Një protestë më se normale

Nga Ervis Iljazaj

Si protesta e Partisë Demokratike e zhvilluar të shtunën që kaloi, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” përgjatë tranzicionit ka parë shumë. Mund të jenë me qindra. Dhe të gjitha pak a shumë për të njëjtën arsye. Konfliktualiteti i përhershëm politik që ka karakterizuar 27 vite politikën shqiptare.

Në këtë kuptim, edhe ajo e së shtunës nuk ndryshonte aspak nga ato të kaluarat. Çdo gjë brenda normalitetit anormal të politikës sonë.

Me gjithë tentativën për ta paraqitur si madhështore, historike apo referendum popullor, asgjë të re nuk solli kjo protestë për zhvillimet politike aktuale. Situata është njësoj si më parë. Palët ngelen të rreshtuara në pozicionet e tyre fillestare në pritje të amerikanëve. Ndoshta, ky ishte dhe qëllimi i vërtetë i kësaj protestë. T’i tregojë mikut tonë amerikan që pritet të vijë sot, se qëndrimet e opozitës të kritikuara nga të gjitha institucionet ndërkombëtare deri më tani, nuk janë thjesht të një grupi njerëzish që udhëheqin partinë, por ato mbështeten nga masa e madhe popullore.

Këtu fillon dhe pjesa më qesharake e luftës së numrave për pjesëmarrjen në protestë. Ishin 600 mijë. 1 milion apo 50 mijë?! Sado që të ishte numri i pjesëmarrësve në atë protestë, një gjë është e sigurt. “Republikën e re” nuk e krijoi dot. Jo për shkak të numrit të pjesëmarrësve, por për faktin se është një nocion absurd që nuk qëndron as në qiell e as në tokë. Koncepti i Republikës është një dhe i vetëm. Nuk ekziston një Republikë e vjetër apo një e re, që nga koha e Res Publicas romake kur u krijua. Andaj, më mirë është të mendojmë të shpëtojmë Republikën si një dhe të vetme, e të harrojmë sa më shpejt përrallat me krijimin e Republikës së re apo njeriut të ri. Një Republikë e cila duhet të kthehet brenda normalitetit të funksionimit të institucioneve thelbësore të saj. Institucione të cilat kjo opozitë prej muajsh të tërë nuk i njeh edhe pse janë të legjitimuara nga votat e lira të popullit.

Edhe pse Kryetari i Opozitës gjatë fjalimit të tij, mundohej t’i jepte nuanca qiellore protestës duke nxitur njerëzit të shikoheshin në sy me njëri-tjetrin apo me thirrje nga Zoti, protesta ngeli tokësore. Si shumë të tjera të zhvilluara në këtë vend.

Protesta e Partisë Demokratike ishte një protestë e mbushur më anëtarët e saj të ardhur nga gjithë Shqipëria. Edhe sikur të gjithë ata anëtarë të kishin ardhur familjarisht nuk do ta arrinin kurrë shifrën 600 mijë. Pra, një tubim politik, pavarësisht tentativës për ta parë si një revolucion demokratik.

Megjithatë, nuk është ky thelbi i diskutimit në atë protestë. Partia Demokratike ka të gjithë të drejtën e saj për të protestuar sa herë që e mendon të udhës. Ajo që është e sigurt dhe që doli në pah nga ajo është fakti se PD nuk ka forcën politike dhe mbështetjen popullore të krijojë e vetme një sistem të ri për shumë arsye. Andaj, rruga e saj e vetme është të jetë pjesë e këtij sistemi apo të mbetet jashtë tij. Sigurisht që alternativa e parë është rruga më e mirë për të gjithë. Deri më tani ka ngritur një kauzë që është thelbësore për demokracinë e vendit, por me rrugë dhe mjete totalisht të gabuara që vënë në dyshim vërtetësinë e saj.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Trashëgimia versus kujtesa

Dita e sotme për monumentet shënon një datë kujtesë dhe sensibilizimi. Dje,...
Read More