Një ligj për strehimin social dhe tri keqkuptime qeverisëse!

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit

Vitin e pestë të qeverisjes Rama, ekipi rilindas u kujtua edhe për familjet që nuk kanë mundësinë financiare t’i drejtohen tregut të shitblerjes së banesave. Edhe kësaj radhe, sikurse shpesh në këto vite, për t’i dhënë përgjigje shteruese këtij fenomeni shoqëror rilindasit iu drejtuan instrumentit të ‘reformimit nga niveli qendror qeverisës’. Dhe zgjodhën një nga dy mënyrat e vetme që ata njohin, hartuan një ligj të ri për të ndihmuar me paratë publike këtë shtresë të popullsisë. Socialistët e rilindur nuk hartuan politika kombëtare, impakti i të cilave të rriste aftësitë paguese të qytetarëve për t’u përfshirë në tregun ekzistues të banesave, sepse për të majtët është e pamundur të kuptojnë rrugë të tilla. Ata nuk e trajtuan as me mënyrën më komune të së majtës, planifikimin dhe alokimin e më shumë parave publike për përballuar këtë ndihmë që shteti u jep qytetarëve në nevojë. Jo, ata thjesht u mjaftuan me rishkrimin e një draftligji për këtë çështje.

Për brendinë e dispozitave të ligjit dhe akteve nënligjore të shumta që përcakton ky ligj për t’u hartuar në të ardhmen, dhe efikasitetin e mënyrave që parashikojnë ato për të adresuar këtë hall të madh shoqëror, ne do flasim herë të tjera. Sepse, çështja e strehimit në përgjithësi (përballimi i një banese) dhe e strehimit social në veçanti (ndihma e shtetit për të përballuar një banesë) jo vetëm ndikojnë në ekonomitë familjare, por kanë një domethënie të rëndësishme edhe për ekonominë kombëtare. Implikimi në çështjet mjedisore, kulturore dhe sociale është një nga karakteristikat thelbësore të aktiviteteve private apo publike të strehimit. Por, për së pari, këto aktivitete janë pjata e parë e funksionit qeverisës të zhvillimit territorial dhe urban, dhe nuk mund të trajtohen të ndara nga ky aktivitet. Këtë nuk kupton dot administrata teknike dhe politike e qeverisë së Rilindjes, dhe për këtë do flasim në këtë shkrim të shkurtër të opinionit.

E para gjë që duhet të kuptojë administrata rilindase, është fakti se në një vend të hapur ndaj ekonomisë së tregut të lirë, nuk mund të ketë dy tregje për të njëjtën produkt (banesë). Pra, nuk mund të ketë një treg që ndërton dhe shpërndan banesa për familjet në nevojë, dhe një treg tjetër që ndërton dhe tregton sipas aksiomës ‘ofertë-kërkesë’. Nuk mund të ketë, sepse së pari, pengon përmbylljen e udhëtimit drejt kapitalizmit, dhe së dyti, çka është më e rëndësishmja për këtë shkrim, nuk lejon që paratë publike të arrijnë familjet që kanë vërtet nevojë për ndihmën e shoqërisë. Sikurse e vërteton plotësisht realiteti shqiptar i këtyre 25 viteve, ato ose humbasin në labirintet e tenderëve publikë për ndërtim, ose lumturojnë pushtetarët me një shtëpi të dytë në plazh, ose shantazhojnë vullnetin e votuesve në zgjedhje. Prandaj tregu duhet të jetë një, dhe ‘shteti’ si një nga aktorët në këtë treg të favorizojë familjet në nevojë nëpërmjet pronësive të tij.

Një tjetër gjë që duhet të pranojë, e njëjta administratë qendrore, është se për çështjen e strehimit social me konceptin ‘shtet’ duhet të nënkuptojë pushtetin lokal. Njësitë e qeverisjes vendore në Shqipëri, kanë aq shumë diferenca dhe ndryshime të karakteristikave administrative, ekonomike, kulturore, sociale dhe urbane mes tyre, saqë trajtimi me të njëjtat mënyra (target grupe dhe programe), të detyruara nga qeveria qendrore, minimizon mundësitë konkrete që ndihma të shkojë te grupet reale në nevojë. Në të kundërt, fushëveprimi i qeverisë qendrore duhet të limitohet në hartimin e një ligji që përcakton nivelin e përgjegjësisë së shtetit në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara prej saj, implementimin e politikave kombëtare për lehtësimin e aksesit të gjerë të familjeve në tregun privat të banesave, decentralizim real të këtij funksioni qeverisës, dhe financiar që t’i mundësojë pushtetit vendor përballjen me nevojat për strehim social.

E fundit gjë që duhet kuptuar e pranuar, kësaj radhe nga administratat lokale, është se këtë barrë të rëndë shoqërore u takon atyre ta mbajnë. Kuptuar e pranuar këtë aksiomë qeverisëse duhet t’i kthehen planifikimit territorial; projektimit urban; menaxhimit urban dhe të pronave; dhe veçanërisht administrimit të pronësive publike në proceset e rizhvillimit të pjesëve të qytetit, për të siguruar banesa në pronësi publike. Nëpërmjet këtij stoku banesash publike, të krijuar nëpërmjet të vetmit treg, administratat lokale mund të përballen me nevojat e të pastrehëve të qytetit. Pjesa tjetër është thjesht procedure administrative. Se kush janë familjet më në nevojë për ndihmë nuk e përcakton një draftligj i qeverisë qendrore. Ata janë të përzgjedhur nga gjendja faktike (aftësia paguese dhe kushtet e strehimit), dhe të gjitha këto të dhëna zyrtare gjenden në databazën e secilës njësi administrative lokale dhe janë lehtësisht e saktësisht të verifikueshme.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Problemet mendore te fëmijët, flet psikiatrja: Si hetohen

Shenjat variojnë dukshëm, çrregullimet mendore karakterizohen në përgjithësi nga disa turbullime të...
Read More