Nuk ka vend për alarm: Buxheti po kalon nga akademia te shkenca

Nga Klementin Mile

Vendimi i kryeministrit për t’i ndërprerë Akademisë së Shkencave financimin nga buxheti i shtetit ka alarmuar disa zëra në opinionin publik. Disa prej tyre, madje, janë vetë akademikët e këtij institucioni. Por a ka vend për alarm? Padyshim që kjo çështje meriton të diskutohet, por nga ana tjetër (dhe këtë e them duke mos qenë akademik, pra pa qenë në konflikt interesi), ky alarm duket fals. Ai nuk lidhet aspak me interesin publik për të bërë shkencë, por vetëm me interesin privat për të marrë ende rrogën si anëtar i Akademisë, ose me interesin partiak për të bërë opozitë politike ndaj qeverisë.

Por as interesi privat as ai partiak nuk janë receta të mira për të gjykuar politikat publike. Ata janë interesa të pjesshëm dhe, si të tillë, nuk përfaqësojnë tërësinë, kolektivin, shoqërinë, publikun. Mënyra e duhur për të gjykuar vendimin e kryeministrit është nga këndvështrimi i interesit publik. A shkon ky vendim kundër interesit tonë të përbashkët, apo, përkundrazi, ndihmon në përmbushjen e tij?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje nevojiten disa pyetje të tjera. Së pari, a është interesi publik për shkencën i lidhur me ekzistencën e një strukture apo të një funksioni? Cila prej tyre duhet të ketë prioritet? Vendimi i kryeministrit e interpreton shkencën si një funksion që mund të realizohet nga struktura të ndryshme, si p.sh. universitetet dhe institutet. Të alarmuarit prej vendimit kryeministror e shohin shkencën si të lidhur pazgjidhshmërisht me ekzistencën e një strukture, me Akademinë e Shkencave. Por, siç kanë treguar avancimet në teorinë sociale, nuk janë strukturat themeli i një shoqërie, por funksionet. Funksionet janë më jetëgjata se strukturat dhe kanë prioritet metodologjik ndaj tyre. Funksioni mund të na udhëzojë të përzgjedhim strukturën më të përshtatshme për ta realizuar atë, ndërkohë që struktura nuk mund të na udhëzojë se si të përzgjedhim funksionin e duhur. Prandaj, për interesin publik ka rëndësi parësore shkenca, jo Akademia. Vendimi i kryeministrit nuk është gjë tjetër veçse kalimi i parasë publike nga Akademia te shkenca.

Së dyti, a duhet që shkenca të financohet në bazë të paragjykimit apo të konkurrencës? Deri tani Akademia e Shkencave është paragjykuar pozitivisht si institucioni shkencor më cilësor në vend. Këtë paragjykim e mbart edhe ligji që rregullon veprimtarinë e Akademisë, kur në nenin 6 të tij flet për “shkencëtarë të shquar”, “me titull profesor”, “nivel të lartë shkencor”, “zgjidhje teorike dhe praktike të problemeve të një rëndësie të veçantë në fushën e shkencës” etj. Por, sipas raporteve për punën shkencore të Akademisë, këto rezultate kanë munguar për vite me radhë. Vendimi i kryeministrit për t’i ndërprerë financimin Akademisë i jep fund këtij paragjykimi pozitiv dhe i vendos të gjithë kërkuesit shkencorë në konkurrencë me njëri-tjetrin për të merituar fonde publike.

Së treti, a duhet financuar e shkuara apo e ardhmja? Pa dyshim që anëtarët e sotëm të Akademisë së Shkencave kanë dhënë kontribut të vyer për zhvillimin e mendimit shkencor në vend. Por shkenca është një sipërmarrje e pafundme, tezat shkencore trajtohen si të vërteta deri në momentin që dalin shpjegime të tjera, më të besueshme dhe më të mbështetura empirikisht se të parat. Shkenca, në këtë kuptim, i përket gjithmonë së ardhmes. Vendimi i kryeministrit flet për ngritje bibliotekash shkencore të universiteteve, për financim të kurseve të anglishtes (si gjuha ndërkombëtare e shkencës) dhe për regjistrim në revistat shkencore prestigjioze të botës. Të gjitha këto janë investim për të ardhmen e shkencës në vend, duke i dhënë kështu fund financimit “mirënjohës” (por jo në shërbim të shkencës) për kontributet e së shkuarës.

Së katërti, a është shkenca moniste apo pluraliste? Të alarmuarit nga vendimi i kryeministrit theksojnë vlerën e madhe të studimeve të anëtarëve të sotëm të Akademisë së Shkencave. Ndoshta kanë të drejtë, ndoshta jo. Por sidoqoftë, shkenca nuk është moniste. Vlera shkencore e punimeve nuk përcaktohet subjektivisht prej gjykimit të autorit, as të miqve të tij, por iu nënshtrohet pikëpamjeve dhe argumenteve të ndryshme në një komunitet pluralist dhe ndërsubjektiv shkencëtarësh. Për këtë shërbejnë revistat shkencore ndërkombëtare, me faktor impakti dhe kritere të rrepta cilësie. Akademikët, na thonë raportet, kanë dështuar edhe këtu.

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kazuo Ishiguro fiton Nobelin në letërsi

Kazuo Ishiguro fiton Nobelin në letërsi për vitin 2017.  Pavarësisht se disa...
Read More