Ombrella e protestës, shpresë dhe pesimizëm

Në çadrën e protestës të mbushur me qytetarë të zhgënjyer e pa të ardhme, militantë të rinj dhe ish-drejtorë të qeverisë Berisha. Çfarë ndodh në çadrën simbolike që po mban ndezur “zjarrin” e 18 shkurtit. Organizimi perfekt dhe çfarë kërkojnë qytetarët e paqtë.

Nga Sebi Alla

Ka brohoritje, diskutime, eufori, pesimizëm, dikush i veshur keq dredh e thith duhan të grirë trashë, një tjetër që pi “Marlboro pa pullë”, të gjithë në një çadër, aty pranë kryeministrisë, në strehën e ngritur pas protestës masive të 18 shkurtit, të organizuar nga Partia Demokratike. Është ora 12:45 e ditës së djeshme, njerëzit mblidhen si me komandë, kur lideri demokrat Lulzim Basha rihyn në strehën e madhe të protestës për të disatën herë. “Protesta juaj po arrin qëllimet për të përmbysur këtë qeveri fasadë. Faktori ndërkombëtar është në mbështetje të Partisë Demokratike në këtë tubim të madh qytetar”, -tha ndër të tjera Basha. Brohoritjet nuk ndalen, ka të rinj që ngrenë dy gishta lart e ngjishen sa më pranë podiumit të improvizuar ku qëndron Basha, të tjerë duartrokasin dhe lëshojnë ndonjë klithmë gëzimi. Mes tyre gjenden demokratë me teserë, por jo vetëm. Jo të gjithë janë militantë të kësaj force politike. Dallohen mjaft qytetarë të zhgënjyer, të papunë, me shpresë të vakëta, ose pa shpresë fare.

“Ç’të them më tepër kur vuajmë edhe për bukë. A ka sens mos protestosh kur s’ke ç’t’iu japësh fëmijëve?” -ngre pyetjen 50-vjeçari Fran Kola, nga Mirdita. Për 23 vite thotë se punoi si arsimtar, por tregon se pas vitit 2013 u hoq nga puna dhe tashmë nuk ka asnjë të ardhur e bashkë me të, as të ardhme… “Jam vetë i shtatë në shtëpi, pesë fëmijët dhe bashkëshortja, jetojmë me pak ngastër tokë dhe mundohemi të mbajmë frymën me atë pak bujqësi”, -thotë ai. Rrathët e syve i ka të nxira, ndërsa rrudh buzët, duke i shtuar edhe ca vija më shumë në fytyrën e vrarë, e prej ca ditësh të parruar. Varfërinë e ka të dukshme, por diçka e ka shtyrë që të lërë për pak orë familjen në Mirditë dhe t’i bashkohet protestës së opozitës. “Jemi të mbaruar, nuk jam unë vetëm në këtë skamje, shumë bashkëqytetarë të mi janë në të njëjtën gjendje. Protesta na ka mbetur, kushdo që ta organizojë atë nuk ka rëndësi, kjo qeveri duhet rrëzuar”. Shkëputet dhe zë vend në qoshen e çadrës, ndërsa të tjerë protestues nisin të qetësohen disi dhe futen në rutinë. Përqark çadrës, madje deri në pjesë organizative të zë syri edhe disa personazhe të “veçantë”, ish-nëpunës të lartë në kohën e qeverisë Berisha. Të veshur mirë, të kuruar dhe duket që kanë diçka për të kërkuar. Për ta pushteti duhet ndryshuar, ndonëse disa prej tyre shpesh janë akuzuar për korrupsion para vitit 2013, apo i kishin kthyer institucionet që drejtonin në tmerr për qytetarët, që nuk merrnin shërbimin që kërkonin. Atyre fati u ra të punonin në hipotekë, të tjerë në dogana apo në agjencinë e lojërave të fatit… Kur shohin ndonjë deputet apo personazh të njohur të PD-së bëhen edhe më aktivë, si për të rënë në sy, që ata janë po aty. Për ta pushteti përfundoi atëherë kur edhe humbi PD, ndërsa sot, ish-drejtorë (jo të shumtë në numër), qëndrojnë pranë çadrës së protestës, e madje nuk ngurrojnë që nga xhepi i tyre (paçka se të papunë), shpesh të blejnë ndonjë pije energjike apo diçka për të ngrënë, duke ua zgjatur protestuesve në nevojë. Pikërisht atyre qytetarëve që varfëria i ka bërë të humbin edhe shpresën, por jo dinjitetin.

Aktiv në brohoritje dhe nxitje për të mbajtur protestuesit të karikuar edhe një mesoburrë që përqark qafës mban flamurin e “Aleancës Kuq e Zi”. Konsiderohet si një protestues i përhershëm, në atë që thotë, për të kërkuar më shumë të drejta dhe kundër çdo qeverie, e cila nuk do të dëgjojë për problemet e vërteta që kanë qytetarët. “Kam shumë arsye që protestoj. Jam një njeri që kam punuar që në adoleshencë në minierat e qymyrgurit. Tashmë prej 26 vitesh kam një biznes të vogël, por si mund ta mbash atë kur të vijnë lloj e lloj inspektorësh, duke na detyruar që të mbyllim gjithçka”, -thotë Muhamet Çaveli. Është ndër ata qytetarë që iu bashkua grevës së minatorëve në vitin 1990 dhe më pas në çdo kohë e gjen në protestë. “Kjo është një formë demokratike dhe çdo qeveri që nuk mendon për qytetarët e saj, nuk duhet të qëndrojë asnjë sekondë”, -thotë Çaveli, ndërsa shton se sa herë ulet në kafe dëgjon fjalët i biri apo bija e filanit u futë në punë, sepse janë të afërt me pushtetin.

Padyshim që entuziazmi sërish mbetet i pranishëm edhe pas largimit të Bashës. “Ja çfarë tregoi protesta e djeshme, ku janë ata njerëz që mendonin se PD-ja ka mbaruar. E pe.., ishin mbi 300 mijë njerëz në protestë dje” -komenton Edmondi, një 21-vjeçar, anëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Janë të rinj që qëndruan edhe natën vonë për të mbajtur ndezur protestën, pas “zjarrit të madh” të 18 shkurtit. Vihet re një eufori, që më shumë se për të rrëzuar qeverinë lidhet me “rikthimin” e PD-së, pasi edhe në radhët e anëtarësisë ishte krijuar opinioni se opozita kishte rënë në letargji dhe do rrënohej në zgjedhjet e 18 qershorit. Nëse të rendisin kërkesat janë të shumta, por fatmirësisht rruga që kanë zgjedhur për t’i kërkuar mbetet ende paqësore. Kjo shihet edhe nga prania mjaft e vogël e punonjësve të policisë. Jo më shumë se 40 efektivë policie “kontrollojnë” protestën dhe qëndrojnë krejt të qetë, thjesht duke shtyrë orët e shërbimit, pasi nuk ka as edhe më të voglin incident. Çadra e madhe mbetet e hapur dhe në çdo kohë në sfond ka muzikë për veshët e çdo kategorie qytetarësh, ata që pëlqejnë këngët popullore, të rinj që anojnë nga rroku, apo edhe këngë të muzikës së lehtë shqiptare. Koha shkon, por PD ka gjetur një mënyrë për të mbajtur të ndezur situatën, e herë pas herë vijnë personazhe publikë të PD-së, përfshi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, që shpeshherë protestuesit i nxit si me komandë për brohoritje dhe kërkesë për rrëzim të qeverisë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Çfarë llogarish ka bërë Rama?

Nga Mustafa Nano Ilir Meta përcaktoi një tavan, mbi të cilin asnjë...
Read More