Nuk kemi se ç’të humbim; ne të humbur që të humbur jemi

Nga Mustafa Nano

Ngjarjet e fundit (ndjekja penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm, lirimi i një të burgosuri bujëmadh, dhe ndalimi i një gjyqtari, të cilit i janë gjetur në shtëpi disa qindra mijëra lekë të rinj) kanë risjellë në qendër të vëmendjes Reformën në Drejtësi, e cila është ende në hapat e parë të sendërtimit të saj. Makina e reformës ka filluar të ndizet. Shumë shpejt do kemi strukturat e reja që do krijohen në zbatim të amendamenteve kushtetuese. Dhe ky është një lajm i mirë në këto kohë, kur lajmet e mira janë me pikatore.

Ndërkaq, ka filluar vettingu në polici. E kemi lidhur gjithë kohën këtë term të panjohur deri para disa muajsh prej shumicës së njerëzve me futjen në sitë të gjyqtarëve e të prokurorëve, dhe ja që, nën efektin e ngjarjeve të kohëve të fundit kriminale që kanë për sfond e për burim kanabizimin e vendit, kjo punë ka filluar me policët. Një nga dëmet më të mëdha që solli kanabizimi i vendit ka qenë kriminalizimi dhe alienimi i policisë. Me “kriminalizim” kam parasysh faktin që një pjesë e policisë u vu në shërbim të grupeve që drejtonin në terren “biznesin” e kanabisit. Me “alienim” kam parasysh faktin që pjesa tjetër e policisë, ndonëse nuk iu bashkua pjesës së parë, u shfunksionalizua, i braktisi parimet e veta deontologjike, i la gjërat të ndodhnin, nuk bënë asnjë denoncim të situatës, apo thënë me vetëm një fjalë, u dorëzua. Unë nuk do ta bëja me faj këtë pjesë të policisë që, është si është, është më e mira që kemi. Me çdo standard normal gjykimi, këta policë do të ishin gjithashtu fajtorë, por ne duhet të shtiem në punë standardin shqiptar. Nuk duhet t’u kërkojmë atyre trimërira që nuk do kishim për t’i bërë as ne vetë. Kanabizimi i vendit ishte punë shefash, jo punë vartësish.

Lind pyetja: Duhet ta besojmë vettingun në polici? Unë vetë e kam një përgjigje: Ky vetting nuk do jetë i besueshëm, nëse drejtori i policisë së shtetit mbetet aty ku është. Haki Çako mund të dalë i larë në gjithë këtë proces, ai mund edhe ta mundë makinën e së vërtetës, atij mund të mos i dalë asgjë komprometuese, e prapëseprapë, ai nuk mund të rrijë aty ku është. Ai duhet të japë dorëheqjen. Duhej ta kishte dhënë, madje. Kanabizimi i vendit ka filluar të intensifikohet e ekstensifikohet bash në vitet që ky ka qenë në krye të policisë (pas vitit 2015). Mjafton ky përkim që ai ta lërë atë detyrë. Nuk ka fare rëndësi se ç’mund t’i dalë tjetër. Ky njeri në fund të fundit mund të jetë një zotëri i vërtetë, mund të jetë një polic me të gjitha trajnimet e mundshme e me të gjitha kredencialet e duhura akademike, mund të mos jetë përzierë kurrë në vetë të parë me asnjë zullum në jetën e tij, apo edhe në karrierën prej polici, por fakti që gjithçka ndodhi nën hundën e tij e lë atë pa asnjë alibi. Prandaj Çako as që duhet të futet në procesin e vettingut. Nëse ka një koshiencë të pastër prej polici patriot, duhet të largohet prej postit që mban, duke u pajtuar (gjithnjë, nëse është në rregull me ndërgjegjen e vet) me lojën e ashpër që rrethanat kanë luajtur kundër tij. E pasi të largohet, do bëjë mirë edhe të shprehet, të na thotë pse ndodhi kanabizimi, si ndodhi, pse ai nuk ishte në lartësinë e detyrës, çfarë pengesash ka patur, çfarë urdhrash ka marrë, cili është roli i kryeministrit Rama në këtë histori etj. etj. Përndryshe, nëse nuk largohet, do ta komprometojë të gjithë procesin e vettingut në polici që, ndonëse nuk ka qenë në axhendën e askujt, ka dalë tani (për shkak të kanabizimit e të kriminalizimit që prodhoi kanabizimi) si një aksion i rëndësishëm. Aq sa të vjen të thuash, më mirë që ndodhi kështu.

Por gjëja më me rëndësi në ditët e sotme është Reforma në Drejtësi, e cila, për shkak të impaktit të parashikueshëm, pritet të ballafaqohet me rezistencë në rritje. Kjo rezistencë është paralajmëruar tanimë. Deri këtu kemi ardhur mes një mijë mundimesh e lojërash. Rama bëri çmos ta monopolizonte reformën, bëri çmos ta shiste si një betejë mes tij e të tijve, që ishin kinse të interesuar në betejën kundër korrupsionit, dhe pjesës tjetër të politikës, që na qenkësh e vetmja lagje e korruptuar. Kësaj beteje të Ramës i ka rënë kallaji tanimë, duke i bërë të gjithë, edhe dashamirësit e Ramës, të kuptojnë se Rama është si të tjerët, se ai nuk ka pasur e nuk ka asnjë interes që kjo reformë të bëhet ashtu si duhet, se kthetrat e kësaj reforme (kështu përfytyrohet nga shumë vetë kjo reformë, si një bishë, me kthetra) “do të kapin mish” më së pari, në tufën e tij. Paternalizimi që i bëri ky reformës e bëri pis këtë të fundit, duke legjitimuar deri në një farë mase edhe rezistencën që iu bë reformës nga krahu tjetër. Por duhet thënë se kjo rezistencë bëhej nën motivime të tjera. Në krahun e opozitës ka mbretëruar qysh në fillim një frikë e hapur. Prania e fortë e të huajve në këtë proces nuk mundi t’i qetësonte ata. Përkundrazi, ishte, dhe është, kjo prani që ata i shqetëson. Dhe nuk lanë gur pa lëvizur që ta sabotonin këtë reformë, derisa në një moment nuk po bëheshin fare merak që po e tregonin hapur se kishin frikë. Dhe kjo rezistencë nuk ka marrë fund. Madje, ka për të qenë më e fortë e më e troçtë në muajt që do të vijnë. Janë kapur pas Ramës, si përgjegjësi kryesor i kanabizimit të vendit, dhe do ta përdorin këtë kartë për të delegjitimuar e refuzuar çdo hap të zbatimit në praktikë të reformës. Qysh tani kanë filluar të marrin në mbrojtje Adriatik Llallën, një nga zyrtarët më të këqij që ka pasur ndonjëherë administrata shqiptare. Duket se ky nuk dëshiron të largohet. Duket se ka në plan të kapet pas çdo dege të mundshme. Këtij i mbaron mandati në dhjetor, dhe është e sigurt që opozita do ta lexojë shkarkimin e tij si një përpjekje të mazhorancës për të marrë nën kontroll prokurorinë. E do të bëjë rrëmujën e radhës. Duke mbrojtur një njeri që qoftë edhe për kanabizimin e vendit ka përgjegjësi të paktën aq sa Haki Çako. Kanabizimi ndodhi nën hundën e Adriatik Llallës, gjithashtu. Asnjë gisht nuk lëvizi. Dhe ky është mëkati më i vogël që ai ka bërë.

Zbatimi në praktikë i reformës do të monitorohet nga të huajt por, siç thashë, ky fakt ka sjellë shqetësim, e jo ngushëllim, tek opozita. Dhe prandaj, rrëmujën do ta vijojë pavarësisht se diplomatët e huaj do t’u bëjnë apel që të mos e vonojnë apo bllokojnë reformën. Në këtë rrëmujë do të mbështeten edhe nga intelektualë, publicistë e analistë, të cilët e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre: Të huajt po e teprojnë, po e bëjnë baltë. Madje, ka disa syresh që për Lu-në e për të tjerë, edhe për politikanë të rëndësishëm të Europës që nuk kanë mbajtur ison e opozitës, bëjnë aluzione e insinuata të natyrës korruptive. “Janë të korruptuar prej Ramës”, thonë. Vini re: Nuk shfaqin bezdi prej rolit uzurpator që ambasadorët po luajnë (por që është një rol që atyre u ka mbetur në dorë by default, ç’është e vërteta). Po ta bënin këtë, po të shfaqeshin si sovranistë, edhe do kishte logjikë (jo edhe aq, të kuptohemi; sepse meraku për sovranitetin në Shqipërinë e sotme është si meraku i elitës bizantine në vitin 1453, teologë e laikë, mbi gjininë e engjëjve, teksa osmanët po kapërcenin muret e qytetit), por të flasësh mbi korrupsionin e të huajve, teksa këta të fundit janë të vetmit garantë të Reformës në Drejtësi, është mënyra më e mirë për të marrë në mbrojtje një klasë të tërë politike që ka për mision të vetëm të vetin të shpëtojë kryet.

Donald Lu lëshoi një bombë para tri ditësh: Në janar do të kapen peshqit e mëdhenj. Kjo ka shastisur shumë vetë. Edhe mua. Në janar? Pse në janar? Po cilët janë këta peshq të mëdhenj? Është kopsitur dosja e tyre? Kush e ka kopsitur? Po sikur gjyqtarët t’i injorojnë provat e t’i shpallin të pafajshëm? Siç shihet, ka shumë pyetje që lindin. Dhe përgjigja e tyre, besoj, lidhet me hapat e reformës, sidomos me largimin e Llallës e me krijimin e SPAK-ut. Sa për dosjet e akuzës, ato mund të jenë bërë gati edhe nga të huajt që janë të informuar mbi të gjitha prapësitë e bëra në këtë vend më shumë se shumë përfaqësues institucionesh ligjzbatuese. E kanë treguar me vepra që janë të mirinformuar. Sidoqoftë, unë nuk shoh asgjë në mala fide në këtë mes. Nuk shoh asnjë interes për t’i bërë dëm Shqipërisë. Nuk shoh asnjë komplot antishqiptar. Dhe nuk kam asnjë arsye të mendoj se Rama, Meta, Basha e Berisha e duan Shqipërinë, ndërsa Lu-ja, e të tjerë si ai, e kanë halë në sy, e mezi presin ta shohin keq e më keq (edhe pse më keq se sa kaq si zor të ketë).

Një apel do kisha për të gjithë ata që në Shqipëri e kanë një zë. Le ta shohim këtë që po ndodh si një rast për ta zhbërë krejt këtë klasë politike, që na ka kapur të gjithëve për fyti. Le të shpresojmë se me peshqit e mëdhenj kanë në mendje bash ata, peshqit e mëdhenj. Le të shpresojmë që këtyre peshqve të mëdhenj (po e përsëris: kanë sot për sot vetëm një mision, të mbrojnë veten e familjet e tyre) u ka ardhur fundi. Le të ndahemi prej atyre që sulmojnë njërën palë për t’i bërë një shërbim palës tjetër. Nëse ka një gjë pa kuptim këto kohë është të sulmosh njërën palë për llogari të palës tjetër. Le ta bashkojmë zërin për të thënë se rrëzimi nga pushteti i Ramës dhe risjellja në pushtet e Berishës, Bashës, Metës nuk është një opsion. Le ta bashkojmë zërin për të thënë se opsioni i vetëm është ta rrëzojmë këtë klasë politike, Ramën të parin, sepse është edhe kryeministër, e më pas Berishën, Metën, Bashën.

E që kjo të mos mbetet një shpresë e vakët, le t’u japim mbështetje të huajve në këtë aksion, të cilët janë të vetmit që duan, dhe mundin, ta bonifikojnë deri në një farë mase këtë moçalin tonë. Nuk kemi se ç’të humbim. Ne të humbur që të humbur jemi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fati i Ballist Morinës, Bushati: Po bëjmë gjithçka për të penguar ekstradimin

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaron se shteti shqiptar ka bërë gjithçka...
Read More