Nuk ekziston përgjegjësia e sistemit, çdo krim është përgjegjësi personale

Nga Fitim Zekthi

Jo thjesht nga prania e pazakontë në tituj gazetash apo kronika televizionesh, por nga gjithë pamja që ofron realiteti sot në Shqipëri gati në çdo segment të tijin, kuptohet se krimi, trafiku i drogës, ai i prostitucionit, korrupsioni apo abuzimet me paratë publike janë në një pikë aq të lartë, sa shumëkush e sheh të pashpresë përmirësimin e kësaj gjendjeje dhe gjetjen e arsyeve për të mos emigruar. Tërë partitë politike, deputetët, ministrat flasin për luftë ndaj krimit, për Reformë në Drejtësi, për ndryshim apo përmirësim të sistemit, për sistemin që për një arsye apo mekanizëm bën të mundur këtë shkallë krimi. Gjuha që ata përdorin në përgjithësi synon të shfajësojë ata vetë duke ia mveshur një pjesë të përgjegjësive në mos të gjitha sistemit (nuk dihet se ç’kuptojnë me sistem, ndoshta tërë strukturën sociale, ekonomike, kulturore të vendit). Një aspekt i rëndësishëm i luftës ndaj krimit sigurisht që do t’i përkasë përmirësimit të institucioneve, si: prokuroria, gjykatat, policia në mënyrë që njerëz të aftë dhe të ndershëm të drejtojnë këto institucione, por elementi themelor në luftën ndaj krimit është ndryshimi i pikëpamjes mbi rolin apo përgjegjësinë e sistemit në sendërtimin e një krimi apo një situate kriminale. Pra, fillimisht do të duhet të mos fajësohet sistemi për krimin e askujt. Në këtë pikë kemi hyrë në një diskutim disi teorik, por është shumë e nevojshme të bëhet një dallim i tillë. Nuk është se krimi ka ideologji apo ngjyra politike por mënyra se si shihet lufta ndaj tij apo mënyra se si shpjegohen shkaqet dhe përgjegjësitë e atyre që kryejnë një krim do të kërkojë domosdo një shpjegim teorik që më pas çon në masa konkrete. Në vija të përgjithshme e djathta e mendon njeriun si një qenie që ka për përgjegjësi themelore të zhvillojë një betejë me veten, me dobësitë, epshet, tundimet dhe zhvillimi i kësaj beteje çon jo vetëm në shpëtimin e individit por edhe në ndërtimin e një shoqërie të mirë. Në këtë kuptim ashtu sikurse çdo individ është vetëm vetë përgjegjës për rënien në mëkat, për dhënien pas epshit, pas tundimit po ashtu ai është përgjegjës për çdo krim dhe duhet të mbajë përgjegjësi për të. E majta mendon se individi është produkt i shoqërisë dhe për çdo dhënie pas tundimit, pas epshit apo edhe për çdo krim që ai kryen përgjegjësia është e shoqërisë e cila ose nuk e ka edukuar këtë individ siç duhet ose nuk ka krijuar mundësi që ky individ të rritet dhe edukohet në një shoqëri të drejtë dhe të mirë dhe me mundësitë e duhura. Për të majtën një individ nuk ka për të zhvilluar një betejë me veten, por një betejë për të rregulluar shoqërinë pasi duke rregulluar shoqërinë atëherë edhe individët do të jenë më të mirë, krimi do të jetë më i vogël apo i pakët. Deri nga vitet 1980 në vendet e Europës perëndimore dhe ato të Amerikës së Veriut ishte sunduese ideja e majtë mbi përgjegjësitë e individit në kryerjen e një krimi dhe thuajse tërë politikat kulturore, sociale dhe kriminologjia ishte e ideuar që të jetësonte këtë qasje. Ideja e djathtë mbi luftën ndaj krimit konsiston në atë që quhet “ligj dhe rend”. Ligjet duhet të jenë të forta, të qarta dhe pa lënë mundësinë e dykuptimësive. Për të djathtën krimi nuk përcaktohet nga forca sociale por është një forcë brenda individëve. Sido që të jetë, vetë individët zgjedhin të bëjnë një krim. Përmirësimi i kushteve sociale nuk çon në ulje të kriminalitetit, përkundrazi forma të ndryshme të kriminalitetit shfaqen dhe rriten. Rehabilitimi i kriminelëve është një akt që nuk jep efekte ose jep shumë pak efekte. E djathta mbron idenë e dënimeve të ashpra. Metafora e të djathtës është ajo që vjen nga librat e shenjtë “një sy për një sy”, që në një farë mënyre do të thotë se njeriu duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për atë që bën dhe askush tjetër (sigurisht jo sistemi) nuk mund të mbajë përgjegjësi. E majta ka për metaforë personazhin e “Jean Valjeanit” të Hygo-it, i cili vjedh ose bën krime për shkak të kushteve sociale apo i shtyrë nga qëllime të mira. Në lidhje me gjendjen e rëndë të krimit në Shqipëri, për gjendjen e rëndë të mbjelljes së vendit me hashash, për përfshirjen e dyshuar të mjaft oficerëve të policisë apo të politikanëve të rëndësishëm në korrupsion nuk ka përgjegjësi asnjë lloj sistemi por vetë ata që i kanë kryer këto krime. Partia Demokratike duhet të adaptojë një qasje plotësisht të djathtë dhe të kërkojë ndryshime ligjore të cilat do të ndëshkojnë shumë ashpër trafikun e drogës, abuzimin me detyrën shtetërore, me paranë publike. Ligjet që ajo duhet të propozojë duhet të jenë të qarta dhe pa lënë shteg për mëdyshje me dënime që kalojnë 20 vitet e burgut. Çdokush, që nga polici, oficeri, drejtuesi, ministri, kryeministri, duhet të jenë subjekt dënimesh të rënda n.q.s. gjenden fajtorë. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me abuzimet me tenderat apo akte të tjera të korrupsionit. Pavarësisht se sistemi mund të jetë i korruptuar dhe pavarësisht se sistemi mund të ofrojë mundësi për t’u korruptuar, kjo nuk legjitimon askënd që të abuzojë dhe as i heq atij ndonjë grimë përgjegjësi. Të njëjtën logjikë në propozimin e ligjeve PD dhe opozita e djathtë duhet të ndjekë për dhunën në familje, dhunën ndaj grave, dhunën në përgjithësi. Në shtyp qarkullojnë kohë pas lajme ku, për shembull, një oficer garde dënohet me gjashtë muaj burg se ka përdorur si prostitutë një vajzë të mitur. Kjo është çmenduri. Dënimi duhet të ishte mbi 20 vjet. Në shtyp ka patur lajme se një i ri rrëmben ish- të dashurën në kafe, e mban dy ditë dhe pas një dhunimi të pandalur e lë të lirë. Ai dënohet me gjashtë muaj, që më pas bëhet asgjë. Ky krim duhet të jetë po ashtu mbi 20 vjet. Në shtyp ka patur lajme që një burrë përndjek një grua, e torturon me kërcënime dhe sms kudo dhe ai vetëm këshillohet. Ky krim duhet të dënohet shumë rëndë. Në qoftë se njerëzit besojnë se ose nuk dënohen fare sepse gjykata apo prokuroria korruptohen ose besojnë se dënimi është aq i vogël sa ai del shpejt, atëherë krimi do të lulëzojë fort e më fort.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Prishet koalicioni i vogël PS-LSI në nivel vendor, bllokohen këshillat bashkiakë

Ka marrë fund dje koalicioni PS-LSI në bashkinë e Tiranës. Përfaqësuesja e...
Read More