i takon fushës së kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë?

Pjesëmarrësit në Samitin e Triestes përshëndetën konceptin për ngritjen e një Grupi Ekspertësh që do të prodhojë një Plan Veprimi të Ballkanit Perëndimor për Punësim dhe Rritje të Zgjuar. Plani i Veprimit synon të japë rekomandime për të ndërlidhur arsimin, kërkimin dhe inovacionin me tregun e punës dhe zhvillimin. Edhe ky propozim vinte nga Konferenca e Përbashkët Shkencore dhe nga deklarata e tretë e përbashkët e Parisit. Kërkohet nga aktorët përkatës nga fusha akademike, universiteteve, bizneseve dhe shoqërisë civile, si dhe institucioneve financiare ndërkombëtare që të angazhohen në këtë sipërmarrje të lidhjes së arsimit me inovacionin dhe punësimin. Si edhe në deklaratat e mëparshme të përbashkëta të Konferencave të Përbashkëta Shkencore të Procesit të Ballkanit Perëndimor dhe deklaratat përfundimtare të Samiteve të Ballkanit Perëndimor në Paris (2016) dhe Vjenë (2015) edhe në Samitin e Triestes (2017) theksohet roli qendror i arsimit, punës kërkimore dhe transferimit të dijeve për krijimin e vendeve të punës si edhe për kohezionin shoqëroro-ekonomik dhe territorial.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Hapja e kutive: Si u vërtetuan pazaret mes partive

KQZ ka hapur dje dhe ka numëruar votat e 64 kutive të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *