Nona e rrenave

Nga Vladimir Karaj

“Fake News” u bë fjalë hit në Tiranë. Si shumë huazime ajo u mor e papërkthyer sepse rrena, gënjeshtra, e togfjalësha që mbajnë të njëjtin kuptim në shqip mund të duken si të vjetra dhe të dala boje, për politikanët vendës që duan të projektohen si të ngjashëm apo benjaminë të dikujt, diku larg. Ky lloj kopjimi i bën ata të duken “fake” njësoj si lajmet që denoncojnë (të cilat për aq sa di janë të vërteta), ndërsa dihet që retorika e tyre dhe shumica e asaj që thonë është lehtësisht e provueshme si gënjeshtër.

Ashtu si gjetkë termin në Tiranë po e përdor politika, për të sulmuar media të ndryshme që nuk iu qasen historive siç i pëlqen njërës apo tjetrës forcë. Kryeministri Edi Rama aplikoi termin “media të kazanit”, për të referuar gjithë ata që raportonin lajme apo kritikë ndaj qeverisë së tij. Së fundmi, ndërsa drejton fushatën e opozitës nga çadra, kreu i opozitës Lulzim Basha po përdor “Fake News”, ndërsa i sulmoi mediat si “uturaku ku ulet Rama”.

Qasja e dy drejtuesve kryesorë politikë u duket me gjasë reale ndjekësve të tyre dhe kjo shpjegon pse ajo kalon në heshtje dhe kultivohet. Rama flet për “median e kazanit” ndërsa prezanton ndonjë shesh të rregulluar dhe mohon akuzat për kanabisin. Basha flet për “uturakë” kur mediat raportojnë se Bashkimi Europian apo vende mike si Gjermania e kanë cilësuar protestën e tij “absurde” dhe e shohin atë si “pengesë për integrimin”.

Sigurisht media në Shqipëri nuk mund të mburret as për liri dhe as për objektivizëm. Mediat anojnë dhe ndonjëherë aq dukshëm saqë është e pamundur t’i mbrosh. Profesionalisht mediat dështojnë të kontrollojnë deklaratat politike për vërtetësi, e prej vitesh janë në radhë për të transmetuar citime prej njërit apo tjetrit zë. Kjo i ka bërë ato thjesht përsëritësh sinjali, një problem që po e vuajnë më shumë sa kohë fushata politike veç kundërshtarëve real po i kërkon edhe mediat në “fushën e betejës”.

Politika vetë është e kënaqur me gjysmat. Kreu i opozitës për shembull i ka dëftuar me gisht si simbole të lirisë, gazetarët që janë ulur ngjitur me të në çadrën edhe pse kjo ulje këmbëkryq me njërin krah politik është praktikisht fundi i profesionalizmit dhe sigurisht s’mund të prodhojë as më shumë liri dhe as media më të mira.

Është e paqartë se çfarë kërkon politika shqiptare të mbërrijë me këtë fushatë denigrimi për mediat, edhe pa të në pikë të hallit, ku të mira janë vetëm ato që prodhojnë lavde për partinë dhe sharje për rivalin. Nuk besohet se mund të ketë simpati për të fituar në një publik që edhe lajmet i merr në shumicë sipas preferencave partiake dhe për rrjedhojë nuk ndikohet prej këtyre sulmeve?!

Nga ana tjetër, edhe pse mund të jetë krejtësisht joefektiv në sensin partiak, sulmi mund të shërbejë për t’i vënë gazetarët përballë atyre që i sulmojnë, sepse shtrembërimi i informacionit në Shqipëri nuk bëhet as prej mediave qofshin këto nën influenca pronarësh pa skrupuj dhe aq më pak prej gazetarëve. Janë politikanët duke filluar nga Rama dhe Basha që fillimisht fshinë prezencën e medias në aktivitetet e tyre dhe vendosën diktatin e ceremonive të filmuara me një regji.

Vizitat e Ramës këmbëkryq në fshatra mund të dukeshin ndryshe nëse raportimi nuk do bëhej nga “ERTV” dhe regjia qendrore prej nga transmeton kryeministri. Po ashtu, as Basha nuk do ishte kaq i qetë të akuzonte mediat nëse në vend të retorikës së zbrazët me mikrofon do duhej t’i provonte pretendimet.

E thënë kjo Fake News (rrena) në Shqipëri ka plot. Përditë, sa kohë prezenca televizive e liderëve partiakë zë shumicën e transmetimeve ditore, ekranet janë mbushur me rrena apo spin e stilistikë që ata i thonë dhe i replikojnë. Rama këmbëngul se koncesionet në shëndetësi mbeten sukses, pavarësisht se ka shkrime objektive dhe bazuar në shifra që i tregojnë ata si dështim. Në anën tjetër, në mënyrë po kaq qesharake Basha këmbëngul për një koment të jashtëm te Forbes shkruar nga një lobist, të cilin e quan lajm edhe pse një pjesë e komentit bazohet mbi infon e një transporti deri tani krejt imagjinar mbetjesh kimike.

Media në tërësi, e kapur apo e pakapur, ka pak gojë të flasë edhe për këtë, qoftë edhe për kompleksin e fajit që fshihet në njëanshmërinë e saj, por në fund të ditës kjo ftesë e politikës për t’i qëndruar përballë mund të jetë edhe moment çlirimi.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Progresi ka prekur fundin dhe teknologjia nuk është zgjidhja

Mësimet do të merren on-line, mësuesi do t’u nisë materialet on-line, ushtrimet...
Read More