Një themelues në PD, Paloka: Firmën ia dhashë Edmond Budinës

Aktiv në lëvizjen e dhjetorit, pjesëmarrës në grevën e urisë shkurt 1991, gazetar i RD-së, anëtar i këshillit Kombëtar, deputet, anëtar i kryesisë dhe nënkryetar i PD-së. Është Edi Paloka, një ndër të paktit themelues që vazhdojnë të jenë në nivelet e larta të drejtimit në PD. Nuk e ka shumë për dëshirë t’i kthehet historisë së dhjetorit ‘90, jo se nuk ndihet krenar për atë kohë, por se mendon se është bërë pak e bezdisur që çdo dhjetor përsëritet e njëjta histori, dhe i druhet se po kthehet në një rutinë si ajo e veteranëve. Këtë hezitim e kanë shumë studentë dhjetori e aktivistë, por ka pak prej tyre që refuzojnë të flasin. Pas kërkesës për këtë intervistë dhe kësaj bisede për hezitimin e parë, Edi Paloka nis e rrëfen natyrshëm ditën e parë për të vazhduar më pas me detaje mjaft interesante që nisin më 9 dhjetor për të vazhduar me analizën e Partisë së Sotme demokratike, ku mungojnë themeluesit.

Nga Luljeta Progni

Revista Mapo

“Ishte data 9 dhjetor në mëngjes dhe po dilja nga shpia. Në lagje takova një nga shokët e mi nga ata me të cilët flisnim hapur. Më thotë se më duket ka plasur diçka në Qytetin Studenti se ka pasë zhurma mbrëmë. Unë që isha mosbesues i them po ça ka plasë ku bëhet gjë këtu. E kisha këtë mosbesim sepse kisha qenë në atë të famshmen protestën e heshtur të Tiranës më 28 janar, më pas ngjarja e ambasadave dhe u duk se u shuajt gjithçka dhe Shqipëria mbeti ashtu siç ishte. Në një farë mënyre kishim filluar ta humbisnim shpresën.

Eca edhe pak dhe takova disa shokë të tjerë të cilët më thanë se edhe ata kishin dëgjuar zhurma dhe oshtima në Qytet Studenti. Kështu u nisa drejt qytetit studenti për të parë çfarë kishte ndodhur. Isha të Rruga e Elbasanit dhe pashë që atje kishte policë. E pazakontë sepse atje s’kishte pse të kishte policë. Po kaloja dhe më ndali polici. Ku po shkon? Në shpi i thashë. Më pyeti ku e kisha shtëpinë, i them: te Liceu.., mirë më tha, kalo këtej, mos kalo andej dhe më orientoi nëpër rrugica.

U nisa nëpër rrugica dhe dola atje ku është sot ambasada amerikane, ishte fushë asokohe, pra hapësira midis ambasadës amerikane dhe rezidencës italiane.

Shoh që atje kishte studentë. Ishte ditë e diel, por atë ditë ishte lënë për të bërë mësim nëpër disa fakultete me sa mbaj mend fakulteti ekonomik e disa të tjerë që s’më kujtohen. Studentët ishin grumbulluar aty. Në atë kohë ishte duke folur Lisen Bashkurti, që iu kërkonte të shkonin në shkollë. Unë për momentin qëndrova në bordurë dhe pashë që erdhi edhe Skënder Gjinushi që po tentonte t’i orientonte në shkollë studentët. Pastaj kam zbritur nga bordura dhe kam shkuar të çunat e fakultetit tim të Gjeologji Minierave dhe jam bashkuar me ta. Ishin kryesorët që po drejtonin protestën. Nuk i mbaj mend emrat e gjatë, por mbaj mënd Dylin që është përlasë edhe me policinë, ishte Ani një tjetër çun, por qysh atëherë ata ikën nga Shqipëria, dhe unë s’i kam parë më. Ata ishin konviktorë.

Pas asaj dite nuk dolën më dhe nuk u bënë më publikë. Ishte fakulteti i “të persekutuarve”, në fakt jo se ishin të persekutuar sepse studentë të persekutuar në atë kohë nuk kishte.

Përballë nesh ishin begsat, studentët e shkollës “Skënderbej”, ata mbanin në dorë lopata xheniere. Rreshti i dytë ishte me policë dhe rreshti i tretë ishte me ata që quheshin Sampista.

Ajo që më ka mbetur në mendje ishte kënga “se mjaft në robëri o e mjera  Shqipëri…”.

Hymë në muhabet me studentët e shkollës begase ndërkohë që rrinim aty dhe kemi qëndruar dy orë duke qëndruar aty. Ne nuk ecnim dot për të ecur më poshtë sepse kishte bllok. As ata nuk vepronim ndaj nesh sepse nuk është se po bënim ndonjë tentativë të madhe përveç Dylit, shokut të fakultetit tim që nja dy a tre herë tentoi të çante gardhin por e kotë sepse ishin tre rreshta siç e thashë pak më lart. Mbaj mend që bisedonim me ta dhe iu thoshim: po ju do na gjuani ne?…

Atë ditë ka qenë një ndeshje e fortë dhe nga rruga e Elbasanit pritej të vinin tifozët. Ndeshja ishte në ora 1 dhe siç ishim duke biseduar me ata begsat dhe pamë që po fillonin të lëviznin dhe begsat që ishin ngjitur me ne na thanë: ikni, ikni tashti.. sa thanë këtë nxorën lopatat xheniere nga brezi sepse kishin urdhër…brenda pak sekondash ata u kthyen në një rol tjetër, ata duhet të na godisnin ne sepse për këtë detyrë ishin aty përballë nesh. Edhe pse ndoshta nuk do të donin kurrë të na godisnin sepse ishin studentë siç ishim edhe ne.

Kështu nisi të shpërndahej turma dhe ishte ditë me shi dhe ajo si malore ishte bërë si pistë rrëshqitëse prej baltës. Shumë prej nesh po rrëshqisnim.. që të jem i sinqertë të gjithë ikëm duke ecur edhe këmbadorazi dhe nuk pati akte heroizmi aty.

Kështu u shpërndamë dhe shkuam nëpër banesat që ishin rreth qytetit studenti. Na hapën katet e para dhe atje u strehuam. Mbaj mend në atë kohë që ishte një studentë që quhej Alma Bendo, unë s’e njihja në atë kohë por më vonë e mora vesh se quhej Alma Bendo. Mbaj mend që ajo vazhdonte e shante dhe kjo më bënte shumë përshtypje. Në fakt ajo Alma Bendo që kam parë unë në atë kohë ishte brune. Tani po shoh se Alma Bendo ka një emër tjetër dhe quhet Mimoza Ferraj. Mbaj mend që ne çunat ishim të trembur dhe nuk guxonim, ndërsa ajo vazhdonte e shante.

Kur kaloi pak kohë ne dolëm sepse nuk na ngacmoi njeri, u shpërndamë. Pastaj shkova në stadium dhe atje pashë që askush nuk dinte gjë. Takova disa shokë të mitë dhe iu thashë çfarë kishte ndodhur. Ata më shihnin të habitur. Atë natë nuk shkova në shpi, por shkova te një familje e miqve të familjes sepse kisha frikë të shkoja në shpi se s’i dihej, kisha frikë se më arrestonin…

Siç thamë nuk do të vazhdojmë të kujtojmë hap pas hapi ngjarjet, por do të ndalemi në një moment. Është dita e dytë apo e tretë dhe ndërkohë ka ndodhur akti i trimërisë dhe në lojë do të hynin pedagogët apo intelektualët… Cili ishte i pari intelektual që ju patë ato ditë në qytet studenti?

Aty pati disa përplasje të vogla që mund të shkatërronin gjithçka nëse do të agravonin. Kishte një pjesë që nuk donin të vinin intelektualët, madje as qytetarët e Tiranës. Nuk ishim të organizuar aq mirë por ishim të organizuar në grupe të vogla. Pati studentë që këmbëngulën që të mos vijnë të tjerët madje kishte nga ata që nuk donin as studentët e Tiranës. I jam drejtuar njërit prej tyre: ç’mund të bëni ju vetëm, do kërkonin dy batanije… jo ti por askush tjetër nuk na ndalon dot ne të vijmë këtu… Ishte Shenasi Rama. Pastaj ai nuk foli. Ishte data 10 dhjetor.

Atje kam takuar edhe Ben Blushin, i cili gjithashtu po përpiqej t’iu mbushte mendjen studentëve konviktorë që të na pranonin ne studentët e Tiranës, intelektualët dhe kryesisht qytetarët e Tiranës. Ndryshe protesta e konviktorëve do të izolohej. Në atë kohë kam dëgjuar se kishin mbërritur në qytet studenti Sali Berisha dhe Gramoz Pashko. Ne i njihnim dhe njiheshin në të gjitha rrethet e Tiranës sepse kishin shkruar dhe folur te Zëri i Amerikës.

Padyshim që u rrit optimizmi ndër ne studentët kur erdhën intelektualët. Unë nuk isha student, e kisha marrë diplomën, kisha marrë emërimin por nuk kisha shkuar në punë. Isha atje sepse mbaja kontakte me studentët e fakultetit tim. Një moment me rëndësi ishte edhe përfaqësia e studentëve që do të shkonin te Ramiz Alia. Atje shkuan studentë që nuk kishin marrë pjesë për asnjë moment në lëvizjen treditore që kishte ndodhur nga data 8 deri më 11 dhjetori kur ishte takimi. Unë besoj se disa prej tyre, kryesisht ata që ishin sekretarë rinie, janë zgjedhur që ata të jenë përkrah Ramizit dhe jo studentëve. Ata që po them unë si Pandi apo Ilir Meta, ishin atje por nuk folën.

Pasi u kthyen studentët ishte vonë, diku rreth orës 11 të natës dhe kemi dëgjuar me megafon bisedën e tyre me Ramiz Alinë. Kishte frikë nga masivi i studentëve që ishin në shesh se mos studentët, përfaqësia do të shiteshin te Ramizi.

Turma ishte konfuze, disa shanin Ramoz Alinë, disa të tjerë e lavdëronin. Një pjesë e shihnin Ramiz Alinë si shpëtimtar dhe ishin shumica. Ndoshta nuk kishte rrugë tjetër sepse po t’i ktheheshe kundër atij, pastaj ku do mbaheshe…

Midis 11 dhe 12 dhjetorit… është momenti i themelimit të PD dhe menjëherë nisi procesi i mbledhjes së firmave. Kush ta kërkoi firmën për themelimin e PD-së?

Ne shkonim përditë në Qytetin Studenti dhe kishim krijuar lidhjet midis nesh. Më tepër kisha afrimitet me Edmond Budinën. Ishte në grupin e intelektualëve që i shihnim si shpresa e atyre që krijoi bërthamën e PD-së. Mua më erdhi Edmond Budina dhe ma ka kërkuar firmën për themelimin e PD-së. Mbaj mend një detaj që atë ditë kur po mblidheshin firmat ishte bërë një mbledhje e komisionit nismëtar të PD-së dhe kam takuar Ilenja Mëhillin në shesh dhe më ka lënë në dorë protokollin e mbledhjes. Unë mbeta dhe i thashë, mos ma lër mua në dorë dhe mbaj mend që ia kam dhënë Mond Budinës apo Ben Demetit.

Atë ditë që kam hedhur firmën time nuk kam pasur pasaportë por kam hedhur firmën. Në ata 300 emrat që publikohen ndoshta nuk është emir im, por unë kam firmosur qysh në mëngjesin e datës 12 dhjetor dhe firmën ma ka marrë Edmond Budina.

U themelua PD, dhe është momenti i organizimit. Studentët nuk u bënë pjesë, besoni se u mënjanuan apo u tërhoqën vetë?

Nuk besoj se pati mënjanim. Shumë nga shokët e mi që ishin më datë 9 në protestë kur u takuam atë ditë, më thanë se nuk kishin asnjë ambicie që të merreshin me politikë. Mbaj mend që kam thënë aty se po ikëm ne kush do ta mbajë gjallë këtë që u krijua. Ata donin vetëm të iknin nga Shqipëria. Ky ishte qëllimi i tyre, i ne të rinjve dhe për këtë arsye ndoshta mungoi edhe ambicia për t’u bërë pjesë e politikës.

Pra, nuk kishin besim te liria që po pritej të vinte në Shqipëri, për të cilën ata vetë kishin sakrifikuar… dhe zgjodhën lirinë e garantuar në perëndim?

 

Sot mund të gjykojmë kështu, por siç e the edhe vetë, ne nuk kishim në atë kohë aq shumë vizion për atë çfarë do të ndodhte. Në atë kohë ne kishim një aspiratë, të rrëzonim komunizmin, ne kërkuam një Shqipëri të lirë dhe një prej elementeve të kësaj lirie ishte e drejta për të dalë jashtë kufijve për të shkuar në Europë.

Elita politike kishte lindur prej jush, prej lëvizjes studentore dhe nëse bëjmë sot analizë, a e patën ata mundësinë që të mbajnë këta të rinj për t’i përgatitur për elitën e pak viteve më pas. Apo mungoi dëshira e këtyre intelektualëve..?

Unë flas për vete dhe për miqtë e mi. Ne kishim qëllim të vetëm rrëzimin e sistemit komunist. Është kollaj të bëjmë sot analizë për ato ditë. Ne nuk e kishim bërë planin që të rrëzonim komunizmin e pastaj të krijonim parti e pastaj të hynim në zgjedhje..

Ndoshta ju s’e kishit bërë planin, por ata që u bënë pjesë e komisionit nismëtar e kishin atë plan përderisa e bënë aty për aty…?

Ecën ngjarjet aq shpejt sa as ne as ata nuk e mendonim aq mirë çfarë do të ndodhte.

Një situatë hipotetike.. nëse ju studentët, ata që ishin atje që në datën 8, 9 e ditët që vijuan, do të vazhdonin të ishin pjesë e rëndësishme e PD-së, pra elita e re politike, a do ta kishim sot një Shqipëri tjetër nga kjo që kemi sot?

Nuk besoj se është kjo çështja. Unë besoj se pjesa më e madhe e studentëve të dhjetorit e deshën këtë zgjidhje, pra që situata të merrej në dorë nga intelektualët ashtu siç ndodhi. Po flas për vete, unë nuk e shihja veten të aftë të merrja iniciativa të tilla që të bëhesha pjesë e drejtimit të strukturave të PD-së..

Nuk e kam fjalën për atë fillim, ju mund të bëheshit pjesë e strukturave dhe jo drejtues për t’u përgatitur për pas dy, tre apo katër vite më vonë…?

Unë dhe shumë të tjerë e ndoqëm këtë rrugë. Në fillim u angazhova me Rilindjen Demokratike dhe shumë shpejt u angazhova edhe në strukturat e PD-së. Këtë mundësi e patën të gjithë. Sigurisht që politika nuk është aq e pastër dhe jo të gjithë ata që deshën të angazhohen në politikë ia dolën. Por unë besoj se në atë fillim shumica e atyre që kërkuan të angazhohen në PD, ia arritën. Ajo që duhet sqaruar mirë është fakti që shumica e studentëve të dhjetorit deshën vetëm të iknin nga Shqipëria.

Ka një moment me rëndësi për t’u analizuar. Është momenti pas zgjedhjeve të 31 marsit kur fitoi thellë PPSH dhe aty pësuam një zhgënjim të madh. Unë kam vendosur ato ditë të largohem nga Shqipëria dhe jam larguar. Ato ditë kam shkruar një artikull në RD me titullin: Të ikim sa më parë! Pra, ka qenë një moment zhgënjimi i madh dhe tamam në këtë moment kanë ikur nga Shqipëria shumë nga ne, shumë prej studentëve të dhjetorit.

Mbaj mend që disa prej nesh, rrethi im i studentëve të dhjetorit kemi shkuar dhe kemi kërkuar viza nëpër ambasada dhe mbaj mend mirë që kërkesat tona i firmoste Genc Pollo. Kemi ikur me viza. Unë jam kthyer pas një viti, por një pjesë e madhe e jona nuk u kthye më në Shqipëri.

Unë nuk hyj në atë pjesë që mendon se u mënjanuan me qëllim studentët e dhjetorit për të mos iu lënë në dorë pushtetin. Kush pati zotësi dhe aftësi ia ka dalë të çajë e të qëndrojë në PD, padyshim ata që kishin dëshirë të angazhoheshin në politikë.

Jemi duke folur për 20-22−vjeçarë dhe nuk mund të flasim për aftësi dhe zotësi të spikatur në atë kohë, pra po përpiqem të them se do të duhej të ishte elita e kohës, e intelektualëve që vinin nga radhët e PPSH, që t’i përgatisnin ata për t’u bërë elita e re politike në Shqipërinë postkomuniste….?

Ndoshta u shpreha gabim, por doja të thoja kush pati ambicie. D.m.th. nëse nuk kishin ambicie, çdo përpjekje ishte e kotë.

Pra, jemi në një pikë të analizës kur besohet se humbja e 31 marsit, dekurajoi ambiciet e shumë prej studentëve të dhjetorit për të hyrë në politikë..?

Unë isha një prej tyre që u ndjeva i zhgënjyer dhe i dëshpëruar dhe vendosa të largohesha pa patur një ide të qartë se ku do shkoja, sa do qëndroja, por doja vetëm të ikja nga Shqipëria. Në atë periudhë e mbaj mend që ishte një grup i madh nga ne që ikëm, mbaj mend kur isha në Itali ka ardhur atje edhe Mand Shkullaku e Blendi Fevziu që erdhën me idenë për të qëndruar atje, pastaj u kthyen siç u ktheva edhe unë, por shumë të tjerë mbetën atje në Itali apo edhe vende të tjera që qëndruan dhe nuk u kthyen asnjëherë në Shqipëri. Ata mbetën jashtë politikës sepse ishte e tillë situata, i tillë momenti politik.

Një moment me rëndësi është edhe përfshirja e të përndjekurve politikë në PD. Ndodhi shumë vonë. Pse?

Ndodhi përfshirja e tyre e parë që në fillim. Të përndjekurit politikë, të parët që u liruan ishte diku nga fundi i janarit. Mbaj mend që në RD, kam qenë bashkë me Emin Barçin kur kemi shkuar te hotel Pensioni, ku ishte vendosur Osman Kazazi. Kemi shkuar dhe e kemi intervistuar. Ishte i drobitur fizikisht. Por di me siguri që ka qenë thirrja e PD-së që ka bërë të mundur lirimin e të burgosurve politikë. Që në fillim ka patur angazhim të ish-të përndjekurve politikë. Ishte Pjetër Arbnori i pari.

Më vonë kanë hyrë të tjerë si Leka Toto apo Tomor Dosti.

Me debat kanë hyrë në PD në fakt në vitin 1992… kishte zëra kundër angazhimit të tyre…?

Nuk e mbaj mend, nuk e di.

E kam lexuar në RD-në e vitit 1992…

Ndoshta ka ndodhur para se unë të kthehesha e të angazhohesha në PD sepse isha në Itali. Por di me siguri që Pjetër Arbnori ishte që në fillim në PD sepse kur ndodhi ngjarja e 2 prillit 1991, telegramet nga Shkodra na vinin me emrin e Pjetër Arbnorit. Ne merrnim informacion zyrtar vetëm prej tij dhe madje e kam një kopje të telegramit ende.

Ali Spahia ka qenë që në fillim. Të tjerët iu afruan më vonë dhe unë nuk besoj në asnjë mënyrë që kishte politikë kundër të përndjekurve sepse do të ishte absurde, Përkundrazi, pati hezitim nga një pjesë e të përndjekurve për të hyrë në PD, sepse e shihnin si një parti që ishte krijuar nga ish-komunistët. Ka debate edhe sot për këtë çështje. Ajo që dua të theksoj është se çdo dhjetor ne flasim si “veteranë” për heroizmin e dhjetorit dhe nuk themi çfarë kemi rrëzuar. A e rrëzuam komunizmin, se jemi në një kohë kur po flitet për komunizmin me romantizëm. Sepse nëpër faqet e gazetave dalin disa detaje banale si bëhej mbledhja e byrosë e si flet nusja e Enverit apo të tjerë pinjollë të komunizmit dhe nuk flitet kurrë çfarë rrëzuam dhe a e rrëzuam komunizmin.

Kjo është një betejë e lënë në mes prej jush?

Nuk jemi vetëm ne të PD-së që duhet ta vazhdojmë këtë betejë. Është e gjithë shoqëria. Ndaj them se duhet të ndalemi e të reflektojmë çfarë shembëm ne në dhjetor. Pse u ngritëm kundër sistemit dhe çfarë realizuam. Ne dolëm në atë kohë kundër sistemit për një Shqipëri të lirë. Sistemi komunist u rrëzua pikësëpari për shkak të situatës ekonomike sepse njerëzit ishin pa bukë dhe nuk mund të vazhdohej më gjatë në atë sistem. As në burg nuk na mbanin dot me bukë. Së dyti, ishim studentë nga familje komuniste dhe ne nuk do na vrisnin dot. Frika nga skenari i Çausheskut ishte një faktor shumë i rëndësishëm që ndikoi në rënien e komunizmit. Ishte frika e Ramiz Alisë që e ndali të reagonte ndaj lëvizjes së dhjetorit. Nëse ata do të kishin mundësi ekonomike ata kurrë nuk do na kishin lënë të avanconim në atë lëvizje.

Çfarë ka lënë rrugës PD nga idealet e para dhe çfarë ka arritur në 27 vjet?

Në qoftë se ne nisemi nga çfarë kërkuam në atë dhjetor, ajo u realizua qysh atë dhjetor. Ne kërkuam përmbysjen e diktaturës dhe shpalljen e pluralizmit. Dhe ajo u realizua që në dhjetor 1990. Shpallja e pluralizmit u arrit sepse përmbysja e komunizmit nuk e dimë a ka ndodhur edhe sot.

Ndërsa ajo parulla e famshme: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte në një situatë të caktuar. Unë besoj se ne thirrëm ashtu dhe pak prej nesh e kishim në mendje të prisnim të bëhej Shqipëria si gjithë Europa sepse shumica do të shkonim menjëherë atje në Europë, në perëndim për ta kërkuar lirinë atje.

Ishte shumë e vështirë të besonim se Shqipëria do të bëhej brenda pak vitesh si perëndimi. Pra, ata që ikën e kërkuan atë Shqipëri shumë shpejt dhe e gjetën atje në vendet e perëndimit ku shkuan e ku vazhdojnë të jetojnë sot. Larg politikës shqiptare, larg partisë që ata vetë themeluan. Ideja jonë për demokracinë ishte shumë qiellore.

Jemi në PD e vitit 2017, besoni se janë mjaftueshëm themelues për të legjitimuar kontributin e tyre?

Çdo dhjetor ngrihet ky diskutim por më duket se është më shumë nostalgji se sa domosdoshmëri. Unë besoj se jo domosdoshmërisht PD duhet të ketë në drejtim të saj themeluesit për ta legjitimuar ekzistencën e saj. Elitat ndryshojnë, ato transformohen dhe njerëzit qarkullojnë. Nesër ne nuk do të jemi më, por PD-ja do të vazhdojë të jetë.

Në PD nuk janë as qëndresëtarët… kanë shumë kritika njësoj si themeluesit?

Në jetën e një partie sigurisht që ka lëvizje dhe ndryshim të elitave drejtuese. Mund të jetë bërë edhe padrejtësi diku, por nuk e shoh kaq dramatike situatën sepse elitat ndryshojnë. Ka shumë njerëz nga PD e viteve të para që kanë kontribuar ndershmërisht në PD, por sot nuk janë dhe njerëzit nuk i njohin apo kujtojnë. Ata dhanë kontributin e tyre dhe iu hapën rrugën atyre që quhen qëndresëtarët. Pra, askush nuk është i përjetshëm, ndërkohë që gjithkush prej tyre është i lirë të japë kontribut në PD. Të jesh në PD nuk do të thotë të jesh patjetër deputet i saj. Je në PD kur kontribuon për të pa kushte, pa marrë domosdoshmërisht privilegje. Ka shumë ish-ministra, drejtues të niveleve të ndryshme në qeverisjen e PD-së, ka shumë prej tyre që prej ditës kur lënë detyrën nuk i sheh më në PD, pra janë ata që kanë përfituar nga PD dhe nëse nuk janë më deputetë duhet të vazhdojnë të jenë kontribuues nëse janë vërtet të gatshëm të vazhdojnë të kontribuojnë në PD. Secili e ka në dorë vetë angazhimin e tij dhe më pas investimin për t’u bërë pjesë e rangjeve të larta të politikës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kashar: Shfaqen vatra të reja zjarri gjatë mëngjesit, ja dyshimet e para

Vatra të reja zjarri janë ndezur këtë mëngjes në fabrikën e riciklimit,...
Read More