Një shoqëri civile që prodhon pushtet, asgjëson vetveten

Nga Arjan Çuri

Edhe pse termi shoqëri civile duket në vetvete si modern, ai është përdorur për herë të parë nga Aristoteli, në origjinal, koinōnía politikḗ, në veprën e tij Politika, ku ai shqyrton sjelljen e shoqërisë, brenda polis-it grek, të karakterizuar nga një tërësi normash dhe etikash, brenda të cilave qytetarët e lirë jetojnë me të drejta të barabarta, nën pushtetin e ligjit. Telos-i, apo qëllimi final i shoqërisë civile, ishte të siguronte mirëqenien e përbashkët të të gjithë anëtarëve të shoqërisë, tò eu zēn, duke ushtruar kontroll dhe presion mbi qeverisjen dhe pushtetin politik. Aristoteli nëse do të shikonte sot se kushtetuta e shqiptarëve do t’i kërkonte shoqërisë civile të prodhonte pushtet dhe qeverisje, duke propozuar tre anëtarë për KLGJ-në dhe tre të tjerë për KLP-në, do të hidhërohej pa masë për keqkuptimin që iu është bërë mësimeve të tij. Ai do të thoshte me plot gojën, se në këtë mënyrë synohet praktikisht shkatërrimi i saj në thelb.

Por jo vetëm Aristoteli, por edhe një sërë mendimtarësh të tjerë, që nga antikiteti, mesjeta e deri tek ata modernët nuk do të binin dakord me këtë koncept kushtetues që i kërkon shoqërisë civile, anëtarin e 11-të të dy institucioneve shumë të rëndësishme të pushtetit gjyqësor, pasi kontrollin dhe garantimin e pavarësisë së pushteteve, apo mirëfunksionimin e tyre, shoqëria civile duhet ta bëjë nga jashtë, dhe jo nga brenda. Pikërisht sepse shoqëria civile është joqeveritare, pra jopushtetare, dhe si pasojë e këtij arsyetimi ajo duhet të jetë edhe jogjyqësore dhe joprokurore. Përndryshe nuk do të ishte fare shoqëri civile, nëse bëhej pjesë e ushtrimit të një prej pushteteve të qeverisjes, siç është ai gjyqësor.

Shoqëria civile është parë gjerësisht si agregat i organizatave jo qeveritare, të cilat manifestojnë vullnetin dhe interesin e qytetarëve. Ajo përfshin në gjirin e saj sferën familjare dhe private, ndaj shumë mendimtarë të filozofisë politike i referohen asaj si sektori i tretë i shoqërisë, për ta dalluar atë nga realiteti qeveritar dhe ai i biznesit. Si e tillë, shoqëria civile, duhet të jetë shtyllë e dalluar prej dy të tjerave, çdo përpjekje për ta ngatërruar atë në qeveri dhe biznes e zhbën atë dhe rolin unik të saj. Prandaj organizatat me të cilat ajo përfaqësohet, shqetësohen gjatë gjithë kohës ta quajnë veten, si joqeveritare apo jofitimprurëse (OJQ dhe OJF).

Në mendimin perëndimor politik, termi shoqëri civile, u fut si përkthim i termit aristotelian, (lat. societas civilis) nga shkrimtarët e mesjetës së hershme dhe të vonë, si William i Moerbeke-ut dhe Leonardo Bruni, të cilët e lidhnin këtë nocion, me indin përbërës apo teksturën bazë të një republike (res publica). Termi ka një histori të gjatë, dhe u ringjall fortë kohët e fundit në Europën lindore, ku disidentë si Vaclav Havel, e huazuan atë, për t’i dhënë emfazë sferës së shoqatave civile, të cilat kërcënoheshin nga regjimet holistike etatiste, të Europës Lindore komuniste. Më konkretisht, literatura bazë që shpjegon lidhjet mes shoqërisë civile dhe shoqërisë politike demokratike, që janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, i ka rrënjët te mendimi klasik liberal, si ai i Alexis de Tocqueville. Idetë e tij u zhvilluan më vonë gjatë shekullit XX nga teoricienët Gabriel Almond dhe Sidney Verba, të cilët do ta shikonin rolin e shoqërisë civile në krijimin e një kulture demokratike, si vitale për një shoqëri. Akoma më vonë, Robert D. Putnam do të theksonte se edhe organizatat jopolitike, pra ato që përbëjnë shoqërinë civile janë shumë të rëndësishme në një demokraci, pasi ato krijojnë kapitalin social, që është gardiani i vlerave të besimit dhe moralit, vlera të cilat mund të transferohen në sferën politike, dhe që ndihmojnë për ta mbajtur një shoqëri të bashkuar, duke bërë të mundur mirëkuptimin dhe interaksionin e interesave të ndryshme brenda saj.

Ekziston edhe një linjë tjetër mendimtarësh që e shohin me dyshim shoqërinë civile dhe ushtrojnë kritikë të fortë ndaj saj dhe ndaj atyre që duan ta përdorin atë. Dyshime të forta hidhen se si sot, aktorë të shoqërisë civile kanë fituar pushtet të konsiderueshëm politik, edhe pa qenë të zgjedhur apo të emëruar nga askush, thjesht duke kontrolluar apo blerë hapësira të konsiderueshme brenda sferës së shoqërisë civile. Kritikat që vijnë nga forcat e opozitës PD dhe LSI, se shoqëria civile në Shqipëri është e kontrolluar, apo kontrollon partinë në pushtet, dhe se ajo me qëllim nuk po nxjerr gjashtë anëtarët e propozuar prej saj nuk janë thjesht akrobacira politike. Këto ide gjejnë mbështetjen edhe të Jai Sen-it, i cili argumenton se në epokën që jetojmë, shoqëria civile është një projekt neokolonial, i përdorur nga elitat globale, në përputhje me imponimin e interesave të tyre në shkallë botërore, edhe pse Partha Chatterjee e sheh shoqërinë civile si të limituar demografikisht vetëm në hemisferën veriore, aty ku interesat dhe përplasjet politiko-ekonomike janë më të mëdha.

Duket se debati për Kryeprokurorin është tashmë i ezauruar dhe palët i kanë dhënë të gjithë argumentet pro dhe kundër zgjedhjes së një të përkohshmi, prandaj nuk do t’i kthehem atij diskutimi. Por ajo që më bën më shumë përshtypje është që më shumë vihet theksi te fakti që ekziston një problem kushtetues, sesa te zgjidhja e këtij problemi. Nga ç’vihet re, ka gjasë që të gjitha palët të jenë të kënaqura nga ekzistenca e këtij problemi, aq sa të duket, sikur dikush ta kishte menduar më përpara që gjërat do të arrinin deri në këtë pikë, klasike për realitetin tonë shqiptar, prodhimin e krizave politike dhe institucionale, dhe shijimin deri në kockë të këtij realiteti absurd.

Para disa kohësh, në një shkrimin tim me titull, Asnjë ligj nuk mund të bllokojë vetveten, shprehja shqetësimin se një sërë pjesësh të ndryshimeve kushtetuese, që sanksionojnë vettingun dhe rikonceptimin e një sërë institucionesh kushtetuese, përfshirë prokurorinë, do të shkaktonin një kolaps kushtetues, duke vënë seriozisht në rrezik funksionimin e Republikës dhe kthimin e ligjit themeltar të shtetit në praktikisht të pazbatueshëm. Kjo gjë po ndodh me ngritjen e KLP-së, që është e bllokuar pikërisht sepse shoqëria civile, nuk po e propozon dot kandidatin e saj, pasi nuk po gjen një që t’i përmbushë kriteret e kërkuara në ligj.

Dhe më shumë sesa kaq, vetë Kushtetuta nuk parashikon asnjë penalitet për ata që nuk i binden urdhrave dhe afateve të saj, siç ishte ai i vendosur në mënyrë eksplicite prej 8 muajsh nga hyrja në fuqi e saj, afat brenda të cilit duhet të ishte ngritur edhe KLP-ja, edhe KLGJ-ja. Më shumë se kaq, ajo nuk parashikon se çfarë ndodh nëse shoqëria civile, siç me shumë gjasa po ndodh, nuk arrin dot të gjejë kurrë gjashtë anëtarë të saj, juristë me eksperiencë 15-vjeçare, kriter i cili ka hidhëruar edhe shumë kandidatë të tjerë për institucionet e reja të Reformës në Drejtësi.

Por më shumë sesa realiteti i parashtruar më sipër, paradoksi qëndron në një moment tjetër. Si ka mundësi që ligjvënësi të kërkojë në Kushtetutë përfshirjen e shoqërisë civile në prodhimin e pushtetit gjyqësor? Edhe pse kjo mund të jetë menduar si një valvul për të krijuar një drejtësi sa më të pavarur, fakti që i kërkohet shoqërisë civile që të përfshihet në krijimin e organeve qeverisëse dhe të ushtrimit të pushtetit, qoftë edhe të atij gjyqësor, e shkatërron atë në thelb, pasi shoqëria civile është konceptuar që të ekzistojë si opozicion i çdo lloj pushteti, është ajo që mbron interesat private të klasave të ndryshme shoqërore, në bazë të interesave që ato klasa përfaqësojnë.

Gjithë debati i ditëve të fundit, është shterpë dhe i pafrytshëm pasi qëndron vetëm te konstatimi i vakumit kushtetues, dhe kjo gjë tashmë nuk vihet më në dyshim. Sokrati, do të argumentonte se vetëm nëpërmjet dialektikës, si një formë e lartë e dialogut racional, ne mund të shkojmë te zgjidhja. Sipas tij, vetëm argumentet publike, nëpërmjet dialektikës, janë imperativi që siguron civilitetin në polis dhe jetën e mirë të popullit. Kjo është edhe natyra dhe roli i shoqërisë civile. Ajo duhet të ishte në krye të kësaj dialektike, por duket se është shumë e zënë për të vënë pjesën e saj të kontrollit në organet e drejtësisë.

Nga ana tjetër, duke përfituar nga ky vakum, palët politike janë vënë në llogore për t’i dhënë përgjigjen e merituar njëra-tjetrës, thua sikur do bëjnë luftën e fundit për kapjen e kështjellës së drejtësisë. Histori më qesharake dhe obskurantiste nuk gjen dot. Shoqëria politike dhe ajo civile që janë në konkurrencë me njëra-tjetrën për të kapur anëtarin e 11-të të KLP-së e KLGJ-së, që në rastin e votave të barabarta, do të ishte guri kyç që do të anonte balancën e vendimmarrjes. Shoqëria civile që është bërë më politike sesa shoqëria politike dhe ajo politike që po pret me durim civil shoqërinë civile që të prodhojë pjesën e saj të pushtetit. Paradoks që edhe Zenos-i i Eleas do ta kishte zili.

Në një komunikatë të tij, Komisioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile shpjegoi se e kishte tepër të vështirë gjetjen e anëtarëve të saj që plotësonin kriteret ligjore për KLP-në dhe KLGJ-në. Mezi kishte gjetur një, imagjinoni se çfarë i duhet të heqë dhe sa i duhet të vonohet për të gjetur edhe pesë të tjerët. Do të ishte më e ndershme që ky Komision ta shpallte të pamundur misionin e tij dhe t’i kërkonte ligjvënësit të ndryshonte Kushtetutën dhe t’ia hiqte barrën e përfaqësimit të saj në pushtetin gjyqësor, pasi kjo gjë do ta delegjitimonte shoqërinë civile në sytë e publikut.

Në një shikim të shpejtë që u hodhëm teoricienëve politikë që nga Aristoteli e deri te Marksi, mendimi është i përbashkët, shoqëria civile është oponente e pushtetit politik dhe qeverisjes dhe jo bashkushtruese e këtij pushteti. Hegeli, që do t’i jepte kuptimin modern, nocionit liberal të shoqërisë civile, do të theksonte në vijim të gjithë fijes ideologjike që lidh mendimtarët e përmendur në këtë shkrim se shoqëria civile është një formë e një shoqërie tregu, që i kundërvihet me forcë institucioneve të një shteti-komb modern. Çdo përfshirje e saj në këto institucione nuk do të kishte asnjë sens për vetë natyrën që ajo ka.

Me shumë mundësi edhe në thirrjen e radhës publike, e gjashta për nga herët, shoqëria civile nuk do të prodhojë dot përfaqësuesit që nevojiten për postin e 11-të të KLP-së e KLGJ-së. Prandaj, pasi t’i jetë dhënë edhe kjo mundësi e fundit, parlamenti duhet të mblidhet urgjentisht dhe ta zgjidhë këtë ngërç me ndryshim vendimtar kushtetues, ku ta çlirojë shoqërinë civile nga kjo barrë e vështirë për të, edhe pse po tregon që nuk i ka kapacitetet njerëzore, madje më keq akoma, po rrezikon të humbasë besueshmërinë e saj si kundërshtare e politikës, në sytë e publikut.

Forca politike që do të refuzonte ta bënte këtë gjë, pasi janë bërë një gjysmë duzine tentativash të dështuara nga shoqëria civile për të prodhuar përfaqësues, do të tregonte hapur se është kundër ecurisë normale të zbatimit të Reformës në Drejtësi, dhe do të hidhte hije të forta dyshimi edhe për kontrollin e shoqërisë civile, duke e shkatërruar atë në thelb. Nuk mund të pritet përjetësisht që shoqëria civile të bëjë diçka që as e ka në natyrë dhe që as i kërkohet prej vetë rolit që ajo ka.

Duhet që të fillojmë të gjithë të flasim për zgjidhje, politika, akademia dhe vetë shoqëria civile madje, të thotë me guxim që nuk e bën dot çka i kërkohet, nuk ka ndonjë turp të pranosh pamundësinë, ajo ka për ta treguar veten në sfera të tjera, aty ku i takon sipas natyrës që ka. Vetëm drejtimi i gishtit te problemi, nuk sjell asgjë. Dialektika jonë në këtë shkrim tentoi të shkonte përtej. Kushtetuta duhet ta çlirojë vetveten dhe shoqërinë civile nga çdo lloj bllokimi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Risku sipas Moody’s dhe politikat monetare e fiskale në 2018

Axhenda Liberale-8 Nga Besart Kadia Para pak ditësh në media u raportua...
Read More