Opozita e Bashës duhet të thotë: “Po”, për reformën e sistemit politik

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama i ka paraqitur Parlamentit të ri programin e qeverisë së tij mbi të cilin mori dhe besimin për katër vitet e ardhshme.  Programi, siç ndodh në këto raste janë linjat kryesore ku do të bazohet puna e qeverisë të re. Pa hyrë në detaje, Rama i  kërkoi Parlamentit besimin për prioritet e qeverisë së ardhshme.

Ajo që ra në sy nga fjalimi i tij, ishte kërkesa insistuese për vazhdimin e bashkëpunimit me opozitën për të realizuar reformat e mëdha që i nevojiten vendit për procesin e saj të integrimit.

A do të vazhdojë kjo frymë bashkëpunimi, e cila ka nisur  para zgjedhjeve të 25 Qershorit  midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës apo jo, mbetet për tu parë.

Megjithatë, duket sikur Basha ka një lloj kompleksi apo një stepje në këtë drejtim. Shumë prej kritikëve të tij apo zërat radikal brenda Partisë Demokratike, e akuzuan atë si një nga fajtorët kryesore për shkak të marrëveshjes me Ramën.

Shumë nga këta zëra publik apo partiak, kërkonin një politikë radikale dhe ekstremiste  prej tij, duke e parë si zgjidhje mospjesëmarrjen në zgjedhjet e 25 Qershorit, gjë e cila do të fuste në kolaps të gjithë sistemin politik dhe shoqëror shqiptarë.

Sapo u arrit marrëveshja, shumë prej tyre e panë si shenjë e një bashkëqeverisje të cilën faktet e përgënjeshtruan. Marrëveshja Basha-Rama, padyshim krijoj një klimë politike të re, jo konfliktuale, jo agresive , siç jemi mësuar gjatë tranzicionit. Kjo u përkthye në një kontribut të rëndësishëm për demokracinë dhe procesin zgjedhor.

Për këto arsye, duket sikur Basha, kërkon menjëherë të ndërrojë kursin politik duke zhvilluar një politikë agresive, që po vihet re që në ditët e para të Parlamentit të ri.

Opozita duhet të jetë agresive sepse është në funksionin e saj dhe, kjo është pozitive për mbarëvajtjen dhe kontrollin ndaj qeverisë. Mirëpo opozita e fortë, jo medoemos përjashton bashkëpunimin me mazhorancën në të mirë të vendit.

Nëse kërkon të vesh kostumin e një lideri të vërtet, Basha duhet të dali  përtej radikalitetit dhe bashkëpunojë me mazhorancën sa herë të jetë e nevojshme.

Çfarë është mirë për Shqipërinë është mirë dhe për Partinë Demokratike. Andaj, vazhdimësia e bashkëpunimit politik është shenjë e një pjekurie politike që Basha e ka të detyrueshme për të krijuar profilin e një kandidati për kryeministër të besueshëm.

Marrëveshja politike midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste është e domosdoshme sa herë që nevojiten votat për reforma esenciale, si për shembull ajo zgjedhore apo reforma të ndryshme kushtetuese. Në këtë kuptim, të refuzosh çdo bashkëpunim me mazhorancën vetëm për faktin se kjo favorizon atë, është jashtë çdo logjike politike.

Të gjithë ata që kërkojnë nga Kryetari i Partisë Demokratike një politikë më radikale kundrejt mazhorancës, ose e bëjnë për axhendën e tyre personale, ose në rastin më të mirë, kujtojnë se Shqipëria është ende ajo viteve ’90.

Ndërkohë që, shoqëria shqiptare, e cila tashmë është një shoqëri e emancipuar edhe më shumë se klasa politike, është e rraskapitur nga konfliktet politike. Basha duhet të vazhdojë të ruaj profilin e tij prej politikani të moderuar dhe, të ndërtojë një klimë politike në favor të Shqipërisë dhe vet Partisë Demokratike. Ai ka një meritë jo të vogël, në disa beteja të rëndësishme gjatë opozitës së tij, gjë të cilën e theksojë dhe Rama gjatë fjalimit të tij. Kështu që, Lulzim Basha  duhet të vazhdojë rrugën e tij politike , duke mos rënë pre e kompleksit politik apo e zërave që bashkëpunimin në të mirë të vendit me mazhorancën e quajnë tradhti.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ja pse u arrestua pedagogu në Malajzi

Policia e Shtetit pranon zyrtarisht se i arrestuari në Malajzi është shtetasi...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.