Notizohen në 1650: Tre dorëshkrime me këngë popullore

Ekskluzive: Një zbulim në shkrimin e muzikës popullore shqiptare duket se shtyn datën e gjetjeve të transkriptimit të tyre. Është muzikologu Vasil S Tole që na vë në dispozicion dokumentin e këtij zbulimi të jashtëzakonshëm për këngën muzikore shqiptare, atë popullore. Bëhet fjalë për tre këngë popullore shqiptare të notizuara në vitin 1650. Për gazetën “Mapo”, Tole zgjeron kontekstin e kësaj gjetjeje, duke kaluar në pamjen e një sistemi të notizimit të muzikës në Shqipëri, që kryesisht përdorej vetëm në muzikën liturgjike fetare që lidhej me shenja të veçantë, më tepër nga ana gjuhësore se sa me notat muzikore

Përtej pentagramit të vetëm të Eduart Lirit, të shkruar më datë 31 tetor 1848, në pikturën me titull “Kudhës” (vizatimi me nr. 202, me përmasa 25×51 cm që ruhet në Harvard University, Houghton Library), nota të interpretuara nga fyelltari lab që është në qendër të pikturës së realizuar me bojëra uji, duket se tre këngë folklorike shqiptare, pjesë e trashëgimisë në dorëshkrim e muzikologut Ali Ufuki (1610-1677), të zbuluara nga etnomuzikologe Dr. Judith Haug, e shtyjnë datën e transkriptimeve të muzikës popullore shqiptare në vitin e largët 1650

Nga Vasil S. Tole

Përtej pentagramit të vetëm të Eduart Lirit, të shkruar më datë 31 tetor 1848, në pikturën me titull “Kudhës” (vizatimi me nr. 202, me përmasa 25×51 cm që ruhet në Harvard University, Houghton Library), nota të interpretuara nga fyelltari lab që është në qendër të pikturës së realizuar me bojëra uji, duket se tre këngë folklorike shqiptare, pjesë e trashëgimisë në dorëshkrim e muzikologut Ali Ufuki (1610-1677), të zbuluara nga etnomuzikologe Dr. Judith Haug e shtyjnë datën e transkriptimeve të muzikës popullore shqiptare në vitin e largët 1650. Etnomuzikologja Dr. Haugh përmes studimeve të saj (1) dhe gjuhëtari ynë prof. Dr. Bardhyl  Demiraj përmes studimit “Regjistrimet më të hershme të folklorit muzikor shqiptar”  (ca.1650) të botuar fillimisht tek revista “Zani i naltë”, nr. 16, fq. 16-29, kanë hequr edhe pikën më të vogël të dyshimit për vërtetësinë e këtyre dorëshkrimeve që përmbajnë këngë popullore shqiptare të notizuara.

Për të sqaruar të interesuarit duhet të pohojmë se sistemi i notizimit muzikor në Shqipëri ka qënë përdorur vetëm dhe kryesisht në muzikën liturgjike fetare, posaçërisht në atë orthodhokse, sistem notizimi i cili lidhej me shenja të veçanta që lidheshin më shumë me gjuhën se sa me notat muzikore. Për këtë, dokumentacion i pasur rreth dorëshkrimeve dhe kodikëve muzikore mesjetare gjendet në Arkivin e Shtetit, ndër to: Kodiku i Beratit nr. 3- shek. IX,  Kodiku i Vlorës nr. 7- shek. XI, Kodiku i Beratit nr. 8- shek. XI. Kodiku i Beratit nr. 9- shek XI-XIII, Kodiku i Beratit nr.15-shek. XI-XII, Kodiku i Beratit nr. 16- shek. XIII, Kodiku i Beratit nr. 21- viti 1181, Kodiku i Beratit nr. 23- viti 1292, Kodiku i Beratit nr. 26- shek. XII-XIII, Kodiku i Beratit” nr. 89- shek. XIV, Kodiku i Përmetit nr. 81- shek. XIV, etj të cilët pohojnë këtë realitet muziko-letrar. Në këtë vazhdë do të përmendim edhe emrat e disa krijuesve të muzikës bizantine të lidhur me Shqipërinë si Jani Gliki, Joasafi, Kukuzeli i Ri, Jan Lambardari, Balasi, Gjon Kryepsaltit (tek kodiku i 95 i Tiranës), Grigori kompozitor (kodik i Beratit i shek. XVIII), etj të cilët kanë shkruar muzikalisht fjalët e Perëndisë.

Pra, për aq sa njohim deri më tani, ky lloj sistemi muzikor i cili përdorte kryesisht shenjat muzikore të lidhura më shumë me imazhin grafik të shkronjave se sa me notat e mirëfillta muzikore, ishte e vetmja traditë e notizimit muzikor në Shqipërinë e Mesjetës.

Pikërisht në mesin e shek. XVII-të, vijnë provat e reja të ekzistencës së transkriptimeve muzikore të trashëgimisë sonë muzikore popullore prej Ali Ufukit.

Prof. Demiraj shkruan se emri i tij i parë ishte Wojciech Bobowski (= i latinizuar <Albertus Bobovius>), si pinjoll i një familjeje fisnike  me  origjinë  polake,  i  cili lindi aty rreth vitit 1610 në Lwow (Lemberg:  sot në territorin   e Ukrainës). Mendohet të ishte duke studiuar dikur  muzikë në  atdheun e vet të parë deri aty nga mosha 20 vjeç, shi kur u zu rob prej tatarëve të tmerrshëm të Krimesë, në mos vetë    osmanëve    gjatë    rrethimit të Kameniec-it (Poloni) dhe u transportua  si  i  tillë  në  Stamboll, në  oborrin  e  Sulltan  Murad-it  IV.  Aty Aliu  filloi  të  hidhte  në  letër shënimet e veta muzikore rreth vitit 1650,  pra  në  prag  ose  menjëherë pas  ngadhënjimit  të  statusit  të  ri si shtetas i lirë në perandorinë osmane.

Ky vëllim në dorëshkrim me titull “Përmbledhje me vjersha dhe këngë“ (: Şiir ve şarkı mecmū‘ası), i depozituar në Bibliothèque Nationale të Parisit është përgatitur ndërkohë për shtyp prej muzikologes Judith Haug dhe pret të shohë dita me ditë dritën e botimit. Këto transkriptime muzikore me sistemin klasik të notizimit muzikor çmohen si një rast i rrallë, pasi sipas  Haug, para  dhe  pas shek.   XVII   shkolla   muzikore   orientale nuk  praktikonte  aspak  fiksimin  në  letër të repertorit muzikor, pasi muzikantët i përmbaheshin me besnikëri traditës me përcjellje gojore brez pas brezi. Vetëm në shek. XIX filloi të përvetësohej në këtë kulturë praktika europiane perëndimore me notacion muzikor.

Kur Ali Ufuki shkoi në Stamboll, mund të thuhet se ai ishte i painformuar për muzikën otomane, dhe në përgjithësi për muzikën e popujve të Perandorisë. Pasi u njoh me to, ai dëshironte që t’i dokumentonte  dhe në këtë pikë ai u ndesh më së pari me vështirësitë e panumërta që lidheshin me mënyrat se si do të arrinte ta notizonte këtë trashëgimi.

Dokumentet dëshmojnë se me zgjuarsi ai u fokusua tek përdorimi i sistemit klasik të notizimit të shpikur nga Guido D’areco i shek. XI-të duke e zhvilluar dhe përdorur atë shpesh herë në rrugë krijuese vetiake, kjo në referencë me zhvillimet muzikore evropiane të shek. XVII-të. Sipas studiueses Dr. Haugh, kjo dokumentohet në dorëshkrimet muzikore të Parisit dhe pjesërisht ato të Londrës. Dorëshkrimet provojnë një model pune prej profesionisti të ndjekur nga ana e Tij, kur një pjesë e madhe e simboleve muzikore u huazuan prej modeleve evropiane të shkrimit muzikor në shek. XVII-të etj.

Nga ana tjetër, janë me dhjetëra dëshmitë (shkrimore dhe ato pamore), të cilat provojnë traditën e pasur të këndimit dhe interpretimit muzikor në vegla, por që në asnjë prej tyre nuk gjejmë qoftë edhe një të vetëm notë muzikore si përpjekje për transkriptimin e saj, deri sa vijmë në 31 tetor të vitit 1848 tek pentagrami mitik që Eduart Liri shkroi në qendër të pikturës së tij me titullin kuptimplotë: KUDHESI! Pas kësaj, shohim se vetëm në dhjetëvjeҫarët e parë të shek. XX-të, kjo traditë u pasurua kur kompozitori i shquar hungarez Bela Bartok transkriptoi mjeshtërisht rapsoditë me lahutë të rapsodit shqiptar Salih UGLA në USA në vitin 1940, kur Pjetër Dungu në vitin 1940 botoi të parin libër me transkriptime të muzikës sonë popullore, i pasuar disa vite më pas nga Gjon Kujxhia me botimin “Valle komtare”-1943 etj.

Trashëgimia e Ali Ufikit është në krye të dokumenteve të cilat provojnë lashtësinë dhe përhapjen e trashëgimisë sonë muzikore popullore dhe padyshim  një çështje e hapur për sqarime të mëtejshme.  

Shënime: 1-“Medical knowledge in ‘AlīUfukị̄’s musical notebook (mid-17th century)”, in: Leigh Chipman, Peter E. Pormann und Miri Shefer-Mossensohn (Hgg.), Journal for the Intellectual History of the Islamicate Ëorld 2017;  “Representations of uṣūl in ‘Alī Ufuḳī’s Manuscripts”, in: Zeynep Helvaci und Ralf Martin Jäger (Hgg.), Rhythmic Cycles and Structures in the Art Music of the Middle East;  “Being more than the sum of one’s parts: Açulturation and biculturality in the life and ëorks of Alî Ufukî”, in: Archivum Ottomanicum 33 (2016), S. 179-190; “mit Mehmet Uğur Ekinci: “Alî Ufukî’s Notational Technique: Its Development, Systematization and Practices”, in: Jürgen Elsner, Gisa Jähnichen u.a. (Hgg.), Maqām Traditions betëeen Theory and Contemporary Music Making, Istanbul 2016, S. 79-104; Judith I. Haug: Ottoman and European Music  in  ‘Alī  Ufuḳī’s  Compendium,  Ms.F-Pbn Turc 292: analysis, interpretation, cultural context (c. 1650), Volume 2: Edition (April 5, 2016)  etj.

Viti 1292 shënon dëshminë më të hershme muzikore

Gjurmët e para të muzikës bizantine në Shqipëri janë të hershme, ato datojnë që nga viti 1292. Ka qenë muzikologia Meri Kumbe që ka përmbledhur, disa vite më parë, në një katalog 6 “Dorëshkrimet Muzikore të Arkivit Qendror Shtetëror” të cilët i ka studiuar në detaje prej disa vitesh. Si bazë fillestare i ka shërbyer pasaporta që ka lënë dëshmi studiuesi i njohur Theofan Popa.

Sipas studiueses kodiku i parë i përket shekullit të 13 dhe vijne deri ne shekullin e 19. Në fillime nuk ka emra kompozitorësh, por më vonë dhe pikërisht në kodikun e Beratit deshifrohet emri i kompozitorit Jani Kukuzelit. Muzika e këtyre kodikeve është e deshifruar, është kishtare.

Pikërisht kjo kënge krishtlindjesh është përzgjedhur nga kodikë per ta interpretuar në paraqitjen e librit. Drejtuesi i korit Jani kukuzeli thotë se muzika bizantine ka shërbyer si bazë edhe për muzikën perëndimore më vonë. Në këtë studim, Kumbe ka paraqitur në mënyrë analitike përmes katalogut, dorëshkrimet e muzikës bizantine në Shqipëri, si edhe të gjitha dëshmitë e shkruara në 150 vitet e fundit mbi ekzistencën e kodikëve të artit psaltik në trojet shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ringritja e opozitës: A do t’ia dalë Lulzim Basha?

Pasi ka grumbulluar katër vjet përvojë në krye të opozitës së djathtë,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.