Nudot e Qerretit dhe vizatuesi “i shenjtë”



nudo1Ekspozitë retrospektivë në Galerinë Kombëtare të Arteve, me punë të arkitektit-piktor Agron Jano, ndarë nga jeta në mënyrë fatale, para tri viteve. Vizatimet nudo në plazhin e Qerretit, arkitektura e monumenteve dhe piacave të famshme italiane. Jano ka lënë gjurmë si projektues i kompleksit të ri të Parlamentit Shqiptar, i katedrales Ortodokse në Tiranë, si dhe i qendrës së qytetit të Durrësit

Disa vizatime janë silueta femërore, nudo naive në plazh, por pjesa më e madhe i takojnë arkitekturës. Linja të vizatimeve në miniaturë që rrëfejnë një simbiozë personale të strukturave të famshme kishtare, monumenteve, piacave të frymëzuara në vendin fqinj, Itali. Me këtë lexohet pasioni artistik i arkitektit piktor, Agron Janos, që tani nuk jeton më, një ndarje fatale nga jeta tri vite më parë, pasi kryen ciklin e emigracionit, por që ka dhe një histori arkitekture të lënë si gjurmë në jetën e tij të shkurtër. Është Galeria Kombëtare e Arteve, që e ka shndërruar këtë homazh në retrospektivën e punëve të Janos në një ekspozitë të hapur dje, për të cilën janë kujdesur bashkëshortja e tij, Kristina dhe miku i afërt, Artan Shkreli.

Janë 53 vepra, koleksion i familjes, pjesa më e madhe në vizatim, por edhe në pikturë, të cilat prezantojnë krijimtarinë “Retrospektivë vizatimi”. Drejtori i GKA, z. Artan Shabani dhe kuratorja Esmeralda Dalipi prezantuan ekspozitën gjatë konferencës për shtyp. Drejtori Shabani bëri një përmbledhje të karrierës së arkitektit dhe piktorit Agron Jano dhe nënvizoi se:

“Ekspozita sjell arkitektin e njohur shqiptar Agron Jano – që njihet si një arkitekt projektues objektesh të rëndësishme në Shqipëri edhe si një vizatues të shkëlqyer akademik, një arkitekt të vëmendshëm dhe një piktor sensibël. Dimensioni i Janos si një arkitekt – artist i talentuar në vizatim, grafikë dhe pikturë, në këtë ekspozitë vjen i plotë. Veprat e tij këtu variojnë nga vizatime të thjeshta me linjë elegante dhe perspektiva të qarta në shkallë dhe harmoni, te skicime të kujdesshme e të detajuara në penë apo të shpejta, sensuale e impulsive; kurse pikturat janë kryesisht në frymëzim fauve. “Fokusi kryesor i Janos ka qenë harmonia e ndërtesave “klasike” me peizazhin rrethues, sidomos në Itali, ku janë bërë dhe shumica e vizatimeve.

Kjo ekspozitë nuk sjell për publikun vetëm sensibilitetin artistik dhe preferencat arkitektonike të Agron Janos; sipas Shabanit afirmohet rëndësia e skicimit dhe vizatimit si një pjesë vitale e procesit të projektimit, shprehisë artistike dhe vizionit personal, në një kohë kur renderat kompjuterikë duken të njëjtë në të gjithë botën. Ekspozita mban një linjë kuratoriale të konceptuar nga Esmeralda Dalipi, në trajtën e dualizmit midis kohës dhe personazheve.

Kjo retrospektivë ka si qëllim të nxirret nga “hija” një arkitekt-piktor, për të rrëfyer karakterin artistik të tij, duke ecur paralel me profesionin e tij, kryesisht gjatë qëndrimit në provincat e Lombardisë ku shumica e vizatimeve prezantojnë monumentet, piacat karakteristike të mbushura edhe me personazhe. Janë këto ndërtesa, që vijnë bashkë me natyrën e qyteteve, duke e eksploruar në çdo cep qytetin e Comos, ku qëndroi për një kohë të gjatë rreth 20 vite. “Mprehtësia e shikimit dhe saktësia e linjës i bëjnë këto pamje unike. Artisti tregon ndjeshmëri të madhe në portretizimin e kishave, dhe kryeveprave romane të Comos. Në mesin e veprave dallohet sheshi i njohur San Fedele me shtëpinë e lashtë prej druri, piaza Duomo në Como dhe Duomo në Milano, të përfaqësuara në dy periudha perspektiva të ndryshme, me vëmendje të veçantë në detaje dhe proporcione. Arkitektura karakteristike, e pasur me ornamente në vizatimet e Janos është përfaqësuar në mënyrë të përpiktë. Sheshet dhe ndërtesat karakteristike të qendrave historike italiane animohen pothuajse gjithmonë nga zogjtë, udhëtarët dhe personazhet kalimtarë që mbushin sheshet. Një detaj karakteristik që na bën kurioz me prezencën e saj është figura e një çifti, e përsëritur mbi më shumë se 36 vizatime të autorit… thotë kuratorja. Në krijimtarinë e Agron Janos nuk mungojnë portretet në formë skice realizuar gati në fshehtësi, gjatë udhëtimeve në Budapest, në Shtetet e Bashkuara, dhe në Paris. “Realizonte portrete me një linjë të shpejtë duke kapur në perfeksion karakterin e personazheve”.

Vizatimet e kësaj ekspozite, që kapin shifrën e pesëdhjetë veprave, janë të realizuara gjatë njëzet viteve të fundit, nga viti 1991 deri në vitin 1994 dhe nga viti 2011 deri në vitin 2012, që i përkasin rajonit të Lombardisë (Brianza, Como, Milano, Cantu, Canzo, Cuçiago, Inverigo, San Fedele) ku një pjesë e ekspozitës iu kushtohet pikturave. Kuratorja thotë se ajo është konceptuar që në fillim për të funksionuar si dualizëm, si dialog mes kohës, hapësirës dhe figurës njerëzore e prezantuar në tri cikle: Cikli i parë përbëhet nga vizatimet në bojë kine dhe flamastër të arkitekturës italiane. Cikli i dytë përbëhet nga figurat femërore në plazhin e Qerretit. Cikli i tretë dhe i fundit përbëhet nga portretet. “Thuhet shpesh se nga krijuesi, gjatë shtegtimit të tij të lodhshëm, ajo që mbetet përjetësisht është vepra. Veprat e çdo artisti janë ditar i jetës së tij, përpjekje të së bukurës ndaj së ligës dhe shëmtisë së botës. Ato janë vlerat që një artist lë pas, të krijuara përmes ëndrrash, gëzimesh e dhimbjesh, me gjithçka, edhe me vetë të papriturat e jetës”, shkruan, piktori Ksenofon Dilo, për këtë rrugëtim të veprave të Agron Janos.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

LSI bashkë me PD për votimin elektronik, KQZ: Aventurë

Situatë kaotike për reformën zgjedhore, ku LSI po përplaset me socialistët për...
Read More