Olsi Çukaj, sfidat e një kapitalisti shqiptar

Sipërmarrësi i ri Olsi Çukaj, kandidat i PAA-së për deputet në Fier, flet mbi biznesin e familjes së tij dhe sfidat me të cilat haset kapitalisti shqiptar, gjatë një diskutimi në Rrethin Liberal të Dardhës, që u mbajt më 6-8 tetor në Dardhë, Korçë.

Pasi përfundoi studimet për Hoteleri-Turizëm në Zvicër, Olsi Çukaj, 25 vjeç, u kthye në Shqipëri për të punuar në kompaninë e themeluar nga i ati, grupi “Bolv Oil” dhe për të vënë në jetë idetë e reja të një biznesi që lidh bujqësinë me turizmin. Sipërmarrësi i ri nga Fieri mori pjesë në Rrethin Liberal të Dardhës në fundjavë, ku u mbajt Konferenca Shkencore “Të rimendojmë politikat fiskale”. Ai tregoi historinë e tij të biznesit, sfidat me të cilat përballet një kapitalist në Shqipëri dhe përgjegjësinë sociale që kanë sipërmarrjet.

Me historinë e babait të tij, Çukaj tregoi si lindën sipërmarrjet e para në fillimet e viteve ‘90, kur bashkë me sistemin komunist u rrëzua dhe ekonomia e centralizuar dhe u hapën dyert për një ekonomi tregu.

“Sfidat unë i kuptoj si kanë qenë atëherë, kam qenë si ai njeriu që sheh një film në një gjuhë të huaj, që nuk e kupton, por vetëm shikon. Por më vonë kur e mëson atë gjuhën, ti kujton që ke parë një film dhe mban mend disa fjalë nga ai filmi. Dhe kjo është pak a shumë. Babai im kishte një punë në shtet, në uzinën e naftës së Ballshit, një punë që e kishte zili gjithë Patosi si të thuash, por që e la sepse shpirti i tij si sipërmarrës nuk e la që të rrinte atje ku ishte. Ka mbaruar shkollën e mesme të përpunimit të naftës në Patos, por që siç ka qenë dhe koha atëherë nuk mund të studionte dot në shkollën e lartë, e meritonte besoj, por nuk ia dhanë sepse familja jonë ka me ‘biografi të keqe’ që quhet në kohën e komunizmit. Babai im e ka vuajtur këtë ‘etiketim’, e ka vuajtur këtë edhe në ushtri dhe në shkollë dhe në të gjitha, por kjo i ka dhënë siç duket forcë për të ecur përpara. Sepse ishte jeta e tij dhe secili ka jetën e vet dhe ato motivimet, instrumentet e jetës, janë të ndryshme për të gjithë. Dhe kjo është e gjitha. Ai filloi si shitës ambulant me çdo lloj gjëje, çfarë mund të ishin gjëra, orendi shtëpiake etj., pastaj duke ditur dashurinë që kishte për naftën, për inxhinierinë e rëndë ose për atë ‘punën e pisët’ të hekurave, të përpunimit të naftës, të grasos, unë me këtë erë jam rritur në shtëpi në fakt, me erën e naftës bruto dhe të benzinës, kjo e nxiti që të blinte një autobot të vogël dhe të fillonte tregtinë. Sot e kuptoj që në Shqipëri më të shumtit e biznesmenëve, tregtarëve, janë thjesht pasojë e asaj rrjedhës ekonomike bli 5 shit 6, dhe kjo është një rritje e tillë, sesa kanë pasur literaturë nëpër duar që i kanë mësuar dhe i kanë bërë të futin shkencë në punën e tyre, ose teori menaxhimi. Ka qenë më shumë instinkt besoj”, tregoi ai.

Por shpirti instinktiv i sipërmarrësit te babai i tij, i trashëguar sot dhe tek i biri, por ndryshe nga ai ka studiuar në një shkollë Menaxhim Biznesi, e nxiti drejt një sipërmarrje më të madhe se sa vetëm shitja e sendeve.

“Hapi kryesor u bë në vitin ’96 me blerjen e një toke të vogël, ku u hap karburanti i parë, në emrin tim në fakt, se dihet kjo tradita e familjeve shqiptare për t’ia vënë emrin e djalit kompanisë, dhe ekziston akoma Olsi sh.p.k., sepse karburantet Bolv Oil që janë 40 pika në gjithë Shqipërinë, kanë gjithnjë Olsi sh.p.k. në fund sepse ajo është kompania që zotëron ato pika. Bolv Oil është si të thuash kompania nënë, grupi që sot po zhvillohet edhe në fusha të tjera për shkak dhe të shtytjes që unë dhe motra ime po i japim babait, që portofolin e biznesit ta zhvillojmë dhe në fusha të tjera, siç është dhe blerja e fundit, kompania Iveco. Ne jemi përfaqësuesit kryesor të Iveco-s me 89% në Shqipëri dhe do fillojë dhe zgjerimi i saj. Kemi në plan për New Holland, që është për traktorë dhe bujqësinë, kompani shumë e njohur në botë, me Fiatin kemi marrëdhënie shumë të mira, ata na panë shumë seriozë dhe ne do bëjmë një show room shumë të madh së fundmi dhe duam të futemi në treg shumë fuqishëm me këto automjete”.

Po si funksionon një ndërmarrje në Shqipëri duke marrë rastin e Bolv Oil, si funksionon lidershipi në sipërmarrje?

Çukaj ka kryer dhe studime të posaçme në fushën e lidershipit dhe sipas tij sipërmarrjet në Shqipëri janë autokratike, duke marrë shembullin nga biznesi që drejtohet nga i ati.

“Besoj se jam i përshtatshëm të flas për këtë pjesë, sepse edhe një pjesë e studimit tim është studimi i lidershipeve. Dihet që standardet janë katër, autokratik, demokratik, Laissez faire dhe Coaching. Por dihet që biznesmeni shqiptar, përfshirë dhe babai im, është tek autokratiku, te dora e fortë domethënë. Është ai krenari, si të thuash, për punën e vet, por që besoj në këtë pikë ku kemi ardhur, Bolv Oil me 700 punonjës, me gati 50-60 administrata me senior management, jemi një nga kompanitë në të mira në treg në industrinë e naftës. Bolv Oil grup bën çdo gjë përveç rafinimit të naftës, që nga retailing, transport dhe kompania e fundit që është AlbDrilling, që është kompania e parë shqiptare e shpimit të naftës. Kjo ishte dhe ëndrra e gjimnazit të babait tim që u realizua përfundimisht. Lidershipi që funksionon në kompaninë tonë, normalisht administrata po merr akoma formën e duhur, ajo që ne jemi duke futur si model tashmë në kompani është zgjerimi horizontal më shumë se sa ai vertikal i kompanisë. Unë besoj shumë që kosto e lartë e një korporate është edhe organizimi jo i mirë i administratës, është ajo që në fund kur ti sheh gjithë pasqyrën ekonomike të kompanisë tënde, thua që pse kaq kosto e lartë, por në fakt çelësi është te burimet njerëzore, atë që unë e kam si pikën time kryesore, që dua të zhvilloj më shumë. Sepse një HR i mirë është çelësi i gjithë suksesit”.

Por sipërmarrësi i ri Çukaj përveç pasionit për punën pranë kompanisë së themeluar nga i ati ka pasion dhe politikën.

Në zgjedhjet e fundit ai ishte i 5-i në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike, por në fakt ishte një propozim i Partisë Agrare Ambientaliste, e cila drejtohet nga një tjetër sipërmarrës, Agron Duka.

“Kur e mora propozimin nga Agron Duka në fakt sapo kisha mbaruar shkollën në Zvicër dhe nuk pata as mundësinë që të futesha te kompania e familjes, por direkt shkova në fushatë si kandidat. Por më pëlqen, vetëm për idenë se kam dëshirë të jap kontribut në vendin tim. Kjo është e gjithë ideja, e mendoj si një instrument që të japësh kontribut në ekonomi dhe shoqëri. Të paktën në sektorin e turizmit, që unë e kam si dashurinë time tani nga shkolla që kam bërë. Besoj që kemi potencialin më të madh në Europë që të zhvillojmë një industri shumë të madhe. Në fakt, grupi ynë shumë shpejt do investojë në bujqësi, në teknologjitë e reja të bujqësisë, forma shumë moderne të zhvillimit të bujqësisë, intensive, me eksport por edhe për tregun e brendshëm. Unë isha me PAA për faktin se pashë një lidhje shumë të fortë të bujqësisë me turizmin. Ne themi gjithmonë, ushqimi italian, ushqimi francez kanë bërë namin në botë, normalisht ato nga toka kanë dalë, bujqësia ka qenë shumë e zhvilluar që i ka dhënë mundësi turizmit që të zhvillohet. Ideja ime ka qenë në radhë të parë që të zhvillojmë tokën bujqësore, sepse është një industri që ka gjithmonë kërkesë, si nafta që është produkt konsumi i përditshëm, duke parë që Shqipëria ka një klimë shumë të mirë dhe të lejon të prodhosh shumë produkte mesdhetare që kanë kërkesë në shumë vende”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Libri më i kërkuar: Preç Zogaj me “In Love”, rikthehet te lexuesi dashuria për poezinë

Ka qenë befasi në panairin e librit përmbledhja me poezi dashurie, e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.