Një mirënjohje për Branko Merxhanin

Për dijeni Presidentit të Republikës z . Ilir Meta

Nga Ndriçim Kulla

Në kohën midis dy luftërave botërore u zhvillua ajo që Ismail Kadare e ka quajtur “Shqipëria mendonjëse”, një plejadë intelektualësh me formim perëndimor të cilët vepruan kryesisht në fushën e publicistikës. E veçanta e këtij brezi intelektualësh ishte se ata, ndonëse ecën në shtegun e çelur nga rilindasit, qenë më të formuar profesionalisht se këta të fundit. Rilindasit vetëm sa i prekën shumicën e temave për ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin e vendit në të gjitha fushat, që nga politika, tek arsimi ekonomia, kultura etj. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe pasi rilindasit tanë po hynin në një terren të pashkelur.

Nëse bëjmë krahasim me ndërtimin e një qyteti, atëherë mund të thuhet se rilindasit po bënin punën e urbanistëve që skicojnë linjat e përgjithshme të qytetit, ndërsa brezi i viteve ‘20-30 bëri punën e arkitektëve që bëjnë ndërtime konkrete. Rilindasit po skiconin piketa në hapësirën e Mendimit Shqiptar, për të treguar se ku duhej të ndërtoheshin ngrehinat e këtij mendimi dhe infrastruktura e tij. Por kjo punë iu takonte atyre që do të vinin pas tyre.

Çdo model zhvillimi në vendet e mëdha perëndimore na tregon se para veprimit ka ardhur mendimi. Dhe mendimi që përbën parakushtin zhvillues të një shteti, të një shoqërie, ndahet në dy faza. E para është filozofike, që skicon linjat e përgjithshme të mendimit në fusha të ndryshme, politike, ekonomike, arsimore, kulturore etj. Në këtë këndvështrim rilindasit tanë ishin më tepër filozofë të Mendimit Shqiptar. Pas tyre erdhi ky brez i viteve ‘20-30 të shekullit të kaluar, që iu përvesh detyrës së vështirë që mbi bazën e filozofisë së Mendimit Shqiptar që trashëgoi, të zhvillonte Mendimin Shqiptar në një fazë të re, në atë që të jepte alternativa konkrete se çfarë duhej bërë për zhvillimin e vendit në të gjitha fushat.

Në të vërtetë, të dy palët mund të quhen rilindas, për arsye se brezi i viteve ‘20-30 plotësoi atë detyrë që normalisht duhet ta kishin kryer rilindasit, por që nuk mundën ta kryejnë për shumë arsye, e që kryesorja është për kushtet në të cilat gjendej vendi. Ndërsa rilindasit autentikë, ata mendimtarë që i përkasin asaj periudhe që mbaron në 1912 me shpalljen e pavarësisë kombëtare, mund të quhen rilindas meditues, ose kontemplativë, siç thuhet në një term më filozofik, ndërsa brezi i viteve ‘20-30 mund të quhen rilindas operativë. Këta të fundit menduan më shumë për lidhjen mes Mendimit Shqiptar dhe zbatimit të tij konkret në realitet. Në këtë pikëpamja Rilindja Shqiptare duhet quajtur si e kompletuar në 1939.

Madhështia e veprës së Branko Merxhanit konsiston në atë që është ura lidhëse mes këtyre dy fazave të Rilindjes Shqiptare, asaj medituese dhe asaj operuese. Ideja e “Neoshqiptarizmës” e Merxhanit rreh pikërisht këtu: Si të konkretizohej ideja e Shqiptarizmës e Rilindjes Kombëtare në kushtet e reja kur ekzistonte shteti shqiptar dhe duhej të zhvillohej në të gjitha fushat. Neoshqiptarizma e Merxhanit ishte Shqiptarizma e Rilindasve e konkretizuar në një platformë zhvillimi. Duke qenë me formim arsimor gjerman, Merxhani ishte shumë “gjerman” edhe në parashtrimin e ideve të tij. Propozimet konkrete të tij ai i dha në trajtën e formulave të Neoshqiptarizmës, formula që përfshinin një program brilant dhe unikal për çdo fushë ku duhej të zhvillohej vendi, por me theks te arsimi dhe kultura, të cilat për Merxhanin ishin investime që ndikonin pozitivisht në të gjitha fushat e tjera.

Merxhani është i pari mendimtar shqiptar që solli në formë divulgative në shtypin shqiptar idetë e filozofëve dhe studiuesve më të mëdhenj perëndimor të kohës së tij dhe të mëparshëm, duke iu dhënë mundësi kështu lexuesve të etur për dije që të njiheshin me ta, gjë që do ta kishin të pamundur ndryshe, për shkak se nuk mund t’i gjenin librat e tyre që as ishin përkthyer në shqip.

Vepra e Merxhanit është si një lloj “fizarmonike”. Ajo mund të hapet e prej saj të dalë një korpus me shumë vëllime, sepse në formulat e tij të Neoshqiptarizmës ka dije shumë të përmbledhura, mendimi merxhanian është shumë sintetik. Merxhani nuk kishte kohë për ta zhvilluar veprën e tij në shumë volume. Ai sikur e parandiente se koha e tij do të përfundonte shpejt. Duke qenë një njohës i mirë i zhvillimeve në botë, ai e kishte parandjerë me siguri si shumë intelektualë se mbi Europë po grumbulloheshin retë e zeza të luftës që do ta bënin atë të largohej nga atdheu. Merxhani nuk mund të jetonte në Shqipërinë e pushtuar. Ai si shumë idealist që ishte nuk kishte pasuri dhe nëse nuk vihej në shërbim të pushtuesve do të vdiste urie. Ai iku në 1939 duke na lënë pas veprën e tij. Merxhani erdhi në Shqipëri në fund të viteve ’20, atëherë kur ky njeri me diplomë të Universitetit të Hajdelberg në Gjermani, një nga më të famshmit në botë në atë kohë, mund të kishte shkuar në çdo vend perëndimor dhe me dijet e gjuhët e huaja që zotëronte të jepte mësim në universitetet e atjeshme. Por Merxhani preferoi të vinte në atdhe ashtu si imzot Noli, ku nuk kishte universitete, dhe ku ai krijoi katedrën e tij të Mendimit Shqiptar dhe të gazetarisë në faqet e gazetave dhe revistën e tij “Përpjekja Shqiptare”, që u bë më e famshme kohës së bashku me simotrën e saj “Hylli i Dritës”, por mund të shtoj me siguri të plotë, e paarritshme edhe për kohën e sotme.

Sot nuk ka një shkollë me emrin e Branko Merxhanit për fat të keq, as një titull krijues (çmim letrar ose filozofik), megjithëse ka qenë mendimtari i natyrës filozofike dhe sociologjike që në formulat e tij të neoshqiptarizmës zhvilloi idetë e rilindasve për arsimin shqiptar, sidomos idetë pedagogjike dhe psikologjike, dhe këtë e bëri duke u mbështetur te pedagogjia moderne të cilën e njihte mirë. Merxhani nuk ka akoma një dekoratë, megjithëse në Shqipëri janë dekoruar gjithfarë lloj njerëzish.

Kush e meriton më shumë dekoratën më të lartë që jep shteti shqiptar, atë të Flamurit Kombëtar se ky intelektual, i cili u kthye nga Stambolli në atdhe te rrënjët e tij pas diplomimit në universitetet perëndimore, në një kohë kur vendi kishte shumë pak të diplomuar të tillë, dhe punoi për t’i vënë dijet e tij në shërbim të vendit të tij. Në vendin tonë janë dekoruar shumë njerëz, që e meritojnë dhe nuk e meritojnë. Por askush nuk është kujtuar për Branko Merxhanin. E kush do të përfitonte prej këtij nderimi (sepse ai fizikisht nuk jeton dhe nuk kërkon gjë), përveçse plejadës së mendimtarëve të viteve ’30, ku ai ishte një përfaqësues simbol. Ata u dënuan, u ndaluan, u përgojuan, u censuruan, u kthyen në gogol prej regjimit dhe mirënjohja për ta nuk do ishte gjë tjetër veçse shprehje rivlerësimi dhe rehabilitimi prej institucioneve më të larta të shtetit shqiptar.

I bëj thirrje Presidentit Meta që ta shlyejë këtë detyrim që i kemi Merxhanit dhe brezit të tij. Si studiues dhe botues i Merxhanit dhe pothuaj i një pjese shumë të madhe të mendimit shqiptar, sidomos atij të ndaluar, unë e quaj këtë lobim publik për dekorimin e tij, si pjesë të punës sime për nxjerrjen në pah dhe vënien në vend meritor të veprës së tij, punë që është akoma në vazhdimin e saj, se Merxhani si edhe mjaft të tjerë nuk kanë gjetur vendin që meritojnë në bibliotekat e shkollave tona dhe as në tekstet mësimore.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Nuk është Saimiri, është Edi Rama

Nga Armand Shkullaku Një “dru të shtrembër në mesin tonë” e ka...
Read More