Opozita duhet të kapë trenin e fundit të negociatave

Nga Arion Sulo

David McAllister  nuk e di ende se çfarë përfundimi do të ketë misioni i tij ndërmjetësues këtë të martë në Tiranë, kur do të vendoset mes PD e PS për të tentuar të zgjidhë ngërçin dymujor.

Zëvendës/presidenti i Partive Popullore, veç vështirësive që kanë nisur ende pa mbërritur, ka fatin e keq që është i dërguari i fundit i ndërkombëtarëve për krizën shqiptare, e cila në rast dështimi të negociatës rrokulliset me shpejtësi drejt skenarit të zgjedhjeve pa opozitën.

Tryeza e të martës me mediator beniaminin e Merkel mbetet mundësia e vetme që palët të gjejnë një zgjidhje politike për zgjedhje normale. E kundërta çon në zgjidhje me procedurë që mund të mbajnë në këmbë vetëm përkohësisht legjitimitetin e fituesit të nesërm dhe institucionet e reja.

Por si po i afrohen palët takimit të së martës?

Sinjalet nuk duken optimiste. Qeveria dhe opozita janë diametralisht kundër dhe për më tepër, ditët e fundit ato e kanë parathënë me akte dhe fjalime dështimin e tryezës.

Manovra e KQZ për mosregjistrimin e koalicionit PS-LSI dhe teatri absurd i dy raundeve për presidentin u justifikuan nga mazhoranca si zemërgjerësi për  opozitën, por në fakt përbëjnë prologun e ndarjes së pushtetit të nesërm Rama-Meta.

Pas larjes së duarve nga KQZ për shkeljen e ligjit për koalicionet,  qëndron qëllimi i shumicës  për të pasur dy variante në dispozicion; atë të garimit të PS-LSI bashkë, nëse opozita futet në zgjedhje dhe veç e veç nëse nuk  do të ketë kompromis. Qëllimi i dytë është zgjedhja  e presidentit nga mazhoranca, dhe për këtë u inskenuan si farsa e KQZ-së, edhe ajo e Kuvendit.

Qartazi situata e sotme rrezikon ta lërë vendin pa institucione dhe kryeministri e kreu i Kuvendit kanë detyrimin që të kenë një “plan B” për të menaxhuar krizën institucionale që është pas derës. Megjithatë, nga  ana tjetër asnjë negociatë nuk do të kishte vlerë nëse Rama e Meta shkojnë aty sa për të bërë qokën, kur e kanë ndarë që më parë me procedurë pazarin mes tyre.

Varianti që përflitet se në rast të dështimit të misionit të McAllister shumica do të provokojë zgjedhje të parakohshme e lë jashtë njësoj opozitën, madje është  tallje më të.

Ky akt do ta vendoste PD para faktit të kryer dhe para saj, Rama e Meta veçse do të tundnin Kushtetutën. Një rrugëdalje e tillë është më shumë një kalkulim mes dy kryetarëve të mazhorancës për mandatin e ardhshëm, por jo një zgjidhje e konfliktit politik.

Nga ana tjetër, Basha ka refuzuar të enjten dy platforma që sipas tij janë për diskutim; e para me kryeministër Ramën, por me hapa para për dekriminalizimin, dekanabizimin dhe garanci shtesë për votimin, ndërsa e dyta me qeveri teknike dhe zgjedhje më 10 korrik.

Në rast se oferta e dytë është e vërtetë (Basha futi në këtë variant dështimin e presidentit), atëherë mbetet për të shpresuar se nxitimi i kreut të PD për ta refuzuar mund të jetë një presion për të marrë më shumë…

Por opozita e ka jetike gjetjen e një pakti këtë javë.

Argumentet e saj pas negocimit të McAllister do të dobësohen. Në rast të mbajtjes së të njëjtit pozicion, asaj nuk do t’i bëjnë më punë interpretimet e deritanishme për sjelljen e ndërkombëtarëve. Ndërmjetësi këtë radhë është zëvendës/presidenti i PPE, aleat i PD dhe ai do të duhet të shprehet në fund të misionit të tij, ndërsa demokratët s’do të kishin më të njëjtat raporte me aleatët e tyre të partive popullore europiane.

Opozita duhet ta kapë trenin e fundit të negociatave. Një mospjesëmarrje e saj në zgjedhje do ta përjashtonte nga parlamenti, nga komisionet e vettingut që ka sot, por edhe nga Presidenti i mundshëm konsensual.

Në këtë panoramë është e kuptueshme pse pasuesi i mundshëm i Merkel kërkoi paraprakisht që palët të bien dakord për një projekt-marrëveshje. David McAllister ndoshta nuk e ka humbur shpresën për sukses në Tiranë, por e sigurt është që atë e pret një e martë e vështirë ballkanase.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Rama: Më jepni timonin, por nuk do të ngordh mbi të

“Nuk bëjmë dot administratë nëse koalicioni ndërtohet për copat e pushtetit. Në...
Read More