Një manifest për të rinovuar liberalizmin

Suksesi i ktheu liberalët në një elitë të vetëkënaqur. Ata kanë nevojë të rindezin dëshirën e tyre për radikalizëm

The Economist

Liberalizmi e bëri botën moderne, por bota moderne po i kthehet kundër.

Europa dhe liberalizmi e bënë botën moderne, por bota moderne tani po iu kthehet kundër. Europa dhe Amerika janë në skajet e një rebelimi të popullit kundër elitës liberale, të cilët shihen sikur i shërbejnë vetes, dhe, ose janë të paaftë, ose u mungon vullneti për të zgjidhur problemet e njerëzve të zakonshëm. Diku gjetkë, ekonomia më e madhe botërore prej 25 vjetësh, tregon se diktaturat mund të lulëzojnë.

Për ‘The Economist’ kjo është thellësisht shqetësuese. Ne u krijuam 175 vite më parë për të bërë një fushatë për liberalizmin – jo progresivizmin e majtë të kampuseve universitare amerikane apo “ultraliberalizmin” e djathtë të ngjallur nga komentariati francez, por një angazhim universal i dinjitetit individual, tregjeve të hapura, qeverisjes së limituar dhe besimin në progresin që do të sjellin njerëzit.

Themeluesit tanë do të mbeteshin të habitur se si jetesa e sotme do të krahasohej me varfërinë dhe mizërinë e viteve 1840. Pritshmëria e jetës globale në 175 vitet e fundit është rritur nga pak nën 30 vjeç në mbi 70 vjeç. Përqindja e njerëzve që jetojnë poshtë pragut të varfërisë ekstreme ka rënë nga 80 % në 8 % dhe përqindja e varfërisë absolute është përgjysmuar dhe numri i popullsisë ka ikur nga 1 miliard në mbi 6.5 miliardë. Përqindja e njerëzve që dinë shkrim e këndim është pesëfishuar në më shumë se 80 %. Të drejtat civile dhe sundimi i ligjit janë në mënyrë të pakrahasueshme më të fuqishme se sa ishin dekada më parë. Në shumë vende individët janë të lirë të zgjedhin si të jetojnë dhe me kë.

Kjo nuk është e gjitha punë e liberalëve, kjo është e qartë. Por teksa fashizmi, komunizmi dhe autarkia dështuan në shekullin e 19-të dhe 20-të, shoqëritë liberale kanë lulëzuar. Në një rrugë apo në një tjetër, demokracitë liberale e kanë dominuar Perëndimin dhe që nga aty filluan të përhapen nëpër botë.

Nderime, por jo pushim

Prapëseprapë filozofitë politike nuk mund të jetojnë me lavditë e së shkuarës: ata duhet gjithashtu të premtojnë një të ardhme më të mirë. Dhe këtu demokracia liberale përballet me një sfidë kanosëse. Votuesit perëndimorë kanë filluar ta vënë në dyshim se sistemi punon për ta apo nëse ai është i drejtë. Në një sondazh vitin e kaluar vetëm 36 % e gjermanëve, 24 % e kanadezëve dhe 9 % e francezëve mendonin se brezi i ardhshëm do të ishte më mirë se sa prindërit e tyre. Vetëm një e treta e amerikanëve nën 35 vjeç thonë se është vitale të jetosh në demokraci; përqindja e popullsisë që do të mirëprisnin një qeveri ushtarake u rrit nga 7 % në 1995 në 18 % vitin e kaluar.

Globalisht, sipas ‘Freedom House’, një organizatë joqeveritare, të drejtat civile dhe të drejtat politike kanë pësuar rënie në 12 vitet e fundit – në 2017, 71 vende humbën terren, teksa vetëm 35 bënë progres.

Kundër këtij aktualiteti, ‘The Economist’ akoma beson në fuqinë e idesë liberale. Përgjatë 6 muajve të kaluar, ne kemi festuar 175-vjetorin tonë me artikuj online, debate, podcast-e dhe filma që eksplorojnë se si t’iu përgjigjemi kritikëve të liberalizmit. Në këtë çështje ne publikojmë një ese që është si një manifestim për ringjalljen e liberalizmit – si një liberalizëm i njerëzve.

Eseja jonë përcakton se si shteti mund të punojë më fort për qytetarët duke rimodeluar sistemin e taksave, mirëqenien, edukimin dhe emigrimin. Ekonomia duhet të jetë e lirë nga fuqia në rritje e korporatave monopol dhe të planifikojë kufizime që i mbajnë njerëzit jashtë qyteteve me më shumë prosperitet. Dhe ne i përgjërohemi Perëndimit të mbështesë rendin botëror liberal nëpërmjet forcimit të fuqisë ushtarake dhe aleancave të rindërtuara.

Të gjitha këto politika janë të dizenjuara që të merren me problemin kryesor të liberalizmit. Në çastin e tij të triumfit pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik, humbi terren në vlerat e tij esenciale. Për këtë arsye rilindja liberale duhet të fillojë.

Liberalizmi lindi si ide në vitet e fundit të shekullit të 18-të si një përgjigje ndaj trazirave që u nxitën nga pavarësia e Amerikës, revolucionit në Francë dhe transformimit të industrisë dhe tregtisë. Revolucionarët këmbëngulin që për të ndërtuar një botë më të mirë, së pari duhet të thërrmosh atë që ke përpara. Në të kundërt konservatorët janë dyshues ndaj çdo pretendimi revolucionar mbi të vërtetën universale. Ata kërkojnë të ruajnë atë çka është më e mira për shoqërinë duke menaxhuar ndryshimin, zakonisht nën një klasë sunduese ose me një udhëheqës autoritar që “i di gjërat më mirë se të tjerët”.

Një motor ndryshimi

Liberalët e vërtetë konstatojnë se shoqëritë mund të ndryshojnë gradualisht për më mirë nga poshtë-lart. Ata kanë divergjenca me revolucionarët sepse refuzojnë idenë se individët duhet të detyrohen të pranojnë besimin e dikujt tjetër. Ata dallojnë nga konservativët sepse mbrojnë qëndrimin që aristokracia dhe hierarkia dhe çdo lloj përqendrimi pushteti kanë tendencën të bëhen burime shtypjeje.

Liberalizmi kështu u bë një këndvështrim i palodhur agjitacioni për botën. Megjithatë në dekadat e fundit liberalët janë rehatuar shumë me pushtetin. Si rezultat, ata e kanë humbur urinë e tyre për reformim. Elita sunduese liberale i thotë vetes se ata po ruajnë një meritokraci të shëndetshme dhe se ata i kanë fituar privilegjet e tyre. Realiteti nuk ndahet dot me thikë.

Në më të mirën e tij, shpirti konkurrues i meritokracisë ka krijuar një progres të jashtëzakonshëm dhe një pasuri të vërtetë idesh të reja. Në emër të eficiencës dhe lirisë ekonomike, qeveritë kanë hapur tregjet ndaj konkurrencës. Racat, gjinitë dhe seksualitetet nuk kanë patur kurrë aq pak barriera drejt përparimit. Globalizimi ka nxjerrë qindra miliona njerëz nga varfëria dhe i ka futur në tregjet e sapolindura të punës.

Prapëseprapë liberalët sundues shpeshherë e kanë strehuar veten nga stuhitë e shkatërrimit kreativ. Profesionet e rehatshme siç është drejtësia janë të mbrojtura nga rregullatorë të vetëkënaqur. Profesorët e universiteteve e shijojnë pozitën e tyre edhe teksa ata predikojnë virtytet e një shoqërie të hapur. Financierët u kursyen nga pjesa më e keqe e krizës financiare teksa punëdhënësit e tyre u shpëtuan me paratë e taksapaguesve. Globalizimi ishte i destinuar të krijonte mjaftueshëm fitime për të ndihmuar të dështuarit, por shumë pak prej tyre kanë ndjerë përfitim.

Në të gjitha mënyrat, meritokracia liberale është e mbyllur dhe e vetëqëndrueshme. Një studim i kohëve të fundit zbuloi se në vitet 1999-2013, universitetet më prestigjioze në Amerikë pranuan më shumë studentë nga 1 % e familjeve me ekonominë më të mirë se nga 50 % me ekonominë më të dobët. Në 1980-2015 pagesat e universiteteve lulëzuan 17 herë më shpejt se sa të ardhurat. Pesëdhjetë zonat urbane më të mëdha përmbajnë 7 % të popullsisë botërore dhe prodhojnë 40 % të output-it të saj. Por duke vendosur kufizime mund të mbahen shumë njerëz jashtë, veçanërisht të rinjtë.

Liberalët qeverisës janë bërë aq shumë të mbështjellë në ruajtjen e status quo-së saqë ata kanë harruar se si ngjan radikalizmi. Kujtoni se si, në fushatën e saj për t’u bërë presidente e Amerikës, Hillary Clinton e fshehu mungesën e ideve të mëdha pas një grumbulli idesh të vogla. Kandidati për t’u bërë lideri i Partisë Laburiste në Britani në 2015 humbi ndaj Jeremy Corbyn jo sepse ai ishte një talent politik verbues, por se ishte padallueshmërisht i butë.

Teknokratët liberalë zbulojnë korrigjime politike të zgjuara pafund, por ata mbeten dukshëm larg nga njerëzit që supozohej se do të ndihmonin. Kjo krijon dy klasa: ata që bëjnë dhe ata që janë bërë për të, mendimtarët dhe ata që mendojnë për të, politikëbërësit dhe politikëmarrësit.

Themelet e liberalizmit

Liberalët kanë harruar se ideja e tyre themeluese ishte respekti qytetar për të gjithë. Editoriali ynë i njëqindtë i shkruar në 1943 teksa lufta kundër fashizmit po tërbohej, e vendosi liberalizmin në dy parime përmbledhëse. I pari është liria: që është “jo vetëm e drejtë dhe e zgjuar, por edhe fitimprurëse për t’i lënë njerëzit të bëjnë ç’të duan”. I dyti është interesi i përbashkët: që “shoqëria njerëzore… mund të jetë një asocim i mirëqenies për të gjithë”.

Meritokracia e sotme liberale nuk përputhet mirë me atë përkufizim gjithëpërfshirës të lirisë. Klasa sunduese jeton në një flluskë. Ata shkojnë te disa kolegë, martohen njëri me tjetrin, jetojnë në të njëjtën rrugë dhe punojnë në të njëjtat zyra. Të telekomanduar nga pushteti, shumica e njerëzve pritet të jenë të kënaqur me rritjen e prosperitetit material. Megjithatë mes stendimit të produktivitetit dhe masave shtrënguese fiskale që pasuan krizën financiare të 2008-s edhe ky premtim është thyer gjithashtu.

Kjo është një arsye përse besimi ndaj partive kryesore po gërryhet. Konservatorët e Britanisë, ndoshta partia më e suksesshme në histori, tani mbledhin më shumë fonde nga vullneti i të vdekurve se sa nga dhuratat e të gjallëve. Në zgjedhjet e para në Gjermaninë e unifikuar, në vitin 1990, partitë tradicionale fituan mbi 80 % të votave, sondazhi i tyre më i fundit u dha atyre vetëm 45 %, krahasuar me një total prej 41.5 % për të djathtët ekstremë, të majtët ekstremë dhe Jeshilët.

Në vend të kësaj njerëzit po tërhiqen në grupime me identitet race, feje apo seksualiteti. Si rezultat, parimi i dytë, interesi i përbashkët është fragmentizuar. Politika e identitetit është një përgjigje e vlefshme ndaj diskriminimit, por teksa identitetet shumëfishohen, politika e secilit grup bie ndesh me politikat e grupeve të tjera. Në vend që të gjenerojnë kompromise të vlefshme, debati po përqendrohet në tërbimin fisnor. Udhëheqësit në të djathtë, në veçanti, shfrytëzojnë pasigurinë e shkaktuar nga emigrimi si një mënyrë për të siguruar mbështetje. Dhe ata përdorin argumente të vetëkënaqura të krahut të majtë për korrektësinë politike për të ushqyer votuesit e tyre me ndjesinë se po përçmohen. Rezultati është polarizimi. Në disa raste ajo çon në paraliza, në disa raste në tiraninë e shumicës. Në rastin më të keq u jep krahë autoritarëve të së djathtës ekstreme.

Liberalët po e humbasin argumentin në gjeopolitikë, gjithashtu. Liberalizmi u përhap në shekullin e 19-të dhe 20-të kundër sfondit të parë të hegjemonisë detare të Britanisë dhe më vonë ngritja ekonomike dhe ushtarake e SHBA-ve. Sot, përkundrazi, po ndodh tërheqja e demokracisë liberale teksa Rusia luan rolin e sabotuesit dhe Kina afirmon rritjen e saj si fuqi globale. Megjithatë më mirë se sa të mbrojë sistemin e aleancave dhe institucioneve liberale që ajo krijoi pas Luftës së Dytë Botërore, Amerika e ka neglizhuar situatën – dhe madje nën presidencën Trump e ka sulmuar atë.

Ky impuls për t’u tërhequr është i bazuar në keqkonceptim. Siç tregon historiani Robert Kagan, Amerika nuk e ndërroi izolimin e ndërluftërave në angazhimet e pasluftës që të përfshijë Bashkimin Sovjetik, siç shpesh hamendësohet. Në vend të kësaj, duke parë se si kaosi i viteve 1920 dhe 1930 polli fashizmin dhe bolshevizmin, burrat e shtetit të pasluftës arritën në përfundimin që një botë pa një lider ishte një kërcënim. Sipas fjalëve të Dean Acheson, një sekretar shteti, Amerika nuk mund të ulej më “në bisedime me një shotgun të mbushur, duke pritur”.

Na shpie të mendojmë se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në 1991 nuk e bëri papritmas Amerikën të sigurt. Nëse idetë liberale nuk e përforcojnë botën, gjeopolitika rrezikon të bëhet balanca e pushtetit, beteja e sferës së influencës për të cilën burrat e shtetit të Europës u kacafytën në shekullin e 19-të. Ajo kulminoi me fushëbetejat e përbaltura të Flandersit. Edhe nëse paqja e sotshme reziston, liberalizmi do të vuajë teksa frika në rritja e armiqve të huaj i çon njerëzit në krahët e burrave të fortë dhe populistëve.

Është momenti për rishpikjen e liberalizmit. Liberalët kanë nevojë të shpenzojnë më pak kohë duke cilësuar kritikët e tyre si budallenj dhe fanatikë dhe të merren më shumë me rregullimin e të metave të tyre. Shpirti i vërtetë i liberalizmit nuk është vetëruajtës, por radikal dhe përçarës. ‘The Economist’ u themelua  për të bërë fushatë për shfuqizimin e ‘Corn Laws’, e cila ngarkoi detyrime mbi importin e grurit në Britaninë Viktoriane. Sot kjo tingëllon pak komike. Por në vitin 1840, 60 % e të ardhurave të punëtorëve të fabrikave shkonin për ushqim, një e treta e këtyre për bukë. Ne u krijuam për të marrë rolin e të varfrit kundër zotërinjve që kultivonin misër. Sot, në po të njëjtin vizion, liberalët kanë nevojë të bëhen palë me pre-partiakët në një betejë ndaj patricianëve.

Liberalët duhet t’u afrohen sfidave të sotshme me energji. Nëse ata ia dalin, do të jetë për shkak se idetë e tyre janë të pashoqe për aftësinë e tyre për të përhapur liri dhe prosperitet.

Ata duhet të rizbulojnë besimin e tyre në dinjitetin individual dhe mbështetjen në vetvete – duke lakuar privilegjet e tyre. Ata nuk duhet t’i marrin më erë nacionalizmit, por ta pretendojnë për veten e tyre dhe ta mbushin me markën e tyre të krenarisë qytetare. Në vend që ta depozitojnë pushtetin në ministritë e centralizuara dhe në teknokratët e pafundmë, ata duhet ta shpërndajnë atë në rajone dhe bashki. Në vend që ta trajtojnë gjeopolitikën si një betejë pa vlerë mes fuqive të mëdha, Amerika duhet të fokusohet në rigjenerimin e vetes, të fuqisë së saj ushtarake, të vlerave të saj dhe të aleatëve të saj.

Liberalët më të mirë gjithmonë kanë qenë pragmatistë dhe të përshtatur. Përpara Luftës së Parë Botërore, Teodor Ruzvelt u mor me baronët që drejtonin monopolet e mëdha të Amerikës. Edhe pse shumë liberalë të mëparshëm i trembeshin sundimit të mafies, ata e përforcuan demokracinë. Pas Depresionit të viteve 1930 ata e pranuan që qeveria ka një rol të limituar në menaxhimin e ekonomisë. Pjesërisht në mënyrë që të rrëzonin fashizmin dhe komunizmin pas Luftës së Dytë Botërore, liberalët dizenjuan shtetin e mirëqenies.

Liberalët duhet t’u afrohen sfidave sot me energji të barabarta. Nëse ata ia dalin, do të ndodhë sepse idetë e tyre janë të pakrahasueshme për aftësinë e tyre për të përhapur liri dhe prosperitet. Liberalët duhet ta mbështesin kritikën dhe ta mirëpresin debatin si një burim i mendimeve të reja që do ta rinovojë lëvizjen e tyre. Ata duhet të jenë të guximshëm dhe të padurueshëm për reformim. Të rinjtë, veçanërisht ata, kanë një botë për të zotëruar.

Kur ‘The Economist’ u themelua para 175 vitesh, editori ynë i parë, James Wilson premtoi “një përplasje të egër mes inteligjencës, e cila shtyn përpara, dhe një injorance të pavlerë që shtyp progresin tonë”. Ne e rinovojmë thirrjen tonë për atë përplasje. Dhe u kërkojmë liberalëve kudo në botë të na bashkohen.

Përktheu: Shaqir Sulaj

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Këshilla: Virozat e dimrit te fëmijët e vegjël

Flet prof. Ermira Kola, Shefe e Shërbimit të Reanimacionit Pediatrik në Qendrën...
Read More