Kryesore

OBITUARY/ Koncerti i fundit i Charles Aznavour






               Publikuar në : 09:20 - 06/10/18 |
mapo.al

BBC


Charles Aznavour ishte një zemërthyes i pazakontë. Ishte vetëm 1.6 metra i gjatë dhe ishte thuajse 50 vjeç kur hitet e tij u bënë të famshme në Britani.

Në një karrierë prej thuajse 80 vitesh, ai shkroi më shumë se 1200 këngë, përfshirë këtu edhe klasiken prekëse “Ajo”. Në vendin e tij vlerësohej shumë dhe dikur e quanin “Frank Sinatra i Francës”.

Varenagh Aznavourian lindi në Paris në maj të vitit 1924, djali i një familje emigrantësh armenë, që ishin arratisur nga persekutimi turk dhe që kishin ndaluar në Francë në pritje të një vize amerikane.

I detyruar nga mungesa e parave, ai e la shkollën kur ishte 9 vjeç dhe ishte i vendosur që të bëhej një argëtues. Në moshën 11 vjeç luante role fëmijësh në teatrin ‘Marigny’.

Në vitin 1941 u bashkua me një tjetër aktor, Pierre Roche, për të shkruar tekste këngësh, dhe në një bashkëpunim prej 9 vitesh ata shkruan tekste për Maurice Chevalier, Gilbert Becaud dhe Edith Piaf.

Shkëputja e tij e madhe erdhi kur Piaf, që e admironte zërin e tij, e ftoi që ta shoqëronte atë në turne, fillimisht në Francë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara.

Me inkurajimin e saj, Aznavour nisi një karrierë solo në vitin 1950, duke kënduar këngët e tij.

Performancat e tij në skenë përshkruheshin si epitomia e romancës franceze, por një kritik pati shkruar: “Të dalësh para publikut me një zë dhe fizik të tillë, është një marrëzi e pastër”.

Por këngët e dashurisë së Aznavourit, me zërin e tij të fytit, ngjisnin në publik dhe në vitin 1955, suksesi erdhi me këngën ‘Sur Ma Vie’.

Në vitin 1965, ai nisi të parin one-man-show në sallën muzikore Olympia në Paris, duke kënduar 30 këngët e tij.

Aftësia e tij gjuhësore, ai mund të këndonte në më shumë se gjashtë gjuhë- e bëri atë popullor në mbarë botën.

Suksesi i tij, përfshi shitjen në mbarë botën të më shumë se 180 milionë albumeve, sollën pasuri dhe ai jetoi në Zvicër për shumë vite.

Në vitin 1977, një gjykatë në Francë e dënoi me 1.3 milion euro dhe një vit burg të pezulluar për evazion fiskal dhe krim ekonomik.

Vitin tjetër u urdhërua që të paguante 1.3 milion euro në borxhe tatimore.

Aznavour e kombinoi këndimin me karrierën në aktrim, dhe u shfaq në më shumë se 60 filma. Në vitin 1982 ai luajti veten e tij si një kompozitor me probleme në filmin ‘Edith dhe Marcel’, bazuar në romancën e Piaf me një boksier.

Në vitin 1988, në përgjigje të një tërmeti në Armeni, ai formoi organizatën e tij bamirëse për të ndihmuar viktimat, duke kompozuar një këngë që përfshinte disa prej këngëtarëve më të njohur francezë dhe që qëndroi në majat e klasifikimeve për më shumë se 4 muaj.

“Ajo është e rëndësishme për Armeninë, është e rëndësishme për ne”, pati thënë dikur.

Ai ishte thellësisht i interesuar për politikën. Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 1992, ai inkurajoi njerëzit që të këndojnë Marsejezën në publik për të protestuar kundër kandidatit të krahut të djathtë, Jean-Marie le Pen, që kishte arritur deri në balotazh.

Ai bëri fushatë të fuqishme për të zgjeruar e ligjit të së drejtës së autorit për të mbrojtur punën e artistëve, shkrimtarëve dhe kompozitorëve.

Aznavour nuk kishte një zë të madh ose pamje aktori, por ai kishte një talent të jashtëzakonshëm në shkrimin e këngëve dhe një prezencë mahnitëse në skenë.

Së bashku me Piaf dhe Chevalier ai ishte një nga yjet më të mëdhenj të muzikës në Francë.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas