Numërimi: Zbulohet “loja” e PS-së kundër LSI-së

PS kërkon hapjen e 9 kutive të votimit në Tiranë me pretendimin se PDIU-së i janë dhënë 40 vota më shumë sesa i takojnë. Identifikimi i menjëherhëm i numrave të kutive hedh dyshime se numëruesit e PS ishin orientuar që t i kalonin vota PDIU me qëllim që ajo t’i merrte mandatin e pestë LSI

Nga Fejzi Braushi

Përcaktohet sot fati i mandatit të 34-t të deputetit për Tiranën. KQZ do të marrë në shqyrtim sot dy kërkesat që janë paraqitur nga PS dhe PDIU që kanë për objekt hapjen e një numri të konsiderueshëm kutish votimi, rinumërimin e votave dhe pasqyrimin e rezultateve të reja në tabelën përmbledhëse të rezultateve për qarkun e Tiranës. Socialistët kërkojnë hapjen dhe rinumërimin e votave të 9 kutive të votimit, ndërsa PDIU hapjen dhe rinumërimin e 29 kutive të tjera. Të dyja forcat pretendojnë se rezultati i miratuar për këto kuti nuk është i saktë dhe se një numër i madh votash është tjetërsuar për forca të tjera. PDIU pretendon se në këto 29 kuti gjenden më shumë vota sesa asaj i janë shënuar në tabelën e rezultatit, çka i mjaftojnë për të siguruar 3-përqindëshin e pragut elektoral dhe për të marrë mandatin e deputetit në Tiranë. Por ndërsa PDIU ka paraqitur prej disa ditësh tashmë kërkesën ankimore për rinumërimin e votave në 29 qendra votimi në Qarkun e Tiranës duke pretenduar se votat e saj janë tjetërsuar në favor të PS-së, kjo e fundit i është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë, me një kërkesë ankimore ku kërkon që të hapen dhe rinumërohen 9 kuti të tjera votimi, duke argumentuar se PDIU-së i janë dhënë më shumë vota sesa ka pasur realisht. Nbetet në dorën e KQZ-së nëse do të marrë në konsideratë provat që kanë paraqitur palët në këtë proces, megjithëse Kodi Zgjedhor e bën të detyrueshme hapjen e kutive kur kërkesa mbështetet nga dy anëtarë.

Kërkesa e PS

Socialistët pretendojnë se nga verifikimi i pamjeve filmike të 9 kutive, por edhe nga vlerësimet e bëra nga vëzhguesit, PDIU-së i janë shënuar më shumë vota se sa ka marrë realisht. Ajo kërkon hapjen dhe rinumërimin e votave në kutitë me nr. 1819, 1845/6, 1846/1, 1849/2, 1911/1, 1606, 1958/2, 2150/1, dhe 2225. Më konkretisht në kërkesën e saj PS pretendon se në QV-në nr.1819 PDIU-së i janë shënuar në tabelën e rezultateve 7 vota ndërkohë që realisht ajo ka pasur 4 vota. Në QV-në nr. 1845/6 PDIU-së i janë shënuar 16 vota ndërkohë që PS pretendon se ajo realisht ka 14 vota. Në QV-në nr. 1846/1 PDIU-së i janë shënuar 12 vota ndërkohë që PS pretendon se ajo realisht ka patur vetëm 8 vota. Në QV-në nr. 1849/2 PDIU-së i janë shënuar 20 vota ndërkohë që PS në kërkesën e saj argumenton se ajo ka patur vetëm 11 vota. Ndërkohë që në QV-në nr. 1911/1 në tabelën e rezultatit PDIU-së i janë shënuar 13 vota ndërsa PS pretendon se ajo realisht ka patur vetëm 3 vota. Një tjetër QV për të cilën PS ka shfaqur pretendime në KQZ është edhe ajo me numër 2150/1, në tabelën e rezultatit të së cilës PDIU-së i janë shënuar 32 vota ndërsa socialistët argumentojnë se ajo ka patur vetëm 28 vota. Në QV-në nr. 2225, PDIU-së i janë shënuar 104 vota ndërkohë që PS pretendon se ajo ka pasur realisht vetëm 97 vota. Pra, në total PS argumenton në kërkesën e saj se PDIU-së në vetëm këto 9 qendra votimi i janë dhënë në mënyrë të padrejtë më shumë se 40 vota më shumë sesa  ka pasur realisht.

Për këto arsye PS i kërkon KQZ-së që mbi bazën e fakteve dhe të pamjeve filmike të marrë në konsideratë kërkesën për hapjen e këtyre 9 kutive dhe të bëjë rinumërimin e votave dhe më pas edhe korrigjimin e tabelave të rezultateve për çdo KZAZ. Por natyrisht që një pretendim i tillë është i pavend për sa kohë që PS në të gjitha grupet e numërimit ka patur përfaqësuesit e vet. Nëse një gjë e tillë rezulton e vërtetë atëherë kjo tregon dy gjëra: ose numëruesit e PS janë shitur ose që mes PS dhe PDIU ka patur fillimisht një marrëveshje për ta mbështetur këtë të fundit me vota në mënyrë që ajo t’i merrte mandatin LSI-së. Dhe më i besueshëm është varianti i dytë, i cili konfirmohet nga burime nga PS të cilat kanë bërë të ditur se ka pasur një lloj orientimi të numëruesve për të favorizuar PDIU-në që kjo t’i merrte mandatin e pestë LSI-së. Por në momentin që LSI e siguroi mandatin e pestë në Tiranë dhe PDIU ishte shumë afër marrjes së mandatit që i përkiste PS-së, atëherë direktiva ndryshoi dhe numëruesit e PS nisën të kompensonin lëshimet që i kishin bërë PDIU-së në fillim. Ndaj dhe PS nisur nga fakti se ka qenë në dijeni të kësaj “marrëveshje” e ka pasur të lehtë të evidentojë kutitë e votimit ku ajo vetë ka pranuar të favorizojë PDIU-në dhe që tashmë kërkon të rinumërohen. Gjithsesi, do të jetë KQZ ajo që do të vërtetojë sot këto pikëpyetje në rast se do vendosë që të hapen kutitë e kërkuara.

Kërkesa e PDIU

Ndërkohë që pak ditë më parë edhe PDIU paraqiti ankimim në KQZ duke kërkuar hapjen e 29 kutive dhe rinumërimin e votave të tyre. Sipas përllogaritjes kësaj force i duhen edhe 38 vota që të arrijë pragun e nevojshëm prej 3 % dhe që ajo të mund të marrë një deputetë në Tiranë, që në këtë rast do të ishte kryetari Shpëtim Idrizi. PDIU pretendon se i ka këto vota në 29 kutitë për të cilat ka ngritur dyshimin se votat e saja i kanë kaluar partive të tjera. Kjo forcë ka paraqitur në publik edhe prova filmike që vërtetojnë këtë pretendim. Por në rast se pretendimet e ngritura nga të dyja këto forca do të rezultojnë të sakta, atëherë shanset që PDIU të arrijë 3 përqindëshin e pragut elektoral dhe të marrë për pasojë mandatin e deputetit, mbeten shumë të pakta. Kjo pasi si PS ashtu edhe PDIU pretendojnë afërsisht të njëjtin numër votash, çka po të dalë e vërtetë e lë diferencën përfundimtare në të njëjtat raporte. Në rast se PDIU do të marrë 1 mandat në Tiranë, atëherë ajo do të shkonte në kuotën e 4 deputetëve në total, ndërsa ajo që do të humbasë do të jetë PS e cila do të zbresë në 17 mandate në Tiranë dhe 73 në rang vendi. E gjithë kjo dilemë pritet të marrë zgjidhje përfundimtare sot kur KQZ ka vendosur t’i shqyrtojë së bashku të dyja kërkesa e paraqitura nga PS dhe PDIU. Ndërkohë që po sot pasdite KQZ do të marrë në shqyrtim edhe kërkesën e PD-së për Qarkun Berat. Demokratët kanë ngritur pretendime se për shkak të votimit dhe numërimit jo të rregullt dy kuti votimi në Berat duhet të shpallen të pavlefshme dhe numri i votave të tyre të zbritet nga tabela përmbledhëse për këtë zonë. Gjithashtu, PD ka kërkuar në kërkesën e saj edhe që në dy kuti të tjera të rinumërohen. Por ndërsa beteja ligjore për Qarkun e Tiranës ka ndikim direkt në shpërndarjen e mandateve për deputetë, në rastin e kërkesës së PD-së ajo nuk sjellë asnjë pasojë veç faktit që delegjitimon publikisht zgjedhjet dhe nxjerr në pah parregullsitë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zgjedhjet në Gjermani konfirmuan projektin europian, por dhe rrezikun e tij

Nga Ervis Iljazaj Angela Merkel është rikonfirmuar për herë të katërt si...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.