Një shpjegim psikologjik se përse e duam komunizmin

Komentet e aktorit Enver Petrovci kanë risjellë në qendër të opinionit publik diskutimin se përse ka shumë njerëz që janë nostalgjikë për komunizmin. Një këndvështrim psikologjik mund të na ndihmojë t’i përgjigjemi kësaj pyetje

Nga Enton Palushi – Ka një shprehje që qarkullon gjerësisht në opinionin publik se kujtesa e një njeriu nis të zbehet pasi bën një fëmijë. Për neuroshkencëtarin kanadez Blake Richards, ky është një shembull brilant, që mbështet studimin e fundit të kryer nga ekipi i tij i Universitetit të Torontos. “E dashuroj këtë shembull. Nuk di nëse ka prova shkencore për këtë, por nëse gjithkush do e mbante mend mirë se si është të lindësh një fëmijë, dhe të gjithë e mbajmë mendn shumë mirë se si është të rrisësh një fëmijë- dhe e them këtë si dikush që ka një fëmijë- shumica prej nesh nuk do bënin më shumë se një fëmijë”. Studimi i fundit i Richards, që ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare, thotë se truri qëllimisht harron detajet e këqija, për t’u fokusuar tek ato më të mira. Ndryshe jeta nuk do ecte përpara.

***

Aktori i njohur, Enver Petrovci ka ringjallur edhe njëherë një debat që rri mbi kokat e shqiptarëve prej gati tre dekadash: Përse mendojmë se ishim më mirë në komunizëm, kur e dinim se kishim më shumë vuajtje? Petrovci ka kujtuar me nostalgji kohën kur jetonte dhe punonte në Beograd. Intervista e tij ka shkaktuar reagime nga më të ndryshmet, disa vazhdojnë të thonë se ai është filo-sllav, të tjerë thonë se jeta e tij mund të ketë qenë më e mirë në atë kohë. Fillimisht duhet sqaruar se është e mundur që jeta e Petrovcit të ketë qenë më e mirë gjatë komunizmit. Por meqë janë gjithmonë e më shumë njerëz që insistojnë se jetonim më mirë në komunizëm se tani në demokraci, atëherë ky është një problem që duhet trajtuar më në thellësi. Një sondazh i fundit i OSBE zbuloi para disa kohësh se numri i nostalgjikëve shqiptarë për komunizmin është gati-gati i pabesueshëm. Por përse ndodh kjo?

***

Eh, sa pak flitet për kujtesën! Flitet shumë për të, por tmerrësisht pak për memorien nga pikëpamja shkencore. Të gjithë mendojmë se aty brenda trurit kemi një si sirtar të mbushur plot me DVD, ku janë të listuara të gjitha kujtimet. Sa herë kemi nevojë, ‘nxjerrim’ një DVD prej aty, e shohim atë në imagjinatën tonë dhe mbaruam punë. Por jo, kujtesa jonë është kaq e komplikuar sa nuk të besohet. Të tjerët mund të fusin ‘duart’ aty, kujtesa jonë mund të jetë e ndotur. Pastaj vjen harresa. Sepse siç thotë Richards, truri ynë ka tendencën për të harruar. Përndryshe nëse nuk do harrojmë, ky do ishte një mallkim. Si Funesi, personazhi interesant i Borges-it.

***

Para disa ditësh, një video nisi të qarkullojë gjerësisht në median ndërkombëtare. Një ushtar i Koresë së Veriut dezertoi nga vendqëndrimi i tij dhe u nis me makinë drejt lirisë. Nga pas e ndoqën shokët e tij të armatosur, që qëlluan së paku pesë herë mbi trupin e tij. Ushtari komunist mbeti në zonën e demilitarizuar dhe u desh ndërhyrja e trupave të Koresë së Jugut që t’ia shpëtojnë jetën. Ai u operua, dhe ajo që habiti më shumë mjekët, ishte numri i parazitëve në trupin e tij, disa prej tyre deri 25 cm. Një portal simpatik shqiptar në FB shkruante se pas 20 vitesh, ky ushtar do krenohet se në komunizëm ishte më mirë, pasi atëherë kishte siguri, shëndetësi falas dhe arsim të mirë. Mund të duket si ironi, por ka gjasa që të ndodhë. Sepse siç thotë psikologu i njohur Kieran Setiya (një ekspert për krizat e mesomoshës- ndoshta Petrovci ka nevojë për këto këshilla), “shumë njerëz këto ditë nuk duan të jetojnë të tashmen, në një kohë krizash, pasigurie politike dhe frike”.

“E ardhmja nuk duket më e mirë, e eklipsuar nga frika e kërcënimit të avancimit teknologjik, papunësisë së shumëpërhapur dhe ndryshimeve katastrofike klimaterike. Nuk është çudi që disa janë të tunduar nga e kaluara e imagjinuar me nostalgji”.

***

Shpjegimin më të mirë se përse njerëzit bëhen nostalgjikë për komunizmin, edhe pse e dinë se kanë vuajtur më shumë, e jep në mënyrë brilante ai që njihet si psikologu më i mirë i gjallë, nobelisti Daniel Kahneman. Teoria e tij e “pikut/fundit” na sjell një këndvështrim interesant.

“Vetja që mban kujtimet është një tregimtar. Kujtesa jonë tregon historitë. Më lejoni të tregoj një shembull. Bëhet fjalë për një studim të vjetër. Dy pacientë po i nënshtroheshin një procedure të dhimbshme. Nuk do jap shumë detaje. Nuk është më e dhimbshme këto ditë, por ishte e dhimbshme kur u bë procedura në vitet ’90”.

Pacienti A dhe pacienti B iu nënshtruan kolonoskopisë. Pacienti A pati një procedurë më të shkurtër, por pikun e dhimbjes e pati kur po i drejtohej fundit. Pacienti B e pati pikun e dhimbjes që në fillim, ndërkohë që procedura i zgjati më shumë. Tani pyetja që lind është se cili pacient vuajti më shumë? Ju do mendoni se pacienti B do ketë vuajtur më shumë, pasi iu nënshtrua më gjatë procedurës. Por gaboheni. Pacienti A tha se ka vuajtur më shumë. Arsyeja sipas profesor Kahneman është se ai pati një kujtim më të keq. Dhimbja më e madhe, pra piku, i ndodhi drejt fundit të procedurës. Pra njerëzit kanë tendencën që të fiksojnë pikun dhe fundin.

“Çfarë mësojmë nga kjo histori? Ajo që përcakton një histori janë ndryshimet, momentet domedhënëse dhe fundi. Fundi është shumë, shumë i rëndësishëm. Dhe në këtë rast, fundi dominoi”, thotë Kahneman.

Ndaj nëse mendoni se kujtimet e komunizmit kanë qenë më të ëmbla, thjesht gaboheni. Janë më të largëta. Dhe truri ynë ka tendencën të fiksojë dhimbjet më të fundit, ato që sapo na kanë ndodhur. Ndoshta ia vlen ta kujtoni këtë kur të ankoheni për gjërat e këqija që ju ndodhin. Tek e fundit, komunizmi nuk ishte i mirë, por ishte si ajo kolonoskopia e dhimbshme, që e ka pikun në fillim dhe vazhdimi duket njësoj…

Një shpjegim tjetër përse artistët nuk e duan kapitalizmin

Artistët janë përgjithësisht të majtë. “Schumpeter” i “The Economist” përllogarit se numri i artistëve të majtë është pesë herë më i madh se i atyre të djathtë. Por përse ndodh kështu? Në një libër të përkthyer së fundmi nga UET-Press me titull ‘Mentaliteti antikapitalist’, ekonomisti austriak Ludwig von Mises jep një përgjigje interesante.

Mises eksploron një seri këndvështrimesh për këtë çështje. Ai shpjegon se disa aspekte të tregut i kanë zhgënjyer edhe mbrojtësit e tij. Për shembull, a është e vërtetë që tregu nuk favorizon kulturën cilësore? Mises thotë se shijet e masës gjithmonë dhe kudo do jenë më të ulëta se ato të personave të edukuar dhe të kultivuar, që dashurojnë kulturën e lartë. Por ai thotë se lavdia e kapitalizmit është se sjell në çdo sektor atë që nevojitet, më shumë se çdo sistem tjetër. Po, do ketë më shumë gjëra jocilësore për intelektualët, por do ketë edhe më shumë punime cilësore. Është çështja se çfarë është e disponueshme: Në socializëm asgjë nuk është e disponueshme. Në kapitalizëm mundësitë për zgjedhje janë thuajse pa kufi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Disa ide interesante nga fushata ‘american style’ e Eduard Selamit

Nga Ervis Iljazaj Vërtet nuk është favorit në këtë garë, për shkak...
Read More