“Një president”, deklarata e Ramës nxit Serbinë: Të shpallet “non grata”

Dadiç: Rama e tha troç! Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë një shtet me një president, një politikë të jashtme dhe një politikë sigurie dhe askush nuk e kritikon atë. KE: Deklarata që mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje, nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes fqinjëve. Baton Haxhiu: U keqkuptua

Në seancën e posaçme të Kuvendit të Kosovës, me rastin e kremtimit të 10-vjetorit të Pavarësisë, përballë një rreshti të improvizuar ku qëndronin Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, ish-kryeministri Sali Berisha, senatori amerikan, Eliot Engel, kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama lëshoi një deklaratë polemizuese gjatë fjalës së tij. ”…Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë…”, -tha Rama, dy ditë më parë. Ai e pranoi në fjalën e tij se, “ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales”, por historia, sipas tij, “na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet”. Deklarata e Ramës pati jehonë në mediat kosovare, por jo aq nga faktori politik andej.

E kundërta ka ndodhur me zërat politik në Serbi. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç thotë se ndihet i habitur nga qëndrimi i Brukselit. “Rama e tha troç! Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë një shtet me një president, një politikë të jashtme dhe një politikë sigurie dhe askush nuk e kritikon atë”, u shpreh ai për Tanjug. Daçiç hoqi një paralele me Republikën Serbe në Bosnjë. “Çfarë duhet të bëjmë ne? Të themi edhe ne që me Republikën Serpska duhet të ketë vetëm një president, një politikë të jashtme dhe një politikë sigurie?”, shtoi kryediplomati serb. Sipas Daçiç, Serbia po u qëndron larg provokimeve, por sërish merr koston e padrejtë të kritikës nga BE. “Dhe le të dalë dikush e të thotë se nuk ka standarde të dyfishta këtu”, shtoi ai. Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin dënoi gjithashtu atë që e cilësoi si përpjekje të Ramës për të krijuar Shqipërinë e Madhe, ndërsa kryetari i Partisë Popullore të Serbisë Nenad Popoviç kërkoi që Serbia ta shpallë “non grata” Edi Ramën për këto deklarata. “Këtë e njohim si kërcënim të rrezikshëm që Shqipëria në të ardhmen planifikon ta aneksojë Kosovën, e cila me Kushtetutën tonë është pjesë e Serbisë”, citohet Popoviç nga mediat serbe.

Për vetë përmbajtjen e saj, klasa politike kosovare është treguar e rezervuar.

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, përmes një postimi në Facebook, shkruan se një deklaratë e tillë e dëmton Kosovën. “Seancë me një zbulim të madh për ‘President të përbashkët’ fjalë sa për të thënë, por e papranueshme, e rrezikshme, e dëmshme për Kosovën, integrimin tonë euro-atlantik”, shkruan ai. Ndërsa analisti nga Kosova, Imer Mushkolaj, tha për BIRN se Kryeministri i Shqipërisë synonte të tërhiqte vëmendjen politike. Sipas tij, “Rama e di se propozimi është i pamundur të realizohet”.

Por analisti Baton Haxhiu komentoi dje se deklarata e Kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Kosovës, është nxjerrë nga konteksti. “I gjithë ky spektakël është nxjerrë jashtë kontekstit. Edi Rama ka patur një fjalim prej 9 minutash që ka ndërtuar me imagjinatë, sipas tij, se si do të duhet të ishin marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë në dekadën e ardhshme”, -tha ai në një lidhje telefonike të drejtpërdrejtë për Top Channel. Baton Haxhiu thotë se reagimi, më shumë sesa për deklaratën lidhet me politikën për të kundërshtuar Edi Ramën. “Reagimi është politik dhe konteksti është për të kundërshtuar Edi Ramën me fjalinë, por jo fjalimin. Është marrë fjalia për një President të përbashkët, duke anashkaluar 10 minutat e tjera që flet për dialogun, rajonin dhe marrëdhëniet Serbi-Kosovë”, shton ai.

Por ndryshe e interpreton Komisioni Europian. “Deklarata që mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje, nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes fqinjëve”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Punëve të Jashtme dhe Sigurisë në BE, Catherine Ray.

Nuk vonoi mbështetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim për këtë qëndrim. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, reagoi përmes një statusi në Facebook mbi deklaratën e Ramës në seancën solemne të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Vasili mbështeti qëndrimin e Komisionit Europian, duke thumbuar ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, që sipas tij duhet të kishte reaguar. “…Kryeministri këput njërën idiotësi pas tjetrës, që publiku të heqë vëmendjen nga plagët e thella të shoqërisë shqiptare. BE në Bruksel reagoi për idiotësinë e kryeministrit për ‘presidentin kooperativist të shumë shteteve’, ndonëse në fakt është kohë e humbur të merresh me të. Çudi e madhe kjo BE në Tiranë. Ndërsa flet edhe në mes të natës për punë që nuk i përkasin fare hesht e bën piknik kur duhet të flasë. Shyqyr që është Brukseli të paktën….se këta të BE në Tiranë janë më të rëndësishëm dhe nuk kanë kohë…”, komenton Vasili në Facebook.

Ndryshe nga Vasili, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nuk përcolli një reagim të posaçëm për këtë çështje, por i pyetur nga media, pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, ai ka dhënë një përgjigje po aq të diskutueshme, kur është shprehur se vendit nuk i nevojitet një hajdut më shumë në politikë. Basha e cilësoi qëndrimin e Ramës thjesht një shashkë.

“…Të gjithë i dimë problemet me patatet që kalben në kufi, të gjithë i dimë problemet e mos integrimit të dy ekonomive tona. Ndaj ajo që nuk na duhet është një politikan më shumë që ka potencialin të jetë një zuzar më shumë po na duhen zgjidhje që funksionojnë për qytetarët”, -tha Basha. Nuk mungoi as reagimi Patozit i nxitur në fakt nga përgjigja e kreut të opozitës. “…Kosova dhe Shqipëria nuk paskan nevojë për një hajdut më shumë, ndaj edhe idea e Edi Ramës për një president të përbashkët nuk paska vlerë. Kështu paska thënë sot (dje) me plot gojën Lulzim Basha. Pyetja është se kush janë hajdutët e momentit dhe këtu nuk ka shumë vend për dilema. Pasi të dy shtetet shqiptare kanë vetëm nga një president, aktualisht. Por më e rëndë se kjo qenka mllefi i Lulzimit për ‘klasën politike’ shqiptare të këtej dhe andej kufirit. A thua se ka zbritur në Shqipëri sot dhe nuk ka qenë asnjë ditë ministër, kryetar bashkie apo udhëheqës i opozitës. Edhe mua ma shpif kjo gjoja shpikja e Edi Ramës për president të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës, por kurrësesi për arsyen idjote të Lulzim Bashës. I cili fiton më shumë kur nuk flet apo shkon me pushime jashtë shtetit çdo fundjavë, sesa kur shprehet apo kur bën sikur e ka seriozisht aksionin politik”, shkruan Patozi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zef Skiro di Maxho: Nëpër udhat e parajsit shqipëtar dhe t’arbëresh

Ndëpër udhërat e parrajsit shqipëtar dhe t’arbëresh, Zef  Skiro di Maxho sjell...
Read More