Një ministre e Brendshme grua, do të ishte më efikase në luftën kundër krimit

Nga Ervis Iljazaj

Një nga problemet e shoqërisë shqiptare, që është ai i kriminalitetit, është padyshim i lidhur dhe i ndikuar nga profili i ministrave të Brendshëm që kemi pasur përgjatë gjithë tranzicionit shqiptar. Ose më së paku, profili i ministrave që kemi pasur deri më tani, nuk ka ndihmuar aspak në luftën kundër tij.

Posti i ministrit të Brendshëm, sot dhe dje, i është besuar një profili politikani të fortë, me koniunktura të shumta politike dhe interesash, ndonjëherë, siç është rasti i ministrit të fundit apo edhe atij paraardhës, me probleme personale ose të rrethit familjar me ligjin.

Në këtë kuptim, mesazhi që i jepet shoqërisë, por edhe vetë grupeve kriminale, është totalisht i gabuar. Në fund të fundit, lufta ndaj krimit nuk kërkon vetëm profesionistë të mirë, por edhe frymë, e cila përcillet nëpërmjet zgjedhjeve politike dhe morale në krye të këtyre institucioneve.

Kështu që, ka ardhur koha që, ministri i Brendshëm i Shqipërisë të jetë një profil civil dhe moral, larg të qenit politik, larg të qenit qoftë edhe moralisht i implikuar apo i përfolur për historira si ato të fundit që kemi dëgjuar. Madje ka ardhur koha që në krye të Ministrisë së Brendshme të kemi një grua. Edhe për arsye se një grua të lidhur me bandat vështirë se e kemi dëgjuar në politikën shqiptare.

Përtej çdo respekti personal apo paragjykuar punën personale të askujt, profile të tilla të ministrave të Brendshëm nuk po ndihmojnë aspak klimën politike në vend dhe luftën kundër krimit.

Për shkak të historive, të cilat janë kthyer pothuajse të përditshme, me akuza dhe kundërakuza për lidhjet e politikës me krimin, sidomos me akuza që kanë si fokus kryesor ministrin e Brendshëm, situate politike sa vjen e rëndohet, duke u kthyer në një kosto të madhe për shoqërinë shqiptare.

Për shembull, historia e ‘Babales’ është kthyer në një çmenduri kolektive, që edhe nëse ka patur ndonjë të vërtetë brenda, për faktin se është banalizuar nga vetë politika, nuk tregon më asgjë për gjendjen reale të situatës.

E megjithatë, për të pranuar se Shqipëria sot ka një problem me kriminalitetin, një histori e tillë nuk është aspak e domosdoshme.

Edhe për faktin se, të pretendosh të zbardhesh të vërtetën nga një grup personash që kanë pasur ose kanë probleme me ligjin, është një gjë totalisht e pamundur. Dhe faktet po e tregojnë këtë.

Por në të gjithë këtë histori ka një të vërtetë të madhe. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë ka një problem me vëllanë e tij të dënuar për trafik droge. Përtej çfarëdolloj përgjegjësie personale, ministri ka patjetër një përgjegjësi morale. Sepse vetë natyra e postit kërkon një person, i cili të jetë larg çfarëdolloj dyshimesh.

Në këtë kuptim, vazhdimi në detyrë i ministrave të përfolur për çështje të tilla vetëm sa tensionon situatën politike dhe shoqërore. Nuk kuptohet se përse shoqëria shqiptare, politika, mazhoranca dhe vetë Kryeministri Rama, vazhdon ende të marrin kostot, për shkak të një insistimi, i cili duket i paarsyeshëm dhe një kokëfortësi politike e pakuptimtë. Fatmir Xhafaj, duke qenë se Partia Socialiste e konsideron një aset të saj, fare mirë mund të jetë ministër në çfarëdolloj dikasteri tjetër. Një dikaster, ku është larg konfliktit të interesit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Disa këshilla për studentët e rinj të degës së shkencave politike në UET

Nga Florian Çullhaj, PhD Si student i brezit të parë të Shkencave...
Read More