Një restorant në Bruklin ofron trajnime për refugjatët

Shtetet e Bashkuara pranuan afër 100,000 refugjatë dhe azilantë në vend gjatë vitit të fundit fiskal. Krahasuar me emigrantët e tjerë, refugjatët dhe azilantët shpesh kanë nevojë për më shumë ndihmë për një fillim të ri në vend. Në Bruklin të Nju Jorkut një restorant po i ndihmon ata në një mënyrë shumë praktike.

“Emma’s Torch” është një restorant lokal që ndodhet në lagjen Red Hook në Brooklyn të Nju Jorkut. Në fundjavë, restoranti ofron ushqime popullore të mëngjesit.

Ndërsa shumë restorante në Brooklyn ofrojnë menu të ngjashme, në restorantin “Emma’s Torch” ushqimi përgatitet nga refugjatët dhe të mbijetuarit e trafikimit njerëzor.

“Nuk ka shumë mundësi punësimi për njerëzit që sapo vijnë në këtë vend, por ka shumë mënyra që ne mund të përdorim për të thelluar njohuritë e tyre, përvojën dhe kulturën nga të cilat do të mund të përfitonte kjo shoqëri. Prandaj më lindi kjo ide: çfarë është më universale sesa ushqimi?”, thotë Kerry Broodie, pronare e restorantit “Emma’s Torch”.

Claudine dikur ishte aktiviste për të drejtat e grave në Burkina Faso dhe mori azil politik në Shtetet e Bashkuara në vitin 2014. Ajo hyri në programin e trajnimit përmes një grupi ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit.

“Është si një familje e mirë. Ata na mësojnë shumë mirë. Nëse nuk kuptojmë diçka, ata mundohen që të na i shpjegojnë gjërat me kujdes për të na mësuar mirë”.

Trajnimi bëhet në ditën e premte dhe të dielën. Për 8 javë, pjesëmarrësit marrin pjesë në të gjitha aspektet e përgatitjes së ushqimit sipas udhëzimeve të një kuzhinieri profesionist.

“Jam e vetëdijshme për të gjitha dallimet kulturore dhe të gjitha ato që kanë kaluar për të ardhur këtu. Është e rëndësishme dhe e kam në mendje këtë aspekt të jetës së tyre kur iu jap urdhra në kuzhinë gjatë gatimit. Pra, ekziston një ekuilibër real midis kësaj përpjekjeje për t’u treguar i njerëzishëm dhe kërkesës për të përmbushur porosinë e konsumatorit”.

Brenda katër muajve të fundit, tetë pjesëmarrës janë diplomuar nga programi dhe dy prej tyre kanë gjetur punë me orar të plotë në restorante cilësore në qytet.

“Të diplomuarit tanë të parë jo vetëm që po i tejkalojnë pritshmëritë tona, por ata po përparojnë në vendet e tyre të reja të punës dhe po ndërtojnë një jetë të re këtu. Ne jemi të kënaqur dhe kuriozë mbi hapat e tyre të ardhshëm”, thotë Kerry Broodie, pronare e restorantit “Emma’s Torch”.

Zonja Brodie shpreson ta zhvendosë restorantin në një lokal më të madh dhe ndoshta do të hapë restorante të ngjashme në Nju Jork ose në qytete të tjera. Ajo gjithashtu është duke bërë plane për të trajnuar së paku 50 refugjatë gjatë vitit të ardhshëm.

Claudine do ta përfundojë programin pas një jave. Ajo ka plane për të ardhmen.

“Dua të punoj në një restorant të madh që shërben kuzhinë amerikane ose afrikane,” thotë ajo.

Shkruar Nga
More from Revista User

Merkel kërkon reduktim të ndihmës financiare ndaj Turqisë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka bërë thirrje për të zvogëluar ndihmën financiare...
Read More