O sa mirë me qenë modest ohe ohe…

1Udhëtimi i Kombëtares Shqiptare të Futbollit në Europian dhe imazhi pozitiv që la pas. Loja në fushë, tifozët shqiptarë në stadiume dhe jashtë saj marrin vlesësime pozitive nga mediat e huaja. Politika rrëmben “trofeun” e futbollistëve me orë të gjata fjalimesh dhe ceremoni të tepruara. Flet profesor Roland Lami për sjelljen e tifozerisë, imazhin dhe ndërhyrjet e politikës për të shfrytëzuar suksesin e të tjerëve. 

Nga Sebi Alla

Avioni erdhi, në bord për dikë mban heroj, për të tjerë gjysmë heroj, e ca më pak ndoshta mendojnë se janë dështakë… Por pritje do u bëhej, madje e mirëkuruar, sa gjithçka qe bërë gati nga një dorë sqimatare e kujdesur në detaje, si tabloja e një pikture. Tapeti i kuq, truproja e nderit, aparatet gati, kamerat të ndezura dhe në çast në Aeroportin e Rinasit u rreshtuan të gjithë, sipas postit e rëndësisë. Sigurisht kryeministri Edi Rama në krye, i ndjekur nga ministrja Lindita Nikolla dhe mbushës të tjerë protokollarë, sa për numër. Një e nga një zbritën drejtues e futbollistë të Kombëtares, të rrokur prej qafe nga kreu i qeverisë. Nderet vijonin, një autobus i veçantë i hapur në pjesën e sipërme mbajti lojtarë, zyrtarë e staf teknik të Kombëtares sonë. Për futbollistët sapo kishte nisur një kalvar i gjatë, nga aeroporti në Bashkinë Tiranë, më pas në Ministrinë e Jashtme, kthim e ritakim në kryeministri dhe më pas pak kohë edhe me ata që meritonin më shumë, tifozët. Ditë e ngjeshur për ta, pritje, dërdëllitje, por edhe gjeste mirënjohjeje, që anëtarët e Kombëtares i kanë mëse të merituara. Duket sikur suksesi i tyre, i mbetet politikës, ndërsa nëse do ishte dështimi, atë do ua atribuonin perzonazheve, futbollistëve të Kombëtares sonë. Djemtë erdhën me tre pikë në xhep, një gol të shënuar dhe tre të pësuar, por mbajtën vendin e tretë në grup dhe qëndruan me shpresë edhe për një kualifikim të mundshëm në çerekfinalet e kompeticionit Europian të Futbollit. Nderet që iu bënëKkombëtares në pjesën institucionale shkuan deri në lodhje, disi stres, apo patetizma me fjalime të gjata, gjeste komike, apo edhe dëshirë për të festuar e brohoritur, edhe atëherë kur nuk të vjen. Nëse do hiqeshin këto “shtojca” ditore, Shqipëria përveç futobollit fitoi edhe imazhin e mirë. Jo më në rrugët e Tiranës, qytetave tona tjera të mëdha, por në zemër të Europës, në Francën hijerëndë.

Në fushë luftarakë, jashtë saj festë

Ishte pikërisht ky eveniment futbollistik që nxori një tjetër aspekt, ai i imazhit në sytë e Europës. Atë që futbollistët bënë në fushë, krenari, dinjitet dhe spektakël e “imituan” mjaft mirë edhe tifozët në rrugët e qyteteve franceze dhe brenda stadiumit. Për profesorin e Universitetit Europian të Tiranës, Roland Lamin, Europiani përshfaqi disa anë për ne shqiptarët, ato që kanë të bëjnë krysisht me imazhin. “Simbolika si flamuri, himni, shqiponja, janë elementë identitarë të një kombi dhe neve na u dha mundësia që për herë parë këto elementë të identitetit t’i shpalosnim publikisht në Shqipëri dhe në pjesën ndërkombëtare. Synuam nëpërmjet manifestimeve, festimeve, tubimeve për çdo ndeshje të Kombëtares të krijonim imazh tek tjetri, që deri dje na paragjykonte, injoronte dhe steriotipizonte. E gjithë kjo fsheh një problem për mbulimin në aspektin historik, si nevoja për të plotësuar disa karaktere ekonomike, politike, kulturore, shkencore etj”-pohon Lami, teksa duke e parë në këndvështrimin e sjelljes sociale, këmbëngul se është hera e parë që u ndjemë vetja, pasi më parë bënim tifozllëk e “visheshim” me ngjyrat e tjetrit, në mungesë të pjesës sonë. Aty gjendeshim pikërisht për ata 23 lojtarë të përzgjedhur dhe stafin teknik të tyre. Në këmbët e futbollistëve nuk ishte vetëm topi, por u ngarkuan me barrë të madhe të përfaqësimit në këtë kompeticion. Si hera e parë në këtë eveniment, nuk donin të dilnin të dështuar dhe në të vërtetë çdo analizë futbollistike të bëhet këtë mision e arritën. Tre ndeshje të luajtuara fort deri në frymën e fundit që u shpërblye me një fitore të rëndësishme që tregoi edhe në aspektin e futbollit që nuk ishim rastësisht aty. Nëse për gazetarët sportivë shihej pjesa teknike, shpesh e vlerësuar me nota pozitive, jashtë stadiumit luhej një tjetër “takim”, ai i tifozëve. Në Francë nuk bujtëm vetëm si një vend i vogël, krejt modest përsa i përket zhvillimit, por “konkuruam” me imazhin, sjelljen e mirë dhe futbollin e kthyen nga ndeshje, në festë. Europa kishte krijuar në mendje atë steriotipin për shqiptarët, si të dhunshëm, ku krimi shpesh u vishej emigrantëve, të varfër dhe muajt e fundit disa media na etiketuan si treva nga ku ISIS furnizohej me xhihadistë. Por u surprizuan kur panë qytetarë normalë, ku nuk u shënuan incidente, e aq më pak të bëheshim protagonistë të dhunës, si rasti i anglezëve, rusëve, polakëve apo ballkanasve kroatë. “Mungesën e incidenteve nga ana e tifozëve tanë e shoh nga fakti që neve na mungojnë tifozët ultras. Mungesa e tifozëve ultras bëri që pjesa më e madhe që ishin në stadiume dhe jashtë saj, të ishte më e kontrolluar në aspektin emocional. Ndeshjen e shohin si një rivalitet në fushë, por kurrsesi nuk janë të prirur për të shkaktuar trazira”-komenton Lami. Sipas tij, një rol të rëndësishëm në imazhin tonë në këtë rast për mirë, kanë luajtuar edhe mediat ndërkombëtare. “Fokusimi tek vajzat me hire, kapja e elementëve të simboleve tona kombëtare, apo edhe koha që ata i jepnin festimeve të tifozëve tanë bënë që të krijohej një imazh pozitiv”-thotë Lami. Sipas tij, befasia e të huajve në kuptimin që nuk e prisnin këtë qe një prezencë kaq masive në ndjekje të ndeshjeve të skuadrës së zemrës të manifestohej solidaritet, kompaktësi mes shqiptarëve nga shtete të ndryshme, qytetari në kuptimin e mënyrës së sjelljes dhe qëndrimit ndaj kundërshtarit, krijoi jehojë nga mediat ndërkombëtare për shkak të mungesës së incidenteve.

Kur politika shet produktin e tjetrit

Nuk bëhet fjalë vetëm për ngjyrë blu, rozë a të kuqe, majtas apo djathtas, por kur suksesi vjen në fusha të tjera, në art, kulturë apo sport, politika në 25 vite ka treguar se zgjat duart për të ngritur “trofeun” e tjetrit, pa harruar që ta shesë në publik edhe si sukses të saj. Kjo ndodhi edhe në orët e gjata të mesditës së 23 qershorit, ku pas largimit nga Rinasi, stafi i Bashkisë së Tiranës dhe vetë kryebashkiaku Erion Veliaj u përfshinë në festën e pritjen e futbollistëve. Simbolikisht ekipit kombëtar ia dha çelësi i Tiranës, por për fat nuk u mbajtën shumë  fjalime të stërzgjatura. Gati groteske ishte momenti kur në Ministrinë e Jashtme të gjithë futbollistët u rreshtuan një e nga një, për të bërë foton e marrë gjeneralitete për pasaportën diplomatike. Një status që duhet ta kishin fituar me kohë, për më shumë kur mendohet se me pasaporta të tilla janë pajisur edhe persona pa kurrfarë kontributi, e njerëz të afërt të politikëbërësve. Ndalesa e fundit e djemve të kombëtares, para se ata të shkonin në hapitatin kuqezi, pas një dite të ngjeshur pritjesh nëpër Tiranë, ishte Kryeministria. Këtu imazhi ishte parësor. Fjalët që kreu  i qeverisë zgjodhi të thonte shkonin sa nga nismat qeveritare për sportin, deri në detaje të tre takimeve të kombëtarës sonë me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë. “Ajo që ju keni dhënë në këtë Europian për Shqipërinë dhe shqiptarët, shkon shumë përtej futbollit. Edhe pse e di shumë mirë se asnjëri prej jush nuk do të jetë i qetë, nga ajo që morët. E di mirë që filmi i ndeshjeve kthehet dhe rikthehet në mendjet e secilit prej jush, që nga minutat e ngarkuara me Zvicrën, te dy rastet vetëm me portierin, te fundi i pamëshirshëm te ndeshja me Francën, dhe te ai dreq goli i dytë, apo tek barazimi i Portugalisë që na preu krahët. Por pas eliminimit, kush nga ju e kush nga ne nuk do ta kishte pranuar me gëzimin më të madh këtë film. Madje, më falni, por që të jem i sinqertë, shyqyr që nuk e parashikuam më parë këtë pjesëmarrje se kush e di se sa më e lartë do të ishte premioja që do të na kishit marrë para se të shkonit në Francë”-tha Rama ndër të tjera, duke bërë njëkohësisht analizën sportive, rastet e humbura, apo edhe llogaritë për pësimin e një goli më shumë. “Instrumentalizimi i kësaj që po ndodh, për ta kthyer në kapital politik, duke lënë të kuptohet se ky përfaqësim lindi nga investimi që kjo qeveri ka bërë në këto tre vite është njëra anë e post pjesëmarrjes. Për ta shitur sa më bukur te publiku këtë tezë, organizohen ceremoni për të transmetuar mesazhe, gjeste, simbole, akte në funksion të këtij imazhi. Në lexim të parë duket si një gjë normale, e ku qeveria nuk bën gjë tjetër përveçse përbush një kërkesë të publikut si një mirënjohje ndaj futbollistëve. Mirëpo çështja qëndron se thirrja me pahir e një pjese të administratës, pritja e sforcuar rreth tre orë në temperaturë të lartë, trafik të bllokuar dhe të tjerë elementë të panevojshëm, e gjithë ceremonia e humb vlerën”-komenton Lami. Protokolli e donte që edhe trajneri italian i Kombëtares sonë, Xhani De Biasi të thonte edhe ai fjalët e tij, duke kaluar nga skemat e fushës, në “skemat” e politikës dhe rritur edhe kreditet e tij, në këtë rast të merituara. Në fund, nga “fluturimi” politik, lojtarët zbritën në oazin e tyre, aty pranë tifozëve që ndonëse disi të pakët në numër sfiduan temperaturat e larta dhe festuan pak minuta me lojtarët e zemrës, pasi orët i zuri politika.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Mati “mbytet” në hashash: Pronarët janë zyrtarë

Operacioni për zbulimin e drogës u krye mesditën e djeshme, ku brenda...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.