Nuk na duhet një qeveri antimafie, na duhet një prokurori antimafie

Nga Ervis Iljazaj

Nga ngjarjet e fundit, është e qartë që Shqipëria ka një problem që nuk mund të anashkalohet, atë të krimit dhe lidhjet e tij me politikën. Këtë fakt e përforcojnë gjithmonë e më shumë deklaratat e fundit të aleatëve tanë ndërkombëtarë, dhe sidomos ato të ambasadorit amerikan Donald Lu, që nuk nguron të përmendi me emra dhe mbiemra grupet kriminale dhe politikanë të implikuar.

Në të gjithë këtë histori, politika me të drejtë bën lojën e saj. Mazhoranca përpiqet të reduktojë kostot që çështja Tahiri dhe histori të tjera kanë mbi të, ndërsa opozita kërkon të fitojë kredenciale politike në sytë e opinioni publik në këtë moment të vështirë për mazhorancën.

Opozita ka të gjithë të drejtën të maksimizojë politikisht këtë situatë, dhe detyrën e saj po e kryen më së miri, mirëpo interesi i qytetarëve shqiptarë, është më i gjerë se sa interesat e mirëfilltë politikë legjitimë të opozitës.

Opozita shqiptare kërkon një qeveri antimafie, të tipit qeveri teknike si zgjidhje e problemeve të krimit në vend, dhe ka të gjithë të drejtën ta kërkojë. Mirëpo kjo nuk është zgjidhja. Para se të japim zgjidhjen e problemit, më parë duhet të përcaktojmë tipologjinë e problemit.

Gjendja e kriminalitetit në vend, është rritur si pasojë, edhe të përgjegjësisë që ka qeveria, por lufta ndaj tij fitohet vetëm nëpërmjet drejtësisë. Në këtë kuptim ajo që duhet në këto momente është një prokurori antimafie dhe jo një qeveri antimafie.

Kudo që janë shfaqur fenomene të tilla, zgjidhja në thelb e problemit ka qenë një prokurori që nuk ka kursyer asnjë në këtë betejë. Edhe në vende si Italia, ku fenomenet mafioze kanë qenë në nivele të larta, të pakrahasueshme me realitetin shqiptar, betejën kundër saj e ka zhvilluar drejtësia, sepse është misioni kushtetues i saj. Edhe atje, shpeshherë janë formuar qeveri me synimin për të luftuar kriminalitetin, por asnjëherë nuk kanë qenë të suksesshme.

I vetmi sukses kanë qenë urdhër-arrestet e nxjerra nga prokurorë guximtarë dhe profesionistë. Kështu që, një problemi ligjor nuk mund t’i japim një zgjidhje politike.

Nëse do të ndodhë kështu, atëherë, do të vazhdojnë të ndërrohen qeveritë, dhe përgjegjësit do të mbeten pa dënuar.

Interesi publik, është që përgjegjësit kryesor të kriminalitetit në vend është që të dënohen sipas ligjit, në mënyrë që t’i japim fund njëherë e mirë kulturës së pandëshkueshmërisë. Në të kundërt, do vazhdojmë të zhvillojmë një show politik, dhe askush nuk do të dënohet për përgjegjësitë që ka patur në të gjithë këtë histori.

Pa dyshim, që qeveria do të marrë kostot e saj, pasi Reformën në Drejtësi e ka propaganduar fort gjatë gjithë kësaj kohe dhe gjatë fushatës zgjedhore si nja nga objektivat e saj kryesorë. Në këtë kuptim, ka për detyrë të japë përgjigje përpara qytetarëve shqiptare se sa seriozisht e kishte këtë premtim, nëpërmjet vullnetit që do të tregojë për të bashkëpunuar me drejtësinë për të luftuar krimin e organizuar.

Ajo do të jetë përgjegjëse përpara shqiptarëve dhe politikisht, nëse pengon apo saboton hetimet e drejtësisë në këtë betejë.

Kjo është e vetmja mënyrë që njeh demokracia, llogari politike ku gjykatës është populli, dhe llogari ligjore, ku gjykatës janë organet përkatëse të përcaktuara në Kushtetutë. Nëse do të ngatërrojmë të dyja këto gjykime, nuk do të arrijmë asnjërën prej tyre.

Qeveria aktuale pa përjashtim duhet t’i nënshtrohet hetimit nëse ka përgjegjësi ndaj drejtësisë. Vetëm në këtë mënyrë problemi zgjidhet në gjenezën e tij, atë të drejtësisë, të gjitha mënyrat e tjera janë një show politik për të kaluar radhën.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ilir Meta para se të bëhej president

Cili ishte studenti i shkëlqyer i ekonomikut që në vitin 1991 nisi...
Read More