Një shkollë për letërsinë, pa t’u mërzitur…

Nga Iva Tiço

Në më shumë sesa një libër (mos gaboj) Ismail Kadare rrëfen sesi gjatë viteve të studimit në Institutin Gorki, në Moskë, ku duhej të studionte për t’u bërë shkrimtar, ajo shkollë me pedagogët dhe mënyrat e tyre démodé, nisi t’i zvjerdhte pasionin për letërsinë dhe dëshirën për të shkruar… Më kujtohet shkarazi ky rrëfim, teksa në një ceremoni në hollin e UET, inaugurohen degët e reja të departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit dhe njoftohet dhënia e bursave, që mbajnë pikërisht emrin “Ismail Kadare”.

Përkimi më bëhet edhe më i çuditshëm teksa dëgjoj fjalimet shpjeguese dhe më pas lexoj programin e lëndëve të vitit të parë të degës së letërsisë: nëse në vend të programit të dikurshëm që kam bërë në fakultet, do të kisha pasur mundësinë të ndiqja një program të tillë, as mua në ato vite me siguri nuk do më ishte zvjerdhur fare letërsia dhe tashmë njëzet vite më pas nuk do të kisha ende këtë ndjesinë që me gjithë diplomën (që nuk ma kanë kërkuar kurrë, në asnjë nga punët) të ndihem krejtësisht e pashkolluar dhe thjesht “e bërë vetë”.

Studimi për letërsi në njëfarë mënyre ishte një lloj destini i përcaktuar në familjen time. Pas mbarimit të gjimnazit pothuajse nuk u diskutua fare: gjatë muajve të verës lexova një kapicë me libra të rekomanduar, kryesisht autorë shqiptarë, dhe u futa në një kurs intensiv të gjuhës shqipe, për të rikuperuar katër vitet e gjimnazit, ku gjuha shqipe nuk studiohej (një nga budallalliqet më të mëdha të sistemit tonë arsimor, që i ka dhënë frutet duke e bërë gjuhën shqipe të shkruar mirë e pa gabime një pasuri të fare pak njerëzve).

Siç do të dilte më vonë, konkursi ishte shumë më i vështirë sesa shkolla, në gjashtë konkurrentë fitonte një dhe pikët të uleshin edhe nga mesatarja e gjimnazit, ku punët mund të t’i prishte dhe Dituria e Makinave apo Kimia… Nga frika e mbetjes pa shkollë të lartë, ajo verë mund të ketë qenë e vetmja që kam mësuar seriozisht: katër vitet e fakultetit të gjitha bashkë kishin shumë më pak ngarkesë sesa ajo verë e ’94-ës. Konkursi nuk kishte asnjë pyetje nga gjuha (na sqaruan që vlente dhjetë pikë drejtshkrimi) dhe më vonë ne të “Letërsisë” do të zbulonim që e gjithë shkolla nuk kishte dhe aq mësime gjuhe dhe kishte shumë shumë pak nga ato lëndët që duhej të na bënin “specialistë letërsie”.

Ato që do të duhej të ishin baza e shkollës, analizat e tekstit, letërsia e krahasuar, teknikat e të shkruarit, etj., në shumicën e rasteve ishin lëndë semestrale që trajtoheshin të dorës së dytë dhe madje edhe thjesht leksione e vlerësim me firmë e jo me notë në fund (në atë kohë leksionet ishin fakultative, pra mund të mos shkoje kurrën e kurrës).

Në vend të lëndëve të “zanatit”, për muaj me radhë studiohej Naim Frashëri, që edhe vetë pedagogu nuk e kishte me ndonjë qejf të madh, apo analizohej letërsia e huaj e shekullit të nëntëmbëdhjetë nga një tjetër pedagog, që e vlerësonte leximin e parathënieve më tepër sesa të veprave shumëvëllimëshe e që i ndante personazhet ende në pozitivë dhe negativë e acarohej në kulm po t’i përmendje analizën frojdike (ndjesë mos pastë aty ku është!), një ndarje orësh që barazonte letërsinë shqiptare me letërsinë e gjithë botës dhe ku emra si Mark Twain, Xhek London, Zhyl Vern, Virginia Woolf dhe shumë nga bashkëkohorët dhe gjithë shkrimtarët për fëmijë nuk përmendeshin në as edhe një rresht, jo më të studioheshin…

Në fund të një shkolle të tillë, diploma ishte shumë e thjeshtë për t’u marrë dhe bashkë me të dhe drejtimi: larg letërsisë ia vlen që ta lexosh, por kurrë mos ta studiosh në një shkollë shqiptare. Në këtë shembull kam mbledhur buzët për vite me radhë sa herë ndokush më ka pyetur nëse ia vlente të regjistrohej në Fakultetin e Letërsisë.

“Nuk ka ç‘të duhet, shko në ekonomik” ka qenë këshilla e përhershme. Dhe me aq sa kam pasur mundësi ta ndjek këto vite, me ç‘kam pyetur shumë gazetarë të rinj që vijojnë të diplomohen për letërsi, nuk është se kanë ndryshuar shumë gjëra. Fakulteti i letërsisë vijon të mbetet si një lloj shkolle e përgjithshme, ku mund të mësosh përciptazi shumë gjëra dhe në fund të mos kesh një ide të qartë se çfarë ke mbaruar, për çfarë je specializuar. E vetmja gjë që të mbetet nga një shkollë e tillë është ajo mania për të lexuar shpejt dhe për të parë dhe sa faqe të kanë mbetur, edhe nëse libri të pëlqen shumë, ose për t’i shkuar deri në fund një teksti edhe nëse nuk të pëlqen fare (letërsi e detyruar quhej një listë që jepej çdo vit dhe ishe i detyruar ta lexoje).

Respekt për të gjithë ato vajza që kam pasur në kurs e që kanë vijuar me ëndrrën e dikurshme të letërsisë e nuk u thyen nga ajo shkollë gjysmake në ato vite të mbrapshta: ndoshta njëlloj si në rastin e Kadaresë letërsia paska të atilla fuqi sa të mposhtë dhe mediokritetin e disa mësuesve… Shpresoj që sot të jetë ndryshe. Programi i lëndëve të reja në UET e premton këtë, veç lëndëve që i kanë munguar brezit tim, edhe ndarja në specializim që në fillim, me qëllim zgjedhjen e një profesioni për të punuar jo vetëm në mësuesi por edhe në trashëgiminë kulturore, gazetari, marrëdhënie me publikun…

Lëndët që pashë të afishuara m’u dukën një lajm i mirë, aq sa po të mos kisha atë ankthin që më kap kur kujtoj shkollën e që nuk dua t’ia rishtoj vetes, mund të kisha aplikuar për bursën “Kadare” në lëndën e letërsisë. Gjithsesi, për shkak të profesionit dhe njohjeve, nuk e përjashtoj mundësinë të frekuentoj ndonjë leksion… Për ne, brezin “e bërë vetë”, është një ndihmë më shumë.

/tiranapost.al/

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rita Ora shfaqet në Londër e veshur…çuditshëm!

  Ups! Rita Ora shfaqet në Londër e veshur si një… ‘top...
Read More