Odisea Odiseja

 

Një vëzhgim in Odisesë përmes dy shqipërimeve ai i  Spiro Çomorës dhe Pashko Gjeçit

Nga Oltion Kadaifçiu

Në vazhdë të nismës sime eseistiko-subjektive, për t’u ngatërruar në gjurmime gjuhësore, është e pashmangshme një përfshirje në lexime të orientuara vëmendjedashëse dhe mbi të gjitha të krahasuara, me dëshirën për të nxjerrë dobi të motivimit në rivalitetin ndërshqiptar të andej-këndejit kombëtar për konsum të përgjithshëm.
E kush më mirë se Homeri na hyn në punë? Në dy përkthime. Dy përkthime kaq të ndryshme e ftonjëse në hetim. Se edhe vepra është e bukur te zoti, paskën thanë, gjithmonë, të gjithë. Edhe vetë pa dyshim e miratoj këtë gjykim, megjithëse dikur lodhesha shpejt në ato shtylla pa fundim nëpër faqe që gëlojnë nga emra e ngjarje njerëzish e zotash, e lloj-lloj qeniesh për midis.
Metodologjikisht jam dakord që themeli është informimçe, rastësor e sipërfaqësor, por bollëku është i madh. Por me Homerin vetë pse me u ngatërru? Një tjetër fjalor. Një tjetër alfabet. Një tjetër gjuhë. Por me përkthimet tona, pse jo? Gjuha është e jona, interneti është aty edhe ndonjë libër faleminderit Zotit të madh e kemi përqark. Pra, dy përkthimet tona e meritojnë një vizitë sipas mundësisë.

Përkthimet:
Spiro Çomora një dramaturg e përkthyes e aktivist i shëndetshëm i letërsisë e përparimit kombëtar vjen me një botim të pëlqyeshëm. Çomora, që na qenka vunjots i Korfuzit, ka përballë një të fortspikatur si zoti Pashko Gjeçi, që shkëlqen ndër shqiptarë me kontributin në përkthim të Dantes e për ma e ma edhe me Odisenë e Homerit. Një shkondran i hijshëm, por në këtë rast fort i nxitur t’i përmbahet letrares.
Dhe ne kemi dy përkthime. Ky i Çomorës ka vetëm 12 këngët e para ndër 24 këngët e origjinalit, ky i Pashkut është i plotë. Ky i Çomorës në një shënim të autorit thuhet se është realizuar më 1972-shin, ndërsa vepra e Gjeçit mbërriti te publiku dikur nga 1976-a.
Çomora përdor vargun hekzametrik që paska 13 deri në 17 rrokje të mbajtura në 6 këmbë, si edhe Homeri, ndërsa Gjeçi shkon për vargun e ndonjë etiketimi krejt tjetër shkencor me 11 a katërmbëdhjetërrokësh. (Unë e preferoj vargun e Çomorës, që ish si i Homerit, e që e ofron rrjedhën në vazhda më të lehta kuptimore. Në kuptimin që, për të nga fjalia te vargu tjetër mbetet ndonjëfarë rrethanori a kundrinori jo fort jetik, a si i thonë këtyre gjërave të gjuhës? Ne profanëve të vargut, vargu gjithmonë si farë fjalie na është dukur.)
Odisesë së Gjecit, në libër i thonë Uliks, kurse i Çomorës mbetet Odise.
Dhe përkthimet janë plot ndryshime. Ndryshime në fjalë e detaje. Ndryshime madhore në cilësi që disi ndryshojnë prej kohës ku e marrin botëkuptimin. Prej marrëdhëniesh shoqërore të kohëve. Në raste fort të veçanta për shembull (mos me u lodh hiç e me pa vargun e parë) te Gjeçi “i urti burrë”, tek Çomora “burri me mendje aq shumë pjellore”. “Burrat fodullë” të Çomorës janë “Cuba” te Gjeçi.  Natë e zezë te Gjeçi, botë e territ te Çomora.
Por kjo nuk ka pse të jetë fort domethënëse. Por nëse gërmimi ynë i krahasuar shkon më tej shiko se ç’gjejmë: Gjithë vizita e Odiseut tek Alkinou i Feakëve gjatë këngës së tetë është fort e këndshme.

Kërcimin pas këngës së mrekullueshme të dashurisë të aedit Demodok ku Efesti zë në pranga dashnorin e së shoqes, Afërditës perëndeshë, Aresin zemërakun e të gjitha luftërave, është një kurth i mirë për një krahasim mes dy poetëve ku ti jep gjykime të pateklifta.

Ja vallja tani:
“Thirri ahere Alkinóu të dy djemtë e tij, Laodámën dhe Halíun, të cilët i ftoi të hedhin një valle, veç secili se shoku s’ju gjendej ndër burra të tjerë. Morën në duart e tyre një sferë të purpurt, Ndërtuar bukur nga Polibi mjeshtër, ta kishin për lodrat e tyre: Njëri përkulej dhe sferën e flakte drejt reve të murrme, tjetri hidhej përpjetë ta kapte pa rënë në tokë. Pasi e hodhën atë dhe e pritën shumë herë, filluan t’heqin një valle në tokën e pasur që ushqen njerëzimin, Rrotull ata duke ardhur sa herë me radhë. Të gjithë
trimat e tij që qëndronin në këmbë aty pranë përplasnin duart dhe vendi buçiste nga thirrjet e tyre gazmore.”

Gjeçi, tani:
“Alkinou vu pastaj dy djemtë e tij të lodrojnë, Laodomantin e Aliosin. Askush s’matej me ta. Morën ndër
duar një top të bukur, të purpurt djelmoshat, që kishte bërë për ta mjeshtër Polibi. Njëri duke u përkulur, hidhte topin deri në re, ndërsa tjetri kërcente e priste në ajër, tokën pa e prekur. Pastaj mbasi e lanë topin, filluan Një valle duke u hedhur e përhedhur. Shokët përreth me ritëm duart rrihnin, mbushin atë shesh plot zhurmë e gaz rinor”.

Te Geçi nuhatet një lloj tjetër i marrëdhënies njerëzore. Kapitalizmi po lidhte sythet kur i dashuri Dante endej nëpër ferr shoqëruar prej poetit Virgjil, për t’i dhënë një fytyrë atij sikleti që mbetej mbrapa, kurse Odisea ynë dy mijë vjet më parë në ferr zbriti vetëm se donte të pyeste Tiresiasin, që te Gjeçi është Tirezja, për punë të kthimit në atdhe. Vetë mëma e Odisesë,  Antiklia, bija e Aftolikut apo Antikleja, e bija e Autolikut e pyeti: Po ti çdo këndej o Odise ose Uliks?

Këtu mund të tërheqim vëmendje te përdorimi i theksimeve të shkronjës brenda fjalës. Edhe te Gjeçi nuk mungon, por më e paktë.
Madje këtu mund të flasim për gisht-trëndafilen Eo, që te Gjeçi është zhdukur prej njëfarë Agimi. Tobestakfullah!
Për të mos lodhur lexuesin në krahasime që është i ftuar t’i bëjë vetë, mund të themi se gjuha e Çomorës, edhe mendim i tij kanë një ojnë tjetër. Kanë një hijeshi tjetër. Mendoj që pëlqimi për të mua më duket fort i natyrshëm. Ku buron kjo hijeshi? Në afërsi të kërkuar me origjinalin? Në afërsi të kërkuar të gjuhëve ose natyrale? Në ndikime të ndërsjella të hershme që gjithsesi familjarizojnë, megjithëse dhunshëm herë pas here dhe kryesisht. Apo në talent të madh dhe dashuri? Dhe njohuri.
Ja për shembull, në shënimin për togfjalëshin  “duke lajthitur, Varfi tërheq vëmendjen në një ledhë të këtyre vargjeve:
Po kur shijuan ata ëmbëlsinë e pemës, s’ju bënte
zemëra më që të kthehen dhe nuk na dërgonin më lajme;
Donin të rrinin atje pran’ atyre të hanin lotúsin,
Duke lajthitur një herë e mirë atdheun e dashur.
Andrea Varfi sqaron, v. 96: duke lajthitur” – në tekstin grek ka një lojë fjalësh: lotos-lathetai” (lotos-lajthitje, harresë: krahasuar lumi i lethes, letit, lajthitjes). Kjo është qëlluar bukur edhe në shqip lotos lajthitje.
Te Gjeçi jo vetëm që nuk e kemi lajthitjen, por edhe lotusi në këtë përmendjen e këtyre vargjeve është bërë “gjellë e tyre”.
Kujtdo që hante aso frutash të ëmbla,
s’i binte më ndërmend t’kthehej në atdhe,
donte ndër ta të ngulej përgjithmonë,
e drekë e darkë t’shijonte gjell’n e tyre.

A mbeten këto përkthime sinjale për zgjedhje qytetërimore në dijen e sapoposeduar vendase?
Meqë mbetëm në lëmë të emrave, ja dhe një argëtim ekstra që ofron gjurmimi i krahasuar i përkthimit.
Spiro Çomora, duke ndjekur edhe shembullin e një përkthyesi në frëngjisht i përkthen në gjuhën e vet këta emra njerëzish që u referohen detyrave a pozicioneve në anije: Manjaniu, Detshpejt, Voziti, Detani, Kiçorri edheBregushi, Rremoku, Detgjeri, Bashani, Vrapeci i Hypaniut, Rrethujsi që lindur e kishte Shtoreahi i Mjeshtraniu edhe Euriali si Ares i gjallë.

Andrea Varfi, që ka bërë shënimet e veprës e na ndriçoi për këtë fakt, e lëvdon këtë përpjekje se, sipas tij, ajo kthen mbrapsht një padrejtësi nënshtruesish që grekët e bënin për të fshirë gjurmë kulturore të të tjerëve, e në këtë rast të Feakëve ilirë që Grekët ndoshta ia përkthyen emrat.

Te Gjeçi kemi Akroneu dhe Akijali, Latreu, Nanteu, Primneu dhe Ankiali e me ta Eretneu edhe Ponteu, Anabezini, Amfiali i Polinit, Tektoni, Euriali trim rrufe si Ares.

Në këtë rast një grup shqiptarësh i jepet tundimit për të parë një afrimitet mes grekëve të lashtë e shqipes të paktën po aq të lashtë ose ca më pak, kush e merr vesh. Janë fort të këndshëm në atë gjurmim gjuhësor dhe është fort e çuditshme pse ndër pjesëmarrës nuk ka fort simpati. Profesionistët gjithmonë bezdisen nga masivizimi i punës së tyre. (Por, kjo nuk na ndal!)
Mua për shembull më pëlqen ta bëj vetë këtë gjurmim që na pëlqen nëpër fjalët e Homerit e grekëve të lashtë, ja për shembull: a kro ne-u, a kij,  la(rt)treu, nan te-u, pri m’ne-u, eret – neu (nderjen e velave ne kemi) ana be zini, a m’fiali.  Ky versioni i Çomorës, Detshpejt e Vozit, e bregush nuk më pëlqejnë. Por të tilla rastësi nuk gjenden shpesh te zoti Çomora. Dashuria e tij për veprën është e madhe. Edhe për gjuhën. Ai ka jetuar gjatë ndër ishuj të ngjarjeve dhe ka një tingull që hamendësoj të jetë më afër origjinalit, por gjithsesi më poetik.

Uliksi i Gjeçit ndoshta tregon për marrëdhënie të tij të ngushtë me degëzimin latin që gjithashtu solli veprën në bashkëkohësinë perëndimore? Çomora është në një shqipe më të ngeshme, Gjeçi dihet se bënte punën e tij në kushte të një mjedisi armiqësor që ia ndërtonte burgun përreth, që nuk e vlerësonte, e paguante keq, e strehonte keq, kjo duhet të ndikojë?
Se mos zoti Gjeçi ndjek një folklor e epos? Që ja tregojnë edhe vargun edhe fjalën? Duke mos iu trembur ballafaqimit qytetërimor të muhabetit, po sikur të mendojmë se në fakt aty është një epos që qëndron i fshehur në një gegënishte të ndrydhur që gjithsesi ka rrymat e detit dashamire. I ndjeri Gjeçi vërtet po lundronte erëra më të pavolitshme, por rrymat ta shtrojnë rrugën. Era është vetëm sikleti. Në një Epos era fryn vetëm për t’u çarë.

Ja për shembull në përralla popullore të mbledhura nga Bernardin Palaj, në faqen 41 qenka përralla “Vetja vetja.” E tregokan historinë e një burri që trimnisht i thotë djallit se është vetja, kur ky pa takt e pyeti  për emrin kur iu afru me qëllim që t’i hipte në shpinë, se ishte lodh e ishte ba për shkalc. E ndoqi pak dhe u tërhoq prapa me qëllim që t’i hipte në kurriz, por burri e kuptoi “kapi një alamet guri e t’ia përmbledhi djallit kres vik! E rrxoi lmuç e në tokë.” Kur ndihma erdhi ai tha, – vetja! “S’kenka gja, thonë djement nder vedi.  – Duket se kenka rrxue e paska ganduen vetin.”
Kurse ciklopët e Odisesë a Uliksit fjalë fluturake ahere i thanë, në qoftë se s’të bie në qafë a të ngan askush, atëherë e ke nga Zeusi, kështu që mbaje. Por edhe vetja e përrallës sonë heroike fiton.
Fatkeqësisht, Ciklopët janë të gjithë në një ishull, kurse djemnet lëvizin gjithandej.

Por gjithçka do të shkojë relativisht mirë për ca kohë. Fjalori etimologjik shqiptar thotë se më vonë Odisenë e shkretë e vranë. E vrau i biri që pati me Qirqen se nuk e njohu dhe u martua me Penelopën pastaj. Vetë Telemaku u martua me Qirqen. Zot i madh!

Shkruar Nga
More from Redaksia

Floriana Garo: Kënaqësia për të qenë pjesë e ekranit është e madhe

    Prej disa kohësh Floriana Garo nuk është pjesë e ekranit,...
Read More