Një Orientim për Maturantët!

“Kur mendja dhe pasioni hahen në një trup të brishtë, në dhjetë herë, nëntë herë fiton patjetër pasioni”, U. Shekspir

Nga Eskja Vero*

E kur Uilliam Shekspir, arriti të nxjerrë këto fjalë të vyera nga shpirti dhe zemra e tij, sigurisht që frymëzim për të u bënë e gjithë plejada e veprave të mrekullueshme që ai shkroi, të cilat hynë në historinë e letërsisë botërore e që i dhanë atij famën e shkrimtarit më të madh të të gjitha kohërave. Pasioni i tij ishte të shkruarit, e kur shkruante pasioni i tij merrte një emër, përmbushej, realizohej në dëshirën për krijimtarinë.

Në fakt në realitet ekziston një marrëdhënie midis zgjedhjeve racionale që bëjmë në mendjen tonë të cilat gjithmonë përplasen fuqishëm me dëshirat, talentin, pasionin që ne e kuptojmë ose e shfaqim instinktivisht përgjatë gjithë jetës. Njeriu vendoset përherë përballë zgjedhjeve të dyfishta, ku njëra është gjithmonë objektivja, e kapshmja, ajo që mund ta arrijmë me mund dhe vullnet të hekurt, dhe e dyta është subjektivja e cila fshihet thellë brenda nesh, e në të vërtetë përbën unin tonë, qenien tonë, atë që vërtet ne jemi. I tillë është edhe profesioni që ne zgjedhim për të realizuar në të ardhmen.

Më kujtohet fare mirë vetvetja, kur ashtu siç do vit fillojnë dhe rifillojnë zgjedhjet e maturantëve mbi universitetin dhe degën e preferuar. Çdo maturant pyetjen e parë që shtron në mendjen e tij është: Ku do të shkoj dhe cila është dega që do të zgjedh e që do të më përfaqësojë denjësisht në të ardhmen që dua të ndërtoj? A është kjo degë objektivi im për një karrierë të suksesshme në të ardhmen apo më mirë është që të zgjedh atë që kam më shumë pasion, atë që shpreh talentin tim? Më saktë a është ky universiteti dhe dega që dua? Për t’ju dhënë maturantëve një guidë lehtësuese, do t’ju shpjegoj shkurtimisht itinerarin që unë ndoqa në fazën e hyrjes për në universitet. Së pari, i mirëkuptoj të gjithë ata maturantë që në mendjen e tyre ndeshin një mori të plotë mendimesh, ankthi, konfuziteti mbi zgjedhjet që i vendosen përpara. Ata duhet ta kuptojnë që një investim i menduar mirë te vetja e tyre,  do t’i garantojë me patjetër një të ardhme më të sigurt. E para gjë që pyeta në rrethe familjare e shoqërore, ishte se cili universitet mund të më siguronte një mësimdhënie sa më eficiente dhe cilësore me një staf të mirëpërgatitur, me kushte të mira studimore? Opinionet e ndryshme dhe eksperiencat e njerëzve që mora, të cilët sot janë pjesë e institucioneve publike dhe private brenda dhe jashtë vendit, më sugjeruan Universitetin Europian të Tiranës. Nuk synoj të bëj marketing në këtë pikë, por mund të rrëfej realitetin. Dhe ajo që vërtet kuptoj janë fjalët e atyre miqve dhe shokëve të cilët me rezultatet e tyre të shkëlqyera, sot, realisht janë pjesë e bordeve dhe tregut të punës. Në UET nuk ka perfeksion, atë e bën vetëm ti, në marrëdhëniet që ndërton me të tjerët, me mundin, talentin dhe rezultatet që nxjerr. E mira buron vetëm nga ti, nëse vërtet kërkon të realizosh vetveten, nëse përpiqesh, nëse shprehesh dhe tenton. Dhe kështu zgjodha UET, mirëpo seriozitetin e lartpërmendur e kuptova që në ditën e parë të vizitës, i cili përkonte me pragun e zgjedhjes time përfundimtare. Në hollin e universitetit kishte pafund prindër e studentë të shqetësuar mbi fatin e fëmijëve të tyre, ashtu siç ndihesha edhe unë. Të zgjedhësh një degë e cila gjithmonë qëndron në përplasjen e objektives dhe pasionit, në një moshë fare të re, në fakt është shumë e vështirë, dhe i mirëkuptoj studentët shumë mirë. Por unë gjeta pedagogë që më ofruan një konsulencë apo siç njihet këshillim karriere, i cili dukej se nuk vinte nga imazhi i një profesori që kisha përballë, por si i një prindi, miku, shoku, i cili të dëgjon dhe këshillon më të mirën për ty dhe kështu ka ndodhur në të gjithë hapat e studimit tim akademik.

Pasioni im ishte mësimdhënia dhe këtë doja ta realizoja në mënyrën më eficiente dhe seriozitetin më maksimal që një studiues, pedagog i ardhshëm i Shkencave të Edukimit duhet të mbartë. Gjithashtu, më kujtohet fare mirë kur për të zgjedhur atë “të ardhmen e sigurt”, shpeshherë mendoja të ndiqja degën e Farmacisë ose të Stomatologjisë, e në minutën e fundit hoqa dorë prej tyre. Sepse instinkti i brendshëm më largonte nga pasioni im dhe më vendoste në imagjinatë brenda katër mureve të cilat nuk do t’i kisha dashur kurrë asnjëherë. Ndërsa ideja e mësimdhënies, përherë më fuste në një botë virtuale në ndërveprim interaktiv, stimulues, energjik me studentët e mi. Mirëpo, në Bachelor ende nuk ishte hapur një program studimi për të nxjerrë pedagogun, mësuesin e ardhshëm, sepse fatkeqësisht studentët nuk e zgjedhin, sepse kjo për faj të mosdhënies prioritet nga politikat arsimore ndër vite në këtë drejtim por unë besoj që së shpejti ky fenomen do të ndryshojë. Kështu zgjodha degën e Sociologjisë, si një mundësi për të ndjekur më pas atë që doja, Masterin Shkencor në Shkencat e Edukimit e që do të ishte një portë e hapur për mua në fushën e mësimdhënies.

Dhe kuptova çfarë? Sociologjia ishte gjithçka. E thënë në mënyrën më të thjeshtëzuar, sociologjia ishte një shkencë gjeneruese formimi, dhe një “trampolinë e sigurt”, për t’u specializuar më pas, në atë degë që me kalimin e viteve kuptojmë se e kemi pjesë të pasionit tonë. Sociologjia është “nënë” e të gjitha shkencave të tjera shoqërore. Ajo shërben si një disiplinë integruese për studimin e sjelljes njerëzore dhe të jetës shoqërore. Sot, sociologjia është një shkencë e cila ka influencuar shumë fusha të ndryshme të shkencave shoqërore dhe në shumë raste ajo ka ndihmuar në reformimin e tyre. Prandaj është e qartë, se të gjitha shkencat e tjera shoqërore, si shkencat politike, ekonomike, juridike, marrëdhënieve ndërkombëtare – diplomaci, antropologjia, psikologji, shkencat e edukimit, janë të lidhura ngushtë me sociologjinë. Çdo student i regjistruar në një nga programet që ofron UET, do ta ketë me patjetër lëndën e Hyrjes në Sociologji, bazike të detyrueshme në studimet e tyre.

Për t’ju orientuar maturantë, do të rendis se si i shërben një formim sociologjik në Bachelor, shkencave të tjera, të cilat mund të jenë më pas studime të niveleve më të larta të formimit tuaj qoftë Master Profesional, Shkencor, Doktoraturë etj.

Së pari, Sociologjia ndërton një marrëdhënie të përsosur me shkencat politike. Në shumë raste dijetarë të ndryshëm nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë dallim mes dy disiplinave. Shkenca politike është një shkencë e shtetit dhe qeverisjes. Një student i sociologjisë i cili ka studiuar mirëfilli grupet shoqërore, institucionet sociale, mund të profilizohet lehtësisht më pas, në studimin e pushtetit, proceseve politike, sistemeve politike, llojet e qeverisjes, marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai mund të merret me grupet sociale të organizuara nën studimin e shtetit.

Së dyti, një sociologji në Bachelor, mund të të çojë në studimin e jurisprudencës, të studimeve mbi të drejtën, shkencave ligjore.  Këtu studentët bëjnë përpjekje për të kuptuar më mirë se si funksionojnë morali, parimet, besimet, institucionet e së drejtës dhe të shoqërisë dhe marrëdhënies që ata ndërtojnë për të qenë funksionalë.

Së treti, sociologjia mund të ndihmojë për t’u degëzuar në shkencat ekonomike. Ekziston një lidhje e ngushtë mes këtyre të dyjave sepse marrëdhëniet shoqërore ndikohen edhe nga marrëdhëniet ekonomike. Aktivitetet ekonomike në një masë të madhe janë aktivitete sociale. Prandaj të dyja janë të lidhura reciprokisht. Ekonomia studion aktivitetet e njeriut siç janë prodhimi, konsumi, shpërndarja, shkëmbimi, analizon strukturën dhe funksionet organizatore si bankat, tregjet. Por duke qenë se ajo kërkon të studiojë edhe nevojat materiale të njeriut, mirëqenien e tij i nevojitet patjetër dija sociologjike. Madje shumë autorë thonë se ekonomia në fakt është një degë e sociologjisë. Dhe unë i përbashkohem realisht këtij mendimi. Një formim sociologjik, më ndihmoi të kuptoj dhe studioj shumë aspekte të jetës profesionale të mësimdhënies. Klasa përbën për pedagogun, mësuesin, një multietnitet karakteresh, personalitetesh me prejardhje dhe diversitete të ndryshme kulturore. Sociologjia vazhdon të më japë shtysën e duhur për të zgjeruar njohuritë edhe më shumë në këtë profesion.

Së katërti, sociologjia është një shkencë e fenomeneve sociale dhe marrëdhënieve shoqërore, është një shkencë e sjelljes  kolektive. Studion sjelljen njerëzore në grupe, prandaj ajo mund t’ju ndihmojë të studioni psikologjinë, antropologjinë si degëzime të shkencës për njeriun. Psikologjia është një shkencë e mendjes dhe procesve mendore. Ajo analizon qëndrimet, emocionet, perceptimin, procesin e të mësuarit dhe vlerat e individëve në procesin e formimit të personalitetit në shoqëri. Sot në programe studimi ka një ndërthurje të të dyja shkencave në lëndë si Psikologjia Sociale. Kështu në mënyrë të ngjashme dhe relativizuese psikologjia dhe sociologjia varen te njëra–tjetra për të kuptuar veten. Ndërsa mendja dhe personaliteti njerëzor po ndikohen nga mjedisi, kultura, zakonet dhe traditat shoqërore, ajo merr ndihmën e sociologjisë për ta kuptuar këtë. E njëjta gjë ndodh edhe me shkencën e antropologjisë. Antropologjia merret me studimin e zhvillimeve biologjike dhe kulturore të njeriut. Ajo degëzohet në studimet arkeologjike kulturore, antropologjike sociale dhe antropologjike fizike. Kështu përpos studimit të periudhave të hershme të ekzistencës njerëzore, origjinës, përhapjes, evoluimit të kulturës, antropologjia sociale merret me sjelljen e njeriut në institucionet sociale duke njohur historinë e kulturave primitive dhe moderne të zhvillimit njerëzor.

Ndaj ju them të gjithë juve maturantë të zgjidhni degën e Sociologjisë, nëse ende nuk e keni gjetur pasionin brenda vetes tuaj pasi mund të kërkojë kohë dhe të shfaqet me kalimin e viteve. Sociologjia do t’ju pajisë me një botëkuptim të gjithanshëm dhe si një ndër shkencat ndërdisiplinore do t’ju orientojë lehtësisht më së miri, në specializime të tjera të mëvonshme.

*Asistent – Pedagoge, Shkencat e Edukimit, UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Libër apo Facebook? 10 autorë shqiptarë, nga erosi tek mitet urbane

Ja librat që sugjerojnë botuesit për lexuesit në stinën e verës; ndoshta...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *