Nuk fitoi as e majta dhe as PS, fitoi një ‘strange leader’ si Edi Rama

Nga Ervis Iljazaj

Tashmë që rezultatet zgjedhore janë të qarta dhe ka vetëm një fitues, mund të thuhet se kjo është një fitore personale e Edi Ramës. Do të ishte normale që mbas një rezultati zgjedhor si ky të bëhej analiza nëse shqiptarët votuan majtas apo djathtas me gjithë kuptimet që kanë këto drejtime politike, por në kushtet kur këto të fundit janë vështirësisht të përcaktuara në realitetin shqiptar, kjo bëhet e pamundur. Nëse shohim të gjitha sjelljet apo retorikën e partive politike gjatë garës zgjedhore, por edhe përpara saj, kuptohet qartë që ato ishin larg të qenit me një flamur të qartë ideologjik, duke paraqitur kontradikta në idetë e tyre. Kjo bëri që gara politike të bazohej mbi besueshmërinë ndaj liderëve politikë. Besueshmëri që e ngjalli më shumë te qytetarët shqiptarë Edi Rama.

Askush nuk mund të thotë se Edi Rama është një socialist tipik. Edi Rama ka një meritë të madhe në reformimin e asaj partie për faktin se e ka çuar atë drejt një liberalizimi të majtë dhe rrugës së tretë, e cila është një linjë politike që është duke fituar terren gjithandej në Europë me zgjedhjet e fundit politike që u zhvilluan këtë vit në shumë vende. Një linjë politike e cila bazohet te konkurrenca në radhë të parë dhe të rishpërndarja në radhë të dytë.

Pikërisht ngaqë Rama nuk është një socialist tipik, por një liberal i cili krijoi në shumë sektorë konkurrencën dhe lirinë e tregut apo shërbime të shumta shtetërore nëpërmjet partneritetit publik-privat, fitoi simpatinë e shumë prej atyre që besojnë të iniciativa dhe liria ekonomike.

Pikërisht ngaqë nuk është një socialist tipik, por një liberal, me sjelljen e tij, por dhe me historinë e tij politike fitoi simpatinë e shumë prej ish të përndjekurve që reflekton qartazi një antikomunist të pandreqshëm.

Pikërisht ngaqë nuk është një socialist tipik ndërmori një sërë reformash të guximshme që shpeshherë ishin kundër një humanizmi fals dhe për shumë arsye mund t’i sillnin kosto elektorale për shkak se ishin politika jopopuliste, ai fitoi simpatinë e atyre që mendojnë që solidariteti është i rëndësishëm, por nuk është zgjidhja e vërtetë e problemeve ekonomike dhe shoqërore.

Pikërisht ngaqë nuk është një socialist tipik, akuzat me bllokmen ndaj tij të kundërshtarit politik ishin të pabesueshme dhe në këtë mënyrë fitoi simpatinë nga shumë të djathtë tradicionalë.

E megjithatë, mesazhi i tij i vërtet socialist, ai i të bërit shtet, mesa duket ishte mesazhi që e bindi elektoratin të votonte për të.

Nëse marrim në konsideratë armën e tij më të fortë, e cila është ajo e komunikimit dhe përcjelljen e mesazhit te qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe, mbi të gjitha personazhi i tij ekstravagant, që me sa duket rezultoi i pëlqyeshëm nga qytetarët, e bën atë fituesin absolut të këtyre zgjedhjeve. Po ashtu, kuraja e tij për të kërkuar një mandat të qartë dhe të plotë rezultoi bindëse.

Kjo ishte një garë elektorale midis figurave dhe personazheve të liderëve politikë që kandidonin për postin e Kryeministrit, e cila bazohej të batuta, besueshmëria apo personazhet, më shumë se sa te programet apo idetë politike. Një lloj gare e cila nuk është thjesht një fenomen shqiptar, por me evolucionin mediatik është një karakteristikë e shumë garave edhe përtej Shqipërisë. Këtë garë Edi Rama e fitoi në mënyrë absolute. Për të gjitha këto arsye, kjo mund të konsiderohet një fitore personale e tij.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Verë në Epidamn

Një festival i artit të muzave, - kështu e quan regjizorja Driada...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.