“Oh sa mirë me qenë rom!”

 

Nga Blerina Gjoka

“Oh sa mirë me qenë shqiptar!”: slogani patriotik që e trumbetojmë vetëm kur luan kombëtarja e futbollit dhe në ditët e tjera të vitit e vëmë në dyshim, kur përballemi me vështirësitë e jetës në Shqipëri; varfërinë; politikën e përditshme, papunësinë dhe lajmet për vrasje grash.

Po a kemi menduar ndonjëherë se ç’do të thotë të jesh rom dhe egjiptian në Shqipëri? A kanë pjesëtarët e këtyre komuniteteve ndonjë ditë kur trumbetojnë: “Oh sa mirë me qenë rom e egjiptian”?!

Një tablo e gjendjes së këtyre komuniteteve sipas censusit të vitit 2011 nuk lë ekuivok për këtë pyetje.

Sipas censusit janë identifikuar 8.300 romë dhe 3.368 egjiptianë, por besohet se janë të paktën 18.276 romë dhe 200.000 egjiptianë sipas të dhënave nga organizatat që operojnë në këtë fushë.

55 përqind e romëve dhe 93 përqind e egjiptianëve ndjekin vetëm shkollën fillore. Më pak se 1 e 4-ta e popullsisë së këtyre komuniteteve është e punësuar dhe të ardhurat për familjet rome janë më pak se 10 mijë lekë në muaj. Jetëgjatësia mesatare e romëve është 10 vite më pak se pjesa tjetër e popullsisë dhe mes tyre ka një shkallë vdekshmërie foshnjore më të lartë.

Parë nga këto të dhëna dhe nga përditshmëria që na vret sytë, me fëmijë romë që lypin rrugëve në vend që të jenë në shkollë dhe prindërit e tyre që gërmojnë për kanaçe në kazanët e plehrave, situata nuk duket aspak optimiste.

Por, Bashkimi Europian me anë të projektit FESRE, që synon fuqizimin ekonomik dhe social të këtyre komuniteteve, ka tentuar t’i japë një ngjyrim tjetër kësaj tabloje duke nxitur punësimin dhe shkollimin e kësaj shtrese.

Projekti i shtrirë në të gjithë vendin dhe i zbatuar nga zyra e UNDP-së në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Punësimit ka identifikuar dhe regjistruar më shumë se 700 individë të papunë romë dhe egjiptianë që janë të gatshëm të punojnë. Me anë të këtij projekti janë punësuar 229 individë të këtyre 2 komuniteteve në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Berat. Punësimi i tyre është financuar deri më tani nga një asistencë e projektit me synim punësimin e tyre të mëtejshëm pranë kompanive ku janë atashuar.

Rastet e suksesit janë të shumta dhe pse nuk e përmbysin dot tablonë e zymtë të gjendjes së këtyre komuniteteve.

Naze Ymeri mund të jetë një nga këto raste. Ajo është 22 vjeç, e diplomuar për Infermieri, dhe punon në zbatimin e projektit FESRE. Pasi ka bërë vullnetaren në disa organizata që ndihmojnë romët e egjiptianët ajo ka përfituar vetë nga projekti i punësimit të të rinjve të këtij komuniteti dhe në të njëjtën kohë ka mundësinë të japë kontribut në përmirësimin e jetës së komunitetit që i përket.

Zyra e UNDP-së ftoi një grup gazetarësh për t’i njohur me disa raste të punësimit të individëve nga këto komunitete dhe investime të tjerë në kuadër të këtij projekti në zonën e Nishtullës në Durrës dhe në qytetin e Beratit.

Pranë mobilerisë “Korça” në Durrës janë punësuar 4 djem të rinj të komunitetit rom me anë të skemës së formimit në punë, ku atyre u jepet mundësia të përvetësojnë aftësitë e një pune specifike. Më parë ata mblidhnin dhe shisnin kanaçe, ndërsa sot kanë mësuar zanatin e mobilierit dhe mbajnë familjet e tyre falë punës që po bëjnë.

Në shkollën private “Ngjeçari” në Berat u njohëm me tre individë të tjerë që i përkisnin komunitetit egjiptian të punësuar këtu. Vilson Kanani është roja i kësaj godine, ndërsa Manjola Lushi, një vajzë e re që jeta i ka vënë barrë të jetë kryefamiljare dhe të rrisë e vetme 3 fëmijë, punon sanitare pranë kësaj shkolle.

Hidrauliku i shkollës është Adriatik Kungulli, baba i 4 fëmijëve dhe paga minimale që merr nëpërmjet këtij projekti e ndihmon që të shkollojë fëmijët. Djalin e madh me të cilin mburret, e ka Francë, fitues i një burse studimi, dhe po ashtu 3 të tjerët dëshiron që të ndjekin gjurmët e vëllait të tyre.

Në kompaninë e përpunimit të mermerit Qato në Berat janë punësuar 2 anëtarë të komunitetit rom me mbështetjen e projektit FESRE.

Në Tiranë gjithashtu ky projekt ka mundur të punësojë dhjetra individë të tjerë të këtij komuniteti. Synimi është që pas një periudhe 6 mujore ose 1-vjeçare, gjatë së cilës ata paguhen nga projekti, të vijojnë punën të paguar nga subjektet përkatëse që kanë bashkëpunuar në këtë projekt.

Ky nuk është fundi i rrugës, por pa dyshim që është një nisje e mbarë për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të këtyre komuniteteve.

Por projekti është shtrirë dhe në financime të tjera në këtë kontekst siç është sistemimi i kanalizimeve, shkollave dhe ngritjen e qendrave komunitare në shërbim të tyre.

Në Nishtullë të Durrësit, ku është përqendruar një numër i madh romësh, rreth 940 banorë, është bërë e mundur sistemimi i kanalizimeve, shtrimi dhe ndriçimi i rrugëve me një financim prej 7.3 milionë lekësh.

Në lagjen Barrikada në Berat është ngritur një kopsht i ri që synon të mbështesë dhe të mundësojë që fëmijët egjiptianë që banojnë në këtë zonë të marrin pjesë në arsimin parashkollor. Rreth 700 banorë egjiptianë dhe 900 familje joegjiptiane kanë përfituar nga rindërtimi i këtij kopshti. Përafërsisht 50 fëmijë nga komuniteti egjiptian janë regjistruar pranë këtij kopshti.

Po në Berat, organizatat rome janë mbështetur nga ky projekt për të bërë të mundur trajnimin e fermerëve për mbjelljen e 666 pemëve të ullirit në zonën e Bregut të Lumit, që do t’i shërbejë 40 familjeve rome të kësaj zone për të parandaluar erozionin e tokave të tyre nga lumi.

Të qenit rom dhe egjiptian në Shqipëri nuk është fort e leverdisshme sot ashtu siç nuk ka qenë dhe më parë, por projekte të tilla synojnë që në një të ardhme të afërt këto komunitete ta ndjejnë gjithmonë e më pak diskriminimin racial, social dhe ekonomik dhe të kenë një jetë dinjitoze me punë dhe kushte minimale jetese.

Shumë punë mbetet për t’u bërë…

 
Shkruar Nga
More from Redaksia

Raporti/ Në 2016 Gjykata e Lartë, 2.2 vite mesatarisht për një çështje

INFOCIP shpalli dje gjetjet e Raportit Special Monitorues për Gjykatën e Lartë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.