‘OPEN’ e të hënës së Eni Vasilit dhe ‘furtuna që shpërtheu’! Të gjitha reagimet

 

Të hënën në mbrëmje, përballë Eni Vasilit dhe një paneli analistësh, i ftuar në emisionin ‘Open’ ishte ish-kryeministri Sali Berisha.

Vizita e tij vinte në një kohë kur vendi ishte mbërthyer nga një seri aksionesh policore. Por kur duhej të diskutohej për krimin, në fakt pas mbarimit të emisionit u diskutua më shumë për të ftuarin dhe mënyrën se si u organizua emisioni.

Në emision, Berisha akuzoi gazetarin Artan Hoxha se ka marrë 40 mijë euro për të realizuar intervistën me Safet Bajrin. Kaq u desh dhe u rihap një debat disi i vjetër.

“Bravo Eni, e paske kapur nje titull për klikime. Madje qenke kujdesur që këtë lajm “BOMBE”, pasi e ke publikuar në orën 22.14, ta ripublikosh sërish në portalin tend në orën 23.00. Faleminderit për reklamën, dhe jo dosido reklamë. Marketing falas në orarin më të ndjekur të televizionit kombëtar Top Channel. Dhe ti e di sa kushton hapesira televizive ne Top Channel. Për më tepër kur këtë reklamë ta bën një njeri jo dosido, por bash 2 herë ish-kryeministri dhe 2 herë ish-presidenti Sali Berisha dora vetë”, shkruan ndër të tjera gazetari.

Por debatin e vërtetë e ndezi zëdhënësi i kryeministrit Edi Rama, Endri Fuga.

“Kur ju shoh se si squlleni për inerci përballë Saliut, jam shumë krenar që e nxorëm në pension këtë vjetërsirë komuniste! 100 herë më mirë mosmirësjellja juaj ndaj Kryeministrit të sotëm, sepse tregon se jeni krejt të lirë edhe pse s’jeni hiç etikë”, shkroi ai.

Idenë e tij e përkrahën dy gazetarë, Mero Baze dhe Karlo Bolino.

“Por në mbrëmje, pasi kishte kaluar telashet e ditës, si e akuzuar që është paguar nga Greqia, Eni Vasili dëgjonte me sy të hapur më shumë se zakonisht dhe gati në ekstazë, Sali Berishën, duke thënë se kolegu i saj kishte marrë 40 mijë euro nga Bajrat në Shkodër, dhe për këtë shpifësi i referohej “popullit”. Eni Vasili nuk e hapi gojën, por vetëm sa zmadhoi sytë nga kënaqësia. Asnjë pyetje shtesë, asnjë kërkesë formale për burim, asnjë grimasë që të dëshmonte kundërshtinë e saj, asnjë përpjekje për të qenë gazetare, por thjesht si nje e magjepsur pas broçkullave të një plaku të lig, që gjithë jetën e tij ka dhunuar gazetarë dhe vazhdon ta bëjë për këdo që i vë gishtin në plagë,” shkruante Mero Baze në gazetën Tema.

Kurse Karlo Bolino theksonte tek Shqiptarja.com: “Spektakli që pamë aty ishte i neveritshem, jo vetëm pse na solli në mendje monologjet pa debat të doktorit kur ishte ai që qeveriste, por, më shumë, sepse na tregoi ata katër tigra televizivë të shndërruar në kotele të ndrojtura përballë Berishës. Eni Vasili nuk njihej dot: ajo, që zakonisht është e vëmendshme për të kapur edhe kontradiktën më të vogël në përgjigjet e bashkëbiseduesit të saj, e gatshme për ta gozhduar në tezën që duhet të mbështetë emisioni, të hënën në mbrëmje i përgjigjej me heshtje dhe buzëqeshje çdo broçkulle”.

Të ftuarit e panelit nuk ndajnë këtë mendim.

Drejtori i Institutit Pashko, Ervis Iljazaj, shkruan në editorialin e ditës në Mapo se: “Se sa janë njerëzit të lirë dhe kur, këtë e vendos gjithsecili në ndërgjegjen e vet dhe nuk e përcakton dikush tjetër, aq më tepër një person me funksion qeveritar”.

“Sali Berisha, ka pothuajse 6 vite që as nuk firmos dhe as nuk vulos. Pra, nuk ka në dorë asnjë vendimmarrje politike. Në këtë kuptim, përveçse mund të zhvillosh një bisedë normale politike, nuk ke kurrsesi se për çfarë t’i kërkosh llogari. Sali Berisha nuk është as kryetari i opozitës dhe as kryetari i mazhorancës. Ai përfaqëson tashmë thjesht një këndvështrim politik për të cilin thjesht mund të diskutosh dhe asgjë më tepër. Prandaj, krahasimi i gazetarëve kur janë përballë Berishës dhe Kryeministrit, është një krahasim i pavend. Sepse, kur personi që ke përballë ka në dorë vendimmarrjet politike të rëndësishme, atëherë, dhe llogaridhënia është më e madhe, dhe, ndoshta debati zhvillohet në mënyrë më të tensionuar. Kjo është një gjë më se normale”.

Kurse gazetari Alfred Peza merret me komentimin që iu bë dhuratës që ai i dha ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Sulmi më i fundit i tij ndaj meje, paska marë shkas nga emisioni i Eni Vasilit në Top Channel, ku unë paskam bërë krimin e rëndë jo vetëm politik, se i paskam bërë si dhuratë Sali Berishës, librin tim “Sarah”. Së pari, sipas filozofisë së Paketës Antishpifje, më duhet të të hedh në gjyq e ti çoj paratë e fituara më pas, në fondin antishpifje për koshptet dhe shkollat e fëmijëve të Shqipërisë. Qoftë edhe sepse ke thënë se unë “dhuratën” ia kam bërë pas emisionit. E vërteta është se kjo gjë ka ndodhur dy orë më herët, përpara fillimit të emisionit. Në prani të publikut, kolegëve, fotografëve dhe kamerave. Kështu që këtu nuk ka asgjë për të fshehur, Carlo meqë e ke shkruar këtë gjë me zellin e dikujt që paska zbuluar sot në shekullin e XXI, sërish Amerikën”.

Në fund, e ftuar në Forumet UET, vetë Eni Vasili ka komentuar debatin.

“Debati filloi për shkak të një provokimi nga zyra e shtypit të kryeministrit Rama në orët e vona të mbrëmjes, dhe zëdhënësi i kryeministrit na tërhoqi vëmendjen se përse ishim të “squllur” përballë Berishës ndërkohë që jemi “luftarakë” përballë Ramës. Fakti që emisioni prodhon debat është vetëm i shëndetshëm. E shoh këtë gjë edhe si një PR për emisionin. Më bën të ndihem mirë që zyra e shtypit detyrohet të provokojë dhe të reflektojë pas emisionit. Së dyti, dua të them që është një krahasim që nuk qëndron, ai mes një ish-kryeministri dhe një kryeministri aktual. Një ish-kryeministri sot është e vështirë t’i kërkosh llogari ndërkohë që nuk ka asgjë në dorë. Ndërsa kryeministri ka në dorë fatin e shqiptarëve, prodhon ligje dhe politika çdo ditë, prandaj kemi arsye pse të jemi agresivë. Debatet që e shoqërojnë gjithmonë politikanin Berisha është pasqyra ku mund te shohim se si ai është një personazh polarizues,”tha Eni Vasili.

“Nëse marrim shembullin e fundit të Sali Berishës unë kërkoj të vërtetat, por aty janë të vërtetat e Sali Berishës. A jam etike unë duke u përpjekur të gjej të vërteta të tjera? Po, por në fund fare unë do marr të vërtetat e Sali Berishës apo Edi Ramës apo dikujt tjetër. Unë nuk është se po bëj gazetari investigative, të shkoj në terren dhe të gjej fakte për të provuar të vërtetat. Është ndryshe gazetaria e debatit politik në studio nga ajo ku mbledh disa të dhëna dhe mundohesh të gjesh të vërtetat objektive. Në një intervistë politike kjo është e vështirë të ndodhë”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Parku i Liqenit së shpejti me mol të ri të varkave e kanoeve…

Investimet e kryera e kanë kthyer Parkun e Madh të Liqenit Artificial...
Read More