Nyja e krizës: Zgjidhje për zgjedhjet, presidentin dhe drejtësinë

Kriza politike po shkon drejt pikës së vlimit, ku palët ose do shkojnë në përplasje përfundimtare, ose do dalin me platforma zgjidhjeje prej negociatash, por deri sot asnjë prej tyre nuk ofron asgjë përveç kushteve mbi kundërshtarin

Nga Vladimir Karaj

Politika shqiptare ka vënë rekorde të reja kakofonie pa rezultat, ndërsa vendi po shkon drejt kufijve kohorë për mbajtjen e zgjedhjeve normale. Opozita nga një pozicion i panegociueshëm sipas saj, i shtoi dje kërkesat duke lënë të kuptohet se kërkon jo vetëm qeverinë teknike, por edhe shtyrje të zgjedhjeve, deri sa të përmbushen disa qëllime që ajo mendon se duhet të ketë kjo qeveri. Në krahun tjetër, Partia Socialiste nuk duket se po lëshon pe. Ajo është larg prej kushteve të PD dhe po luan kartën e të shkuarit në zgjedhje pa PD dhe aleatët e saj. LSI ndodhet ende në koalicion me PS dhe mund të vazhdojë të jetë aty, por njëkohësisht ka ashpërsuar gjuhën ndaj qeverisë së përbashkët, ndërsa i ofron PD-së togfjalësha ngushëllues, si: “Nuk ka zgjedhje pa opozitën”. Forcat e tjera politike kanë pasur pak zë në këtë përplasje të tri palëve, të cilat ende nuk janë ulur për të diskutuar zgjidhje për krizën dhe ku luhet kryesisht me karta të fshehura dhe konspiracione shqiptare dhe ndërkombëtare. Çuditshëm edhe pse nuk ka asnjë mundësi tjetër për të zgjidhur krizën përpos negociatës mes palëve, asnjë përpjekje publike përpos një ftese të vakët negocimi të konsumuar në fillim të protestës, nuk ka pasur. Nën zë është folur për negociata të bëra dhe të dështuara, por nga ana tjetër palët vijojnë të flasin nga llogoret e tyre në rrjetet sociale, duke ironizuar dhe përqeshur njëra-tjetrën.

Ultimatumi mbi ultimatum

Ndërkohë që afatet ligjore, për data zgjedhjesh të shpallura prej Presidentit të Republikës, po shkojnë drejt shterimit, opozita nuk jep shenja se mund të lëshojë pe apo negociojë kushtet e saj të paracaktuara. Në fjalën e tij mbajtur në çadër ku proteston tashmë për më shumë se një muaj, kreu i PD-së Lulzim Basha shtoi dje kushte mbi kushtet që kishte vënë më parë. “Sot dua t’iu them se nuk ka asnjë mundësi, zero mundësi, qe ne të pranojmë një qeveri teknike kukull. As nuk kërkojmë dhe as nuk do të pranojmë një qeveri teknike fasadë, çastin e fundit për t’i hedhur hi syve shqiptarëve”, -tha Basha. Nuk është e qartë se çfarë nënkupton Basha me qeveri teknike kukull, por ai la të kuptohet se opozita mund të kërkojë edhe shtyrjen e zgjedhjeve. Duke iu drejtuar në një dialog imagjinar kryeministrit Rama, Basha tha: “Si the? Negociata me dy kushte: Jo qeveri teknike dhe zgjedhjet të mbahen më 18 Qershor?! Po qeveri teknike dhe zgjedhjet, vetëm të lira e të ndershme, vetëm me çmontimin e krimit, vetëm kur vota e çdo shqiptari të garantohet”. Por PD përpos retorikës që parashtron ultimatume dhe kushte prej çadrës, nuk ka deri tani një platformë se si ajo parashikon të shkohet në zgjidhje të krizës. Askush nuk mund të thotë se ç’qeveri teknike kërkon PD dhe po ashtu as sa do zgjasë kjo qeverisje apo si do zgjidhej ngërçi kushtetues nëse do kishte një të tillë prej këtij rasti. PD vetë nuk duket e interesuar të ketë një set kërkesash të përcaktuara mirë, ndërkohë që në këtë mënyrë e ka më të lehtë të luajë me ato që paraqet, duke shtuar apo rivendosur kushte. PD ndërkohë vazhdon të lobojë për mbështetje ndërkombëtare, edhe pse nuk duket se ka siguruar të tillë që mund të mbështesë metodat që ajo ka zgjidhur. Ndërkohë Basha vijon të përdorë të njëjtën retorikë beteje edhe ndaj mediave që nuk transmetojnë sipas tij ndershëm lajmet për opozitën. “I sapokthyer nga Malta dhe pasi kam dëgjuar broçkullat e medieve qeveritare që interpretojnë siç iu do prapanica fjalët e aleatëve tanë. Dhe jo e tyrja, por e tij, sepse nuk ua mban t’i thonë jo, se i ka kapur prej fyti”, u shpreh Basha. Top Channel, i cili duket se mori këtë si sulm, pasi edhe më herët Basha pati akuzuar televizionin për njëanshmëri, reagoi në të njëjtën deklaratë se thjesht kishte raportuar deklaratën “e zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, që Shqipëria së paku do të duhet të mbajë zgjedhjet më 18 qershor” dhe “miratimi nga Partitë Popullore Europiane i një rezolute që inkurajonte të gjitha forcat politike të Ballkanit Perëndimor të marrin pjesë plotësisht në proceset demokratike dhe institucione në vendet respektive të tyre”.

Qeveria ka halle të tjera

Kryeministri Rama në fakt e përdori rezolutën e Partive Popullore si sulm ndaj PD-së. Në një rubrikë të vetën në rrjetet sociale, Rama citoi rezolutën që ai e sheh si në favor të qëndrimit të qeverisë. “Rezoluta e Partive Popullore Europiane, për të cilën PD nuk e dha votën e saj”, shkroi kryeministri duke paraqitur pjesë të rezolutës ku PPE inkurajojnë “pjesëmarrje në proceset demokratike dhe në institucione” të partive politike pjesë e saj dhe po ashtu, kërkojnë “ecje përpara me Reformën në Drejtësi”. E thënë kjo qeveria të paktën publikisht nuk duket se ka lëvizur prej kushteve të saj. Ajo madje mund të reklamojë deri tani kërkesat e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar për zgjidhje të krizës në institucione, por ashtu si PD as PS nuk duket se ka ndonjë platformë për të dalë nga situata. Lëvizjes së PD-së për të mos u regjistruar në zgjedhje, PS i është përgjigjur me “shkojmë në zgjedhje pa ju”, duke e lënë situatën të precipitojë për t’u zgjidhur ose jo në momentin e fundit. Prilli sidoqoftë pritet të jetë muaj vendimtar. Shumicës do t’i duhet të angazhohet në më pak se dy javë në zgjedhjen e Presidentit të ri. Një problem që ishte shtyrë deri më sot dhe që nuk është diskutuar publikisht prej asnjë prej faktorëve të politikës, do të jetë në tryezë si zgjedhje emergjence, për shkak të afateve kushtetuese që nuk duhet të cenojnë ato të zgjedhjeve. Qartazi zgjedhja e presidentit mund të shpalosë edhe nëse PS dhe LSI, ia kanë dalë të kenë koalicion për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa palët vijojnë cicmicet nervoze dhe akuzat ndaj njëra-tjetrës.

Presidenti duket se është barra e provës apo pengesa që ato duhet të kalojnë. Deri tani qasja publike ndaj kësaj pengese ose është mohuar ose është refuzuar si diçka që kishte kohën e vet. Vetëm së fundmi, Edi Rama tha se presidenti mund të ishte nga diaspora, duke bërë një gafë kushtetuese, që u kap menjëherë prej kundërshtarëve. Por ndërsa kandidaturat janë ende të kyçura në negociata jashtë vëmendjes publike, emri i ri në presidencë mund të jetë edhe fillimi i zgjidhjes së krizës ose nga ana tjetër, degradimi i situatës në më shumë tension.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kur Kryeministri Rama ndikohet nga Kadarefobia e Rexhep Qoses

Nga Ndriçim Kulla* Kryeministri Rama mungoi në një ceremoni për dekorimin e...
Read More