Nju Jork, Ku jam dhe ku isha

333_new_york_732287782
 

Qyteti i qiejgërvishtësve me sytë e një pejaneje. Aktivistja e shoqërisë civile Shqipe Malushi rrëfen Nju Jorkun, në formimin e një personaliteti në rrugëtim të kërkimit…

Dikur u linda në një qytet të vogël, në Pejë, Kosovë, të rrethuar me bjeshkët e Rugovës dhe lumin e Bistricës, që e freskonte qytetin dhe na i drejtonte ëndrrat. Unë, si fëmijë, nga dritarja ime e vogël gjithnjë ëndërroja.

Duke shikuar bjeshkët e Rugovës dëshiroja të shkoja larg, sa më larg, përtej bjeshkëve. Të kërkoja, të zbuloja diçka që nga brenda kërkonte shpirti im dhe nuk duronte të qëndronte në një vend. Pastaj emrin e kisha Shqipe dhe shqipet fluturojnë në qiej të ndryshëm, duke hulumtuar bukuri dhe njohuri të papara.
Pra, një dritare gjithnjë më udhëhiqte në kërkimin e ëndrrave për t’i zbuluar ato dhe për t’i jetuar dhe shkruar për to.

Kjo dritare edhe sot në Nju York më ngacmon që të kërkoj përtej saj dhe të zbuloj çfarë fshihet në thellësi të shpirtit poetik, pra në ndërtimin e personalitetit tim.

Vendet për të mos u humbur

Manhattan-Bridge-new-york-727740_937_931

Nju Jorku ndahet në shumë pjesë, prandaj vizituesit i duhet më shumë kohë për ta zbuluar, një javë nuk mjafton.

Pra, aty është Manhatani, qendra e zemrës së Nju Jorkut, ku mund të vizitoni: Sohon, vend i artit dhe galerive të ndryshme, po ashtu restorante të njohura.

soho-new-york

Pastaj shkoni në qytetin kinez dhe mahniteni me pamjen që ju duket se keni arritur në Kinë. Nga aty shkoni në qytetin e vogël të Italisë dhe qerasni veten me ëmbëlsirat më të mira italiane.

Pastaj vizitoni vendin e motrave binjake, ku për një minutë heshtje kujtoni vlerën e jetës në shërbim të së vërtetës. Vazhdoni për në Brooklyn, duke kaluar urën që lidh Manhatanin me Brooklynin dhe atje zbuloni shumë vende etnike të ndryshme nga gjithë bota. Ktheheni në Bronx të dëgjoni shqip në çdo rrugë dhe të hani gjëra, që i keni lënë pas vetes në shtëpi.

Në Queens vazhdoni të zbuloni muzikë greke dhe turke të përcjellë me ushqime nga këto kultura. Në Staten Island ju pret Statue of Liberty e në New Jersey e gjeni pamjen panoramike të Nju Jorkut përtej Lumit Hadson e shumë gjëra të tjera.

bronx-mural1

Hudson_River_From_New_York_VGA

Koha më e mirë për ta vizituar
Është muaji i Majit, kur çdo gjë në natyrë është në lulëzim, kur njerëzit i largojnë veshjet e dimrit dhe lirohen nga një barrë e të ftohtit të gjatë. Maji i nxit të gjithë t’i sjellin ngjyrat e bukura të pranverës dhe të gëzohen për një stinë të re.

Po qe se vizitohet në muajin e Shtatorit, Nju Jorku merr një pamje ngrohtësie. Çdo gjë është në përgatitje të ringjallet, teatrot fillojnë me shfaqje të reja. Muzetë me tablotë e piktorëve klasikë dhe modernë i mirëpresin mysafirët nga gjithë bota; duke e ndarë një rrugëtim nga të gjitha sferat e krijimit. Filmat e rinj joshin, në rrugë mund të takosh aktorë, biznesmenë të njohur, apo edhe krijues tërësisht të panjohur. Shitoret e zbukuruara me gjërat nga moda e fundit e mahnitin shikuesin, duke e ftuar të hyjë brenda me çmimet e ulura. Në këtë qytet ku nata është si ditë dhe njerëzit vazhdimisht vrapojnë, mund të gjesh një oaz kërkimi në shpirtin tënd. Aty sheh ndërtesa aq të larta, sa nuk mund t’i njohësh, Mund të rrish afër lumit Hudson duke shikuar anijet në lundrim, mund të meditosh në Central Park, mund të pish kafe në Rockfeller Center, duke shikuar të rinjtë në akull.

central-park

Mund të shkosh tek Statue of Liberty të inspirohesh për edukimin dhe fuqinë e një femre, ta vizitosh universitetin “Columbia”, duke kërkuar mundësi për të studiuar. Në këtë qytet mahnitës që të josh me ëndrra, mund t’i gjesh ëndrrat në brendësinë tënde. Si dhe të humbësh në muzikën klasike të Lincoln Center kur zhdukesh në brendinë e shpirtit në një fluturim të pa fund. Në këtë qytet që prezanton kombet dhe kombësitë e botës mund të dëgjosh shqip në pizerinë “La Familia”.

Famous_Famiglia_Pizza_(7319156830)

Aty papritmas mund të zbulosh një dyqan ku shesin produkte nga vendi. Aty mund të hipësh në majën e lartë të Empire State Building dhe të zbulosh se jemi më të vegjël se mizat. Por nëse e vizitoni New Yorkun për festat e Krishtlindjeve, atëherë hyni në botën magjike të ëndrrave. Qyteti zbukurohet me drita të shumëllojshme, të gjitha pemët shkëlqejnë me fjolla bore, të gjithë njerëzit duken të lumtur, duke blerë dhurata për festa për të dashurit e tyre. Aty ku brigjet e fantazisë dhe realitetit takohen, aty fillon të ëndërrosh dhe të besosh se çdo gjë është e mundur.

80th-annual-rockefeller-center-christmas-tree

Pra, në këtë qytet unë fillova rrugëtimin e ëndrrave të mia, që të bëhem shkrimtare dhe poete, ku doja të shprehesha në gjuhën angleze, t’i ndaja vlerat magjike të kulturës sonë me botën. Fluturimi im përtej maleve të Rugovës, më lëshoi në New York. Në këtë qytet fillova të kërkoja veten nga dritaret e kulturave të tjera.

Ku të kthesh një gotë

01 Eden Fine Art gallery - Madison Avenue - New York

Në restorantin “Arte”, që ndodhet në rrugën e nëntë të New Yorkut, ku pronari Azem Hasangjekaj, gjithnjë na pret me një buzëqeshje dhe mirëseardhje në shqip. Çdo mbrëmje ndaleshim të takoheshim me bashkëatdhetarët, t’i shqyrtonim temat që ishin kyçe për atë kohë: Shqipëria dhe Kosova, si ti ndihmonin, çfarë duhej të bënim, me kë të kontaktonim. Pra, ky ishte një restorant me ushqim italian, pronar shqiptar, atomosferë idilike, verë të shijshme dhe ushqim shumë të shijshëm. Ky mbetet vend ku mund të pish një gotë pas shëtitjes së rradhës dhe ku do të ndjesh një kënaqësi të brendshme në kontakt me të tjerët nga vendi yt. Një vend, ku pritesh dhe përcillesh me dashuri.

Ku ta shijosh kulinarinë vendase

Bistro Le Steak 3

Përsëri, nëse shkon në “Bistro La Stake”, restorant ku pronari, Hamiti është shqiptar, mund të shijosh kuzhinën amerikane me hamburger dhe patate të shijshme, sallata të ndryshme dhe ta përcjellësh me verë. Kjo pra, është një pjate tipike e ushqimit amerikan.
Po qe se vazhdon të hedhësh dy hapa në avenynë “Madison” dhe dëshiron të ndalosh në “Eden Gallery”, aty do të pushosh sytë e tu me pop-artin, krijime që të joshin me ngjyra të kuqe, të gjelbra, të verdha në punimet e piktorëve dhe skulptorëve të rinj, që sjellin lumturi dhe buzëqeshje në fytyrën e vizitorëve.

maxresdefault

Kjo galeri quhet galeri e lumturisë, ku vetëm kur shikon nga dritaret nga jashtë, nuk mund ta tejkalosh një moment që të mundëson të hysh në botën tënde fëminore dhe të jesh i lumtur, vetëm për shkak të ngjyrave që të ringjallin kujtimet.

NYC_-_St_Patrick_Cathedral_-_Facade_and_Atlas

Një bllok më larg, në Avenyne e pestë dhe rrugën 51, ju pret me dyer të hapura katedralja e Shën Patrikut. Aty ku mund të zbuloni shumë shenjtë, të shikoni një ndërtesë të punuar me shumë dashuri e bukuri, ku mund të luteni për të dashurit tuaj, duke iu ndezur nga një qiri dhe të pushoni një moment, duke reflektuar për atë se çfarë dëshironi për vete.

Ku të bësh shopping

5th-ave-shopping-courtesy-of-tourist360-com

Por ky qytet nuk të lejon të ikësh kurrë pa ju joshur të shpenzoni edhe paratë e fundit për shopping. Këtu ka dyqane për çdo gjë. Për shembull, po deshët gjëra me marka të njohura, është aty Avenyja e 5-të dhe e 7-të, ku mund të gjeni gjërat më të bukura të firmave të njohura. Po patët më pak para, mund të shkoni në rrugën 34 dhe rrugën 14, ku mund të gjeni gjithashtu gjëra më të lira, por megjithatë të bukura. Në rrugën 42 dhe Broadway, në zemër të qytetit, ke apo nuk ke para, asnjëherë nuk mund të ikësh pa harxhuar, sepse dyqanet janë joshëse si dashnoret e bukura. Aty dëgjon muzikë në rrugë, mund të fotografohesh me Micky Mouse, mund të qëndrosh në shkallë duke shikuar njerëz. Humbur në reklama, mund të ëndërrosh apo të bësh hesap sa para të kanë mbetur në xhep. Ose të presësh në radhë të blesh një biletë për teatër me çmim më të lirë.

Të njihesh me vendasit
Vendasit janë njerëz të të gjitha fushave dhe të gjithë kombeve. New Yorku është qendër e biznesit, qendër e artit, qendër e modës, qendër e zhvillimit. Vendasit janë shumë punëtorë, pa dallim se çfarë grupi etnik i takojnë. Ata punojnë shumë. Në këtë qytet ka punë shumë e pak gjumë, Siç thotë fjala e urtë: “Punë, punë, natë e ditë, që të shohim pakëz dritë”.

NewYork-Soho-Oniric-20081

Qyteti shëtitet më mirë në këmbë, ku çdo rrugë dhe çdo ‘avenue’ kryqëzohen dhe kurrë nuk mund të humbësh. Mund të marrësh autobusin rreth qytetit, ku do të zbulosh shumë gjëra nga ‘tour guide’, por edhe me anije është një mrekulli t’i shkosh rreth e përqark Nju Jorkut e ta shohësh sa magjik është në çdo portë, ku mund të hysh brenda e ta zbulosh qytetin magjik.
Brooklyn Bridge
Images-Of-Brooklyn-New-York-Free-Downloads-Desktop-Photography-Backgrounds

Ku të shpengohesh netëve
Në mbrëmjet e verës ka shumë koncerte dhe shfaqje pa pagesë në Central Park, ku mund të ulesh në bare dhe të dëgjosh muzikë të mrekullueshme. Në City Center mund të gjesh vallëzime nga të gjitha anët e botës dhe ja pra, pa lëvizur vazhdon të shohësh në dritaret e kulturave të tjera.

Këshilla ekstra
Para se të vini në Nju Jork duhet të hapni dritaren e shpirtit juaj dhe të pyesni veten çfarë doni të zbuloni. Tani informatat mund të gjenden në internet dhe duhet hulumtuar se çfarë ju intereson dhe të bëni një plan. Pastaj kontaktoni dashamirët ose të njohurit, t’i pyesni për rekomandim, por mos i pyesni për ndihmë, sepse ata janë të zënë me punë dhe frikësohen nga kjo fjalë. Fillimi është të gjeni një vend për qëndrim që nuk është shumë i shtrenjtë. Mund të kontaktoni me anëtarët e “couchsurfing”, ku bëni ndërrim me njerëzit e Nju Jorkut, që ju ofrojnë banesën të flini ne kauq, me ndrim te kauqit tuaj ne vendin tuaj, kështu krijoni miqësi dhe lidhje miqësore. Pra, hotelet janë të shtrenjta. Mund të shkoni në Youth Hostels (që janë për student) dhe të qëndroni atje për netët e gjumit, sepse gjithë ditët ju kalojnë në hulumtim dhe zbulim të qytetit. Çdo gjë mund të gjendet në udhëzimet e udhëtimeve në internet. Unë, në këtë qyet erdha në moshën njëzet e pesë vjeçare, komplet vetëm, me 50 dollarë në xhep dhe 50 fjalë anglisht. Erdha duke ndjekur ëndrrat e mia si shkëmbim studentësh. Dhe pas 35 viteve së kërkuari nën dritaret e ndryshme të jetës, arrita ta sjell tërë familjen time, ku tani rreth tavolinës së drekës ulen 20 anëtarë. Në këtë rrugëtim të ëndrrave në Nju Jork, arrita të studioj në universitetet më të mira, si: Sarah Lawrence College, New York University, Columbia University. Arrita të fuqizohem, t’i shërbej komunitetit tonë shqiptar të integrohet në jetën amerikane, t’i shërbej komuniteteve të tjera me refugjatë dhe emigrantë në edukim dhe zbulimin e jetës amerikane.
Kam shkruar 13 libra poezish dhe tregimesh, jam marrë me përkthime nga Anglishtja në Shqip dhe fillova rrugëtimet e mia në sferën humanitare, në dritaret e tjera të kërkimeve. Pra, Neë Yorku ishte porta e parë e ndërtimit të personalitetit tim kur pastaj fluturova nga dritarja e saj në qytetet e tjera, si: Parisi (zgjimi i bukurisë); New Delhi (Shërimi i trupit, mendjes dhe shpirtit); Jaipur (Bota e fantazisë dhe ngjyrave;) Kabulli (Verifikimi i identititet dhe kujtimet e gjyshes), Beiruti (Dallimi në mes të dritës dhe hijes), Stambolli (vallëzim ekzotik i shpirtit). Pra, këto qytete të tjera e kompletojnë rrugëtimin tim dhe e zbukurojnë me ngjyra, poezi, dashuri dhe lidhje me të padukshmen e universit.

Shqipe-Malushi

Shqipe Malushi u lind në Pejë. Është shkrimtare, trajnere për udhëheqje dhe çështje gjinore dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Ka ligjëruar mbi demokracinë, të drejtat e njeriut, dhe menaxhimin e krizës në SHBA, Shqipëri, Kosovë, Afganistan, Liban, Kili dhe Indi. Ka punuar në Kabul si këshilltare për çështje gjinore dhe zhvillimin e potencialit njerëzor. Ka përfunduar studimet në Universitetin e Beogradit në linguistikë dhe në Sarah Lawrence College, NY dhe ka master në arte dhe shkencë nga University of Nju Jork, NY. Ka fituar çmimet: medalen e NATO-së për mbështetjen e Kosovës në Misionin për Ruajtjen e Paqes, Engjullin e Paqes nga Women’s Day Magazine, dhe 2003 Gruaja e Vitit e zgjedhur nga Refugee Women’s Network. Jeton në Nju Jork me nënën Magbulën dhe motrën Alidën.

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Kërkoni falje publike”, Ilir Demalia flet me emra: Si vëllai i ministres Leze traktoristja, e ata që…

  Analisti Ilir Demalia përmes një postimi të bërë në Facebook, u...
Read More