Numërimi elektronik i votave mund të manipulohet

Nga Prof. Dr. Fejzi Kolaneci

“Vetëm një shtresë e hollë delikate e ndan të vërtetën nga mashtrimi i sofistikuar. Është detyrë e shkencëtarëve të studiojnë këtë shtresë dhe të nxjerrin në dritë të vërtetën”– Andrei Nikollajeviç Kollmogorov (1903-1987)

“Demokracinë nuk e bën votimi, por e bën numërimi i votave”– Sir Tom Stoppard (1937- )

“Numërimi i votave është “Thembra e Akilit” e zgjedhjeve parlamentare, presidenciale ose vendore të zhvilluara në shtete demokratike”Fejzi Kolaneci (1940- )

Pushteti politik mund të fitohet padrejtësisht dhe të mbijetojë jo vetëm nëpërmjet diktaturës por edhe me anë të mashtrimit zgjedhor, të përdorur nga disa parti politike, grupe interesi ose individë në zgjedhjet parlamentare, presidenciale ose vendore. Në qoftë se mashtrimi zgjedhor nuk zbulohet, ose populli nuk informohet për të, atëherë populli nuk do të kuptojë se u vodh Demokracia dhe do të shpresojë në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme. Një komponent i mashtrimit zgjedhor është manipulimi (falsifikimi) i rezultateve zgjedhore me ndihmën e numërimit elektronik të votave. Por, mashtrimi zgjedhor ka edhe komponente të tjera; për shembull, blerjen e votës. Numërimi elektronik i votave në zgjedhjet parlamentare, presidenciale ose vendore ka mangësi teorike dhe mangësi praktike. Mangësia teorike e numërimit elektronik të votave buron nga Teorema Chaitin e Paplotësueshmërisë, e cila studiohet në Teorinë Algoritmike të Informacionit.

Gregary John Chaitin (1947- ) është një shkencëtar i shquar amerikan, me prejardhje nga Argjentina. Interesat shkencore të tij janë në Shkencat Kompjuterike, Matematika dhe Biologjia. G.J.Chaitin konsiderohet themelues i Teorisë Algoritmike të Informacionit në vitin 1987. Jepen shkurtimisht kuptimet e koncepteve “algoritm” dhe “informacion”, duke u bazuar në Matematikën dhe Shkencat Kompjuterike. Algoritëm quhet një bashkësi rregullash që duhet të zbatohet në llogaritjet matematike ose në operacione të tjera të zgjidhjes së problemeve nga fusha të ndryshme, veçanërisht duke përdorur edhe kompjuterin. Informacion quhet përfitimi, pranimi ose miratimi i të dhënave, njohurive shkencore ose i atësive mendore, duke u bazuar në studime, kërkime shkencore në udhëzime të publikuara ose nëpërmjet komunikimit privat.

Informacioni ka qëllim kryesor zvogëlimin e pasigurisë të proceseve ose fenomeneve të shqyrtuara. Një koncept tjetër i rëndësishëm që nevojitet për të kuptuar qartë shkrimin e tanishëm është “Kompleksiteti i Kollmogorovit” (në anglisht, “Kollmograrov’s Complexity”). “Kompleksiteti i Kollmogorovit” (ose kompleksiteti sipas Kollmogorovit ose kompleksiteti algoritmik) i një objekti të çfarëdoshëm është gjatësia më e vogël (gjatësia minimale) e programit kompjuterik (në një gjuhë kompjuterike të paracaktuar) që e prodhon si dalje këtë objekt. Ky përkufizim është dhënë në vitin 1963 nga matematikani gjenial rus A.N.Kollmogorov.

Teorema Chaitin e Paplotësueshmërisë (ose, më mirë, Teorema Chaitin e Paplotësueshmërisë Informative) është e bazuar në konceptin “Kompleksiteti i Kollmogorovit” dhe formulohet kështu: Shqyrtohet një sistem informativ S i çfarëdoshëm. Vërtetohet se ekziston një kufi i poshtëm L i kompleksitetit Kollmogorov, i tillë që për çdo unazë të dhënash gjendet (ndërtohet) një pohim P në sistemin informativ S, i cili e ka kompleksitetin Kollmogorov më të madh se L: Kompleksiteti Kollmogorov (P) >L.

Sqarim

Koncepti unazë kënaq 8 aksiomat e Algjebrës Abstrakte dhe supozohet i njohur. Sqarime për konceptin unazë gjenden në Google. Vërtetimi i Teoremës Chaitin të Paplotësueshmërisë gjendet në librin: Chaitin, G.(2003). Algorithmic Information Theory (second edition), Cambridge University Press. Ky vërtetim bazohet në përdorimin e Algoritmit Chaitin, i cili përmban edhe programe kompjuterike të sofistikuara. Teorema Chaitin e Paplotësueshmërisë është zhvilluar më tej në vitin 2012 nga Profesor Christopher P.Porter i Universitetit Paris 7. Numërimi elektronik i votave në zgjedhjet parlamentare, presidenciale ose vendore, të zhvilluara në shtete demokratike bashkëkohore, lehtëson manipulimin e rezultateve të këtyre zgjedhjeve. Ky manipulim fokusohet (përqendrohet) në Algoritmin Chaitin dhe kryhet nga hakerat (domethënë, nga persona me kualifikim të lartë në përdorimin dhe teknologjinë e kompjuterëve, sidomos ekspertë në programet kompjuterike).

Në qoftë se do të përdoren makina elektronike ose makina mekanike për numërimin e votave, atëherë këto makina mund të programohen nga hakerat për të transferuar një numër (ose përqindje) të caktuar votash pro kandidatit A, në favor të kandidatit tjetër B ose C… Gjithashtu, makinat e numërimit elektronik të votave mund të programohen nga hakerat për të bërë edhe hile (mashtrime, manipulime) të tjera të rezultateve zgjedhore. Ekzistojnë pasiguri në numërimin elektronik të votave në zgjedhjet parlamentare, presidenciale ose vendore sepse nuk mund të llogaritet probabiliteti i mashtrimit zgjedhor, i cili e përmbys rezultatin e këtyre zgjedhjeve në shkallë (nivel) kombëtar, bashkie ose zone zgjedhore, duke shpallur fitues një humbës në këto zgjedhje (dhe duke shpallur humbës fituesin e vërtetë). Këto pasiguri në numërimin elektronik të votave shoqërohen me riskun e dështimit të procesit zgjedhor dhe të Demokracisë, sepse zgjedhjet kanë një fitues të pamerituar, për shkak të mashtrimit zgjedhor të gjeneruar nga hakerat në Algoritmin Chaitin.

Prandaj, numërimi elektronik i votave në zgjedhjet parlamentare, presidenciale ose vendore është i papërshtatshëm (i paharmonizueshëm) me Demokracinë. Numërimi elektronik i votave përmban një gotë me helm (Algoritmin Chaitin), që kërcënon fuqimisht Demokracinë. Nuk duhet lejuar kurrsesi që arritjet shkencore të A.N. Kollmogorov, G.J. Chaitin, C.S. Calude etj., të keqpërdoren nga politikanët ose pushtetarët. Në vitin 2002 matematikani japonez Kohtara Tadaki ndërtoi Algoritmin Tadaki, i cili është më i sofistikuar se Algoritmi Chaitin. Përdorimi i Algoritmit Tadaki nga hakerat në numërimin elektronik të votave mundëson një mashtrim zgjedhor shumë të ndërlikuar të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, presidenciale ose vendore të zhvilluara në shtete demokratike. Sot ka hakera rusë, japonezë, kinezë, indianë, amerikanë, rumunë etj., të cilët e njohin shumë mirë Algoritmin Tadaki.

Probleme kyçe të numërimit të votave në zgjedhjet parlamentare, presidenciale ose vendore, të zhvilluara në shtete demokratike janë:

  1. Rezultatet e numërimit të votave duhet të jenë të vërteta, të pamanipuluara.
  2. Rezultatet e numërimit të votave duhet të jenë të besueshme nga populli.
  3. Rezultatet e numërimit të votave duhet të jenë transparente në kontrollet e ushtruara nga ekspertët.

Fatkeqësisht, numërimi elektronik i votave mund të gjenerojë rezultate zgjedhore të falsifikuara, të pabesueshme nga populli ose (dhe) jotransparente. Disa manipulime të dokumentuara të rezultateve zgjedhore në shtete të ndryshme të botës, të cilat janë mundësuar nga përdorimi i numërimit elektronik të votave, paraqiten shkurtimisht më poshtë.

  1. Manipulime të rezultateve zgjedhore nëpërmjet numërimit elektronik të votave janë evidentuar në zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara në Amerikë në tetor 2006. Konkretisht, këto manipulime janë dokumentuar në Florida, Arkansas, Ohio, Pennsylvania, Miami, Hollywood etj.
  2. Në zgjedhjet vendore të vitit 2008 të zhvilluara në Amerikë janë dokumentuar manipulime të rezultateve zgjedhore nëpërmjet përdorimit të numërimit elektronik të votave në California, Texas, Virginia, New Jersy, Illinois etj.
  3. Në vitin 2010, disa studentë hakera nga Universiteti Michigan ndërhynë në sistemin e votimit online të District Columbia, me qëllim që një sasi e caktuar votash të shkonin për kandidatët e preferuar të tyre. Këtyre hakerave iu nevojitën gjithsej 16 orë pune për të manipuluar rezultatet zgjedhore.
  4. Në Finlandë, në muajin prill të vitit 2009, Gjykata Supreme Administrative i deklaroi të pavlershme rezultatet e një votimi elektronik pilot në 3 bashki dhe urdhëroi rivotim në këto 3 bashki, sepse sistemi i votimit elektronik gaboi 2.5% në numërimin elektronik të votave. Duke u bazuar në këtë fakt, Qeveria Finlandeze e braktisi numërimin elektronik të votave në shkallë kombëtare.
  5. Në 30 tetor 2006, ministri i Brendshëm i Holandës hoqi licencën e 1187 makinave të numërimit elektronik të votave në zgjedhjet parlamentare sepse u vërtetua nga The General Inteligence and Security Service se rezultatet e numërimit elektronik të votave mund të manipuloheshin nga një distancë deri në 50 metra. Shërbimi Inteligjent i Holandës nuk iu besoi kompjuterëve në numërimin elektronik të votave! Kjo deklaratë u bë (u aprovua, u konfirmua) nga vetë punonjësit e Shërbimit Inteligjent të Holandës!
  6. Deri në shtator 2012, shumica e votuesve skocezë ishin të paqartë për rezultatet e numërimit elektronik të votave në zgjedhjet e majit 2007 të zhvilluara në Skoci.
  7. Në 2 korrik 2008, në Raportin e Ekipit të Vrojtuesve të Pavarur theksohej: “Nuk ka fakte të mjaftueshme për të deklaruar të besueshme rezultatet e numërimit elektronik të votave në zgjedhjet vendore të majit 2008 për Kryetarin e Bashkisë së Londrës, sepse rezultatet zgjedhore nuk pasqyronin me besnikëri (me saktësi) preferencat individuale të votuesve”. Vrojtuesit e Pavarur nuk mund të kontrollonin shkallën e saktësisë të numërimit elektronik të votave, për shkak të kompleksitetit sipas Kollmogorovit. Sqarojmë se ky Ekip i Vrojtuesve të Pavarur përbëhej nga 27 persona. Për numërimin elektronik të votave në Londër u shpenzuan 4.5 milion paund për kompaninë Indra.
  8. Jo votimit elektronik në Gjermani! Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane vendosi në datën 3 mars 2009 se votimi elektronik i përdorur gjatë viteve 2000-2009 në Gjermani, duke përfshirë edhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, ishte jo kushtetues dhe prandaj të mos përdorej në zgjedhjet e shtatorit 2009. Përdorimi i votimit elektronik në Gjermani ishte sfiduar (kundërshtuar) nga profesori i shquar i shkencave politike Joachim Wiesner dhe djali i tij, fizikani i shquar Ulrich Wiesner, të cilët u ankuan se votimi elektronik nuk është transparent, sepse votuesit nuk mund të kontrollojnë çfarë ndodh në të vërtetë me votat e tyre, duke kërcënuar që ata (votuesit) t’i besojnë verbërisht teknologjisë së përdorur për numërimin e votave. Makinat elektronike të votimit, të prodhuara nga firma gjermane Nedap, nuk printonin vërtetime personale për kandidatin e preferuar të secilit votues. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane theksonte se “mashtrimi zgjedhor i qëllimshëm duke manipuluar programet kompjuterike për numërimin elektronik ose mekanik të votave mund të zbulohet me shumë vështirësi dhe pas disa vitesh”. Këtu nënkuptohet përdorimi i Algoritmit Chaitin në numërimin elektronik të votave, për të manipuluar rezultatet zgjedhore. Bazimi teorik është Teorema Chaitin e Paplotësueshmërisë Informative, e kombinuar me Kompleksitetin sipas Kollmogorovit.
  9. Shkencëtarët e shquar Mikhail Mjagkov, Peter C.Ordeshook dhe Dhimitri Shakin kanë publikuar në vitin 2009 një libër mbi Mashtrimin Zgjedhor në zgjedhjet presidenciale, parlamentare ose vendore të zhvilluara gjatë viteve 2004-2007 në Rusi dhe Ukrainë. Ky libër është botuar nga Cambridge University Press. Në këtë libër raportohen metastaza manipulative të numërimit elektronik të votave në zgjedhjet presidenciale të vitit 2007 të zhvilluara në Rusi: 10 milion vota të dyshuara për mashtrim zgjedhor! Në Ukrainë, në zgjedhjet presidenciale të zhvilluara në vitin 2004, numri i votave të manipuluara është vlerësuar më i madh se 1.5 milion vota dhe më i vogël se 3 milionë vota.
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A janë “arrestimet” kushti i vetëm për hapjen e negociatave

Nga Ervis Iljazaj Duken si dy fjalë që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën,...
Read More