Mbyllet paqësisht protesta e opozitës: Paralajmërohet përshkallëzim

basha

Opozita shqiptare nisi në orën 11:00 të ditës së hënë bllokimin e disa akseve rrugore, ashtu siç kishte parashikuar.

Në hyrje të Tiranës, në sheshin “Shqiponja”, mbërriti kreu i PD, Lulzim Basha.

Deputeti demokrat, Flamur Noka tha se protesta nuk do jetë e dhunshme.

“Protesta nuk do jetë e dhunshme, s’jemi opozita e djeshme që djegim gomat. Do të jem unë garant, jam në krye të protestës te shkolla ‘Teknologjike’. Qeveria të lexojë qartë mesazhin, ndryshe protesta përshkallëzohet,” tha Noka.

Pas rreth një ore bllokim, protesta u shpërnda në mënyrë paqësore.

Demokratët u larguan të shoqëruar nga Himni Kombëtar dhe thirrjet: “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”.

Disa herë demokratët u bënë thirrje mbështetësve të tyre që të mos bien pre e provokimeve.

Një incident u shënua për një moment, pasi një autoambulancë që vinte nga Fieri, mbeti e bllokuar.

Ndërkohë Forcat e Policisë u asistuan nga ekspertë të misioneve të huaja pranë Policisë së Shtetit.

Ekspertët e huaj kanë trajnuar policinë për menaxhimin e tubimeve.

Burime pranë policisë thanë se ekspertët mbështetën me këshilla dhe teknologji për monitorimin e situatës.

Ndërkohë mësohet se policia kishte vënë në aplikim teknologjinë e fundit, për fiksim, filmim dhe identifikim të personave në protestë, duke përdorur edhe një dron.

Burimet thanë se policia kishte marrë udhëzim për të mos tensionuar situatën.

Gjatë këtyre ditëve, mediat shqiptare dhe të huaja kanë spekuluar se protesta mund të përfundojë në trazira të dhunshme.

Opozita ka paralajmëruar përshkallëzim të protestave.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Tre aktorët

  Moisu, Antoniu dhe Eleni Qirici që i dhanë zë kinematografisë shqiptare...
Read More