Një lexim ndryshe për titullin e revistës Mapo: Kryeministri i Tiranës

Pse kryebashkiakët po bëhen gjithmonë e më të rëndësishëm? Çfarë ndikimi ka ky fakt në Shqipëri dhe si po e përdor Edi Rama diçka të tillë

Nga Enton Palushi

Një turiste amerikane kishte mbetur e fiksuar pas luleve në një park përpara parlamentit. Teksa po përkulej për të këputur njërën prej tyre, përpara këmbëve i frenoi fort një makinë. Prej saj zbriti një person i irrituar. “A e di se çfarë do ndodhte nëse gjithkush do këpuste nga një lule në park,” i tha ai, duke e lënë të prerë në fytyrë turisten. Ajo nuk u besonte syve. Përpara saj ishte as më shumë dhe as më pak, por vetë kryebashkiaku i Jerusalemit, Teddy Kollek.

Personi që e drejtoi Jerusalemi duke nisur që nga viti 1965 e deri në vitin 1993, arriti të zhvillojë një qytet modern, aq sa disa thonë se është ndërtuesi më i madh që prej kohës së Herodit. Teddy Kollek njihej për batutat e tij dhe thonë se në një rast ishte shprehur se nëse do donin ta përkujtonin në muze, më mirë t’ia vendosin emrin e tij në nevojtore. Por fraza me të cilën ai u bë i famshëm ishte pikërisht gjatë një mbledhje të komuniteteve fetare. Ndërsa përfaqësuesit e këtyre komuniteteve ziheshin, Teddy, që vetë ndoshta nuk do donte t’u shërbente të gjithëve, por detyra ia impononte, tha: “Zotërinj, ju mbani predikimet, unë po u rregulloj kanalizimet”.

***

Këto ditë në treg gjendet numri i ri i revistës Mapo, me një kopertinë interesante, ku shfaqet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Titulli është “Kryeministri i Tiranës” dhe për shumë njerëz është një gjetje. Por qëllimi i revistës së përtremuajshme, nuk është vetëm të godasë me titull dhe kopertinë, siç bëjnë thuajse shumica e revistave në vend.

Shkrimi ofron një panoramë më të gjerë për fenomenin e kryebashkiakëve që nisin “rrugëtimin” drejt postit më të lartë ekzekutiv në vend.

I gjithë shkrimi merr nxitje nga një editorial i publikuar në fund të vitit 2016 nga revista “The Economist”. Ishte viti i vështirë për demokracinë liberale, britanikët kishin votuar për daljen nga Bashkimi Europian dhe amerikanët zgjodhën presidentin e ri Donald Trump. Sugjerimi i “The Economist”? Për të shëruar demokracinë, iu duhet dhënë më shumë pushtet kryebashkiakëve. Këta të fundit janë pragmatistë dhe dinë si të punojnë. Nivelet e miratimit për kryebashkiakët janë gjithmonë shumë të larta, mbi 70 përqind, kurse pëlqimi për politikanët e legjislativit dhe ekzekutivit është shumë i ulët.

“Pyetja është, si të krijojmë një botë në të cilën kryebashkiakët dhe qytetarët që përfaqësojnë, të luajnë një rol më të rëndësishëm? Për të kuptuar këtë, duhet të kuptojmë se përse qytetet janë të veçantë, përse kryebashkiakët janë kaq të ndryshëm nga kryeministrat dhe presidentët, për shkak se premisa ime është që një kryebashkiak dhe një kryeministër janë në kahët e kundërta të spektrit politik. Që të jesh kryeministër ose president, duhet të kesh një ideologji, duhet të kesh një teori, duhet t’i përkasësh një partie. Por, kryebashkiakët janë të kundërta. Kryebashkiakët janë pragmatistë, ata janë probleme-zgjidhës. Detyra e tyre është që të mbarojnë punët, nëse nuk e bëjnë këtë, nuk do zgjidhen më”, thotë një nga ekspertët më të mirë të shkencave politike, Benjamin Barber.

“Këtë gjë bëjnë kryebashkiakët. Ata rregullojnë kanalizimet, sistemojnë transportin publik. Nuk është e thënë që të jesh i majtë apo i djathtë për ta bërë këtë gjë. Pra, kryebashkiakët janë pragmatistë dhe probleme-zgjidhës. Ata mbarojnë punë. Si rezultat, kryebashkiakët kanë një nivel shumë më të lartë besimi. Në SHBA, i dimë të dhënat patetike: 18 përqind e amerikanëve e miratojnë Kongresin dhe atë që bëjnë ata. Madje edhe me një president popullor si Obama, të dhënat tregojnë se mbështetja shkon maksimumi deri në 50 përqind. Por kur i pyet njerëzit se a i besoni kryebashkiakut, kjo mbështetje shkon mbi 70 përqind, për shkak se ata janë njerëzit e lagjes, për shkak se njerëzit e lagjes punojnë me ta. Një kryebashkiak mund të dalë nga makina e tij dhe të shpëtojë njerëzit që digjen nga godina, kjo ka ndodhur. Asnjë kryetar shteti nuk mund ta bëjë diçka të tillë”.

***

Nuk është nevoja të lexosh këto thënie të Barber, për të kuptuar se Edi Rama ka marrë vazhdimisht fuqi nga niveli i lartë i miratimit që kanë kryebashkiakët. Dhe këtë fuqi e përdor edhe për zgjedhjet e përgjithshme. Ndërsa demokratët vazhdojnë betejën e tyre duke besuar se të mirat i vijnë vendit nga ekzekutivi, pa krijuar personazhe në pushtetin vendor, Rama ka krijuar një terren kaq të fortë në pushtetin lokal, sa mund të thuhet pa frikë se qeverisja e tij si një kryebashkiak-kryeministër i ka dhënë frytet e saj. Mjafton të shohësh projektet e Rilindjes Urbane apo të gjithë energjinë që shpenzohet për debate të tilla si për sheshin “Skënderbej”. Çfarë është ndoshta më interesantja dhe më e rrezikshmja në këtë rast? Kryebashkiakët janë të parët që lehtësisht futen në vlerësimin e votuesve në qytet si “njerëz që kanë punuar”. Më e tmerrshmja? Po kaq lehtësisht futen tek vlerësimi: “kanë vjedhur, por kanë punuar”. Ose “kanë bërë krime, por kanë punuar”.

***

Ndërsa debati në vend vijon furishëm për qeverisjen e Edi Ramës, kryebashkiaku-kryeministër e di se ka një kartë të fortë në dorë. Pikërisht atëherë kur i duhet, zgjedhjet lokale mund t’i japin fuqi politike. Ai ka punuar për këto ditë dhe kryebashkiakët që e rrethojnë janë ushtria e nevojshme për të mbledhur vota sa herë i duhet, për zgjedhje lokale apo qendrore. Por fuqia e një kryeministri-kryebashkiak nuk rezulton që të jetë gjithmonë pozitive për pasuesin, që shpesh përflitet se do të jetë Erion Veliaj. Po kaq të vështirë sa e kishte dhe e ka Lulzim Basha që të marrë nga fuqia e qeverisjes ekzekutive të Sali Berishës, pavarësisht se thotë se ka qenë pjesë e projekteve të mëdha si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave apo ndërtimi i rrugëve, po kaq të vështirë do e ketë edhe Erion Veliaj që të marrë nga meritat e kryeministrit-kryebashkiak, që vazhdon të vendosë vulën e tij në projektet e mëdha të Tiranës.

“Një nga gabimet e mëdha, që bëjnë politikanët e rinj në Shqipëri është se në përpjekje për të mbajtur kokën lart dhe për të parë të ardhmen e tyre “të ndritur”, u verbohen sytë dhe rrëzohen në gropën e parë që u del në rrugën, ku nuk kanë mendjen ku ecin.

Veliaj për fat nuk po e bën këtë gabim. Ai është i fokusuar te suksesi i ditës, te puna e përditshme dhe është ndoshta tipi më jokonfliktual në politikë.

Ambiciet e tij janë pjesë e planeve të tij, por në Shqipëri nuk ka udhëheqës që lënë pasardhës. Udhëheqësit në Shqipëri përpiqen të lënë vetëm emrin e tyre pas dhe jo individë të tjerë.

Kështu që në këtë pikë, e vetmja gjë e gabuar që mund të bëjë Veliaj është ta projektojë veten për pasardhës të Ramës. Ai dhe kushdo tjetër, duhet të përpiqen të jenë të suksesshëm tek ajo që bëjnë dhe të bëhen të dobishëm për shoqërinë. Në politikë në

fund të mbajnë këmbët e tua edhe kur t’i ngrihesh mbi shpatullat e tjerëve.

Në këtë pikë i vetmi rrezik për Erion Veliajn është Erion Veliaj, devijimi i tij nga agjenda ditore, nga besimi që ka marrë për të udhëhequr kryeqytetin dhe shfokusimi për të injoruar të sotmen në funksion të një projekti për të ardhmen.

Në histori nuk hyn doemos si kryeministër. Mund të hysh dhe si një zyrtar i thjeshtë model i shtetit, si një qytetar që i jep qytetit ku jeton, si një kryebashkiak që e bën më të mirë jetën e qytetarëve etj. Në politikë, nuk është problem të hysh, problem është se si do dalësh. Dhe nuk është e thënë, që po dole si kryeministër je i suksesshëm. Nuk është as si në “Big Brother”, që kush del i fundit fiton. Është fuqi e madhe ta kuptosh kur do dalësh,” komenton analisti Mero Baze.

***

Mediat e printit janë në një krizë në mbarë botën, krizë që vjen si uragan në Shqipëri. Por, revista Mapo është si një ftesë dhe një përpjekje modeste për të treguar se njerëzit duhet të shkojnë përtej titullit dhe fotove. Mbi të gjitha është një tentativë për të ndërtuar një pazëll, në një kohë ku njerëzit kapin vetëm grimca të pastrukturuara në çdo drejtim…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Zjarr dhe tërbim”: Disa pasaktësi gjuhësore në përkthimin e veprës së Michael Wolff

Më tepër kujdes duhet treguar për gjuhën në përkthime. Nga një shikim...
Read More