Një libër që “vonon” të lexohet…

 

Ndërsa “Parajsa e Humbur” e John Milton-it (1608-1674) na prezanton kryengritësin e pamposhtur, heroin e thyer me përmasa mitologjike, megjithëse  për fatin e tij të keq, të parashkruar për t’u bërë shembull i krenarisë së ndëshkuar, si personazhet e Noteboom, Satanai miltonian është një personazh i ndërlikuar…

Nga Dr. Brikena Smajli

“Parajsa e humbur” e shkrimtarit holandez Cees Noteboom mendoj se lipset lexuar duke e njohur “Parajsën e humbur” të John Miltonit, dhe kjo jo vetëm ngaqë autori i është referuar kësaj vepre, që në krye të herës, as sepse udhëpërshkrimi poetiko-epik i Miltonit është gjithsesi aty, por sepse kërkesat e filluara të Miltonit gjenden në këtë libër të Noteboom-it, të trajtuar aq në mënyrë krijuese e poetikisht, sa libri sikur “vonon” të lexohet. Pikërisht  nëpërmjet kësaj njohjeje na vijnë më qartë përshtjellimet e personazheve: Almut, Alma, Erik Zondahu…

Ndërsa “Parajsa e Humbur” e John Milton-it (1608-1674) na prezanton kryengritësin e pamposhtur, heroin e thyer me përmasa mitologjike, megjithëse  për fatin e tij të keq, të parashkruar për t’u bërë shembull i krenarisë së ndëshkuar, si personazhet e Noteboom, Satanai miltonian është një personazh i ndërlikuar, një qënie e djegur nga dëshira për të ushtruar lirinë e tij vetiake, rebelizmi i hapur i cilit ndaj autoritetit të Zotit e sikteris nga Parajsa dhe e zbret në tokë, mes të gjallëve – në vend ta çojë në Ferrin e të vdekurve. Ai flet, shpreh mendimet, ndan ndjenjat…pikërisht në këtë udhëpërshkrim miltonian duhet t’i shohim edhe personazhet e Noteboom-it, të tillë në kërkim të gjetjes së arsyes së jetës. Figura të copëtuara të përditshmërisë antiheroike të jetës sonë globale, kanë po këtë shpirt të trazuar, po këtë rebelim, këtë etje drejt lirisë, madje edhe një dëshirë e kërkim për të gjetur tokën e parajsës…diku një skaj, ku e njëendëta origjinalja, të të bëjë të njësohesh me të.

Vetë toka, në përkufizimin global dhe vetë kërkimi i personazheve, i autorit në drejtim të shkrimit, të sjell ndër mend Tokën e shkretë të T. S. Eliotit… Interesant mbetet fakti se në faqet e romanit të Noteboom, vështrimi kritik e i interpretuar artistikisht i Miltonit, në kontekste të tjera, rend jo pas Satanait, por pas engjëjve, apo gjasmimit të ëngjëjve, ëngjëve në rol…në këto kalime të befta si në ëndërr ku nënvetëdija është më rrezatuese se e përditshmja, edhe në errësimin e saj të njëmendët, dyzimi është i gjithëpranishëm, njerëzit e vërtetë i ndiejnë këto gojë shqyese që i thërrasin si zëra të Krijimit dhe Ferrit nga e shkuara dhe nga e ardhmja. Kjo ndodh në San Paolo, (Brazil), Sidney, Përth, (Australi), Amsterdam, (Holandë), Duisburg (Austri), nga drita e diellit në errësirën e thellë e pa Zot…gjithandej modernizmi dhe globalizmi ka tjetërsuar e zhbërë, për ta humbur pergjithmonë parajsën, në vend të saj, një pothuasje gjuhë e paditur përplaset vetëdijes kërkuese të Almës. Edhe nëse ndodh të zhytet, ajo do të jetë plotësisht e pavetëdijshme.

E gjitha filloi me pikturën e tij. Mbeta aty, përpara saj, pa e ditur si ta lexoja. Ishte krejt ndryshe nga gjithçka kisha hasur në këtë udhëtim. Nuk kishte figura, nuk kishte asnjë shenjë të ndonjë krijese që të më vinte disi e njohur, sado e çuditshme të ishte. Në vend të tyre aty gjendej një e zezë krenare, e padepërtueshme, me një shkëlqim drite që i shkrepëtinte përmes, një kundërthënieje që më tërhoqi brenda errësirës…”si një re e zezë”, dëshiron të lësh pas gjithçka, dhunën, tmerrin, frikën dhe ndien se po të thith…”(Noteboom, 2016, 86)

Vetëm kështu mund të kuptohet mjeshtëria e shkrimit e trajtimit të subjektit. Pa iu shmangur sfondit miltonian, nëpërmjet udhëtimit kërkues të Eliotit tek Tokë e shkretë, për të sjellë në jetë Tokën, për ta rigjallëruar atë,  personazhet e Noteboom, kalojnë nga shqyrtimi i Angelos Novus të Paul Kleesë, Hieronimus Bosch-it e Matteo di Giovannit, në veprat e aborigejnëve të Australisë. Pa iu shmangur kërkimit të njëmendët të personazheve, në të ndërlidhen problematikat e artit, e artit të kurorëzuar si të tillë në pavionet më të mirënjohura të galerive të artit në atë që nuk i ka shkëputur ende lidhjet me utilitaren.

Po të blej një cope lëvore të vizatuar që dikur u jepej të vdekurve, kush më siguron se ka ndonjë vlerë? Sa të tilla mund të bëjë një njeri i vetëm? Po pastaj, çfarë ndodh? Ulen aty në kaçube me sekretet e tyre dhe presin që një tjetër pronar galerie, me trastat plot me para të ulë avionin privat në pistën e tyre? … sepse ëndrra jonë e shtrenjtë ishte e gënjeshtërt?”(Noteboom,2016; 93-4), shprehet në këto udhëtime shpirti praktik i Almut-it.

Ngjashëm me udhëtimin purifikues të Tokës së shkretë, kërkimi i personazheve përveç përvojës njohëse të brendësisë së errët të qenies njerëzore, në dobësitë, në mëkatet, rastësitë, përkimet e çuditshme, paradokset, në zbulimin  e tyre, përpjekjen e tyre për ta rizbuluar pikën e dobët të njeriut, dobësitë e tija, që në hershmëri, përpiqet të bëjë bashkë, të lidhë, të rendojë, të vejë rregull me një etje moderniste kundrejt kaosit të mbramë (si atij të parakrijimit) që përballin.

Udhëtimi artistik, në kërkim të parajsës së humbur i dy vajzave nga Brazili (Almut-it dhe Almës) për më tepër me origjinë gjermanike  për në vendin e aborigjenëve, ndërlikset me udhëtimin pothuajse kërkues të Erik Zondahut, si kritik letrar. Udhëtimi kështu është njerëzor dhe letrar, ai është kthjellues deri diku, por kurrsesi i përmbushur, përmbyllës. Ai zbulon e përthellon kritikun në udhëtimin e tij në festivalin letrar në Australi, Përth…por kjo vjen disi vetvetiu, nga zgjerimi i horizontit të njohjes, pasojë e udhëtimit, të kuptuarit se sa e vogël është bota holandeze, sa e ngushtë është letërsia holandeze, por të shihet vetëm nga ky sy. Po kritiku, e ndien në lëkurën e tij, se sa është rënduar njeriu brenda tij. Në fund të udhëtimit ka parë, vënien në skenë të një teatri të gjallë me ëngjëj njerëzorë me flatra, të fshehur në rrëmujën e një qyteti, që megjithatë, nuk “lumturon” me Parajsën që po përpiqet të sugjerojë, por nxit, të paktën vetëm Erikun, apo jo vetëm atë…një thirrje që nuk mbyllet vetëm aty në takimin…por vijon rastësishëm edhe në një tjetër të dytë, lumturues në Austri…Po Krijuesi i Parajsës, mbetet Krijuesi dhe fati i kritikut si edhe i shkrimtarit, apo edhe i personazheve të tij është të udhëtuarit për atje. Parajsa në vetvete është e humbur për personazhet, shkrimtarin, shkrimin, njeriun. Njeriu vazhdon të ecë…

..dhe prej Kodrës tjetër

Drejt Postit të caktuar, në radhë drite

Zbritën Kerubinët; meteorshëm mbi dhe

Rrëshqitën, siç Tisi i Mbrëmjes së Lumit

Ngrihet e rrëshqet përmbi moçal dhe me ngut

Kap thembrën e Argatit rrugës së kthimit

Në shtëpi. Lart në Ballë përpara printe,

Flakërinte vringëlluar Shpat’ e Zotit

E furishme si Komet’; më me të madh bulçim,

me avuj ajri të Libisë Përzhiti,

Zu ajo zhuriti Klim’n e butë; që aty

Në secilën dor’i mor’ Engjëlli shpejtu’s

Prindtë tanë të pezullt, te Port’e Lindjes

Drejt i shpu, dhe shkrepit poshtë nxitimthi

Për tek Pllaja e përfund; paskaj u zhduk… (John Milton, “Parajsa e humbur”, Libri XII)

Shkruar Nga
More from Redaksia

Aktori turk qëllohet me 4 plumba nga e dashura, modelja më pas vret veten

  Stambolli është tronditur mbrëmjen e djeshme nga një ngjarje e rëndë....
Read More