Opozita i drejtohet Kolegjit: Ç’ndodh nëse pranohet kërkesa

Kolegji Zgjedhor është shansi i fundit i opozitës për të pamundësuar ligjërisht zgjedhjet e 18 qershorit. Argumenti thelbësor që PAA ka në ankesë lidhet me përllogaritjen e ditës së fundit për dorëzimin e listave që sipas saj është 28 prilli dhe jo 29, ditë kur u depozituan zyrtarisht emrat e kandidatëve në KQZ

Kolegji Zgjedhor është shansi i fundit i opozitës për të pamundësuar ligjërisht zgjedhjet e 18 qershorit. Në ndihmë të synimit të saj për të ankimuar në Kolegj listën e kandidatëve të partive që janë regjistruar në zgjedhje, ka ardhur PAA-ja, aleate e PD-së, e cila ligjërisht është e vetmja forcë politike e opozitës e regjistruar në KQZ për zgjedhjet. Bazuar në nenin 145 të Kodit Zgjedhor, PAA si subjekt zgjedhor ka të drejtë të bëjë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit kundër vendimeve të KQZ-së.

Në këtë rast, vendimet e KQZ-së të ankimuara nga ana e PAA-së në emër të opozitës janë të gjitha ato që lidhen me pranimin dhe miratimin e listave të kandidatëve për deputet. Argumenti thelbësor që PAA-ja përdor në ankesën e saj lidhet me përllogaritjen e ditës së fundit për dorëzimin e listave që sipas saj është 28 prilli dhe jo data 29, ditë kur u depozituan zyrtarisht emrat në KQZ.

Për të mbështetur këtë argument, PAA-ja radhit disa nene të Kodit Zgjedhor, por edhe të Kodit të Procedurave Administrative, e cila në nenin 56.2 specifikon qartë se si përllogaritet afati ligjor i regjistrimit të kandidatëve.

Pas një interpretimi teknik që u bëhet neneve, PAA-ja kërkon shfuqizimin e vendimeve të KQZ-së dhe gjykimin e çështjes në themel duke vendosur çregjistrimin e listave shumemërore të kandidatëve të partive që kanë depozituar listat në datën 29 prill.

Por çfarë ndodh nëse Kolegji Zgjedhor merr një vendim në favor të PAA-së?

Ekspertë zgjedhor të kontaktuar nga “Top Channel” sollën interpretime të ndryshme për çështjen në fjalë.

Kristaq Kume sheh si rastin më të mundshëm rishikimin e Kodit Zgjedhor. Bashkë me Çlirim Gjatën ai sugjeron mbledhjen e Parlamentit për të miratuar një rregull të ri për caktimin e datës së zgjedhjeve. Kuvendin e sheh si zgjidhje edhe Ilirjan Celibashi. Megjithatë, ish-kryetari i KQZ-së është edhe i mendimit se KQZ-ja ka hapësirë ligjore për ta caktuar vetë datën e zgjedhjeve, por gjithnjë me shumicë të cilësuar.

Arben Ristani i Partisë Demokratike ka një opsion tjetër. Nëse Kolegji vendos në favor të opozitës, ish-kryetari i KQZ-së mendon se është presidenti ai që e zgjidh situatën duke caktuar një datë tjetër për zgjedhjet. Të gjitha variantet në fakt të çojnë pikërisht në kërkesën thelbësore të opozitës, pamundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve më 18 qershor. Duke i besuar fort këtij opsioni që mund t’i japë zgjidhje kauzës së saj dhe daljes nga ngërçi, kryetari i PD-së Lulzim Basha i bëri thirrje Kolegjit nga çadra e ngritur para kryeministrisë.

“…Procesi i zgjedhjeve të 18 qershorit përveçse dështoi politikisht e moralisht, dështoi edhe ligjërisht. Të gjithë e dinë, të gjithë dini të numëroni deri në 50. Në çdo listë, absolutisht çdo listë e dorëzuar në KQZ është e jashtëligjshme. Procesi është në kolaps ligjor… Edi Rama dhe serumet që e mbajnë në këmbë “Made in Albania” apo kudo që bëhen “Made in Soros”, nuk e thonë një fjalë për skadimin e datës ligjore zyrtare për zgjedhjet. Nuk e thonë, duan ta anashkalojnë dhe shpresojnë që me presione ndaj Kolegjit Zgjedhor do t’u thonë shqiptarëve që, një edhe një nuk bëjnë dy, por bëjnë një. Se 17+31+2 nuk bëjnë 50, por bëjnë 51…”, -tha Basha duke iu referuar pikërisht afateve ligjore për regjistrimin e kandidatëve që duhet të bëhet jo më vonë se 50 ditë para ditës së zgjedhjeve.

“Dy rrugë ka, Kolegji Zgjedhor do të ballafaqohet së shpejti me kërkesën për të hedhur poshtë 18 Qershorin dhe listat e paligjshme, duke hedhur poshtë sipas ligjit të Republikës së vjetër, do t’i japë një shans Republikës së vjetër ta përfundojë misionin e saj, përmes konsensusit dhe negociatave. Në qoftë se me presione apo zhage Kolegji Zgjedhor vendos t’u thotë shqiptarëve se 17 plus 31 plus 2 bëjnë 51dhe jo 50, atëherë Kolegji Zgjedhor, ligji zgjedhor dhe Kushtetuta e Republikës së vjetër do të merren përpara nga bashkimi i shqiptarëve për Republikën e Re…”, -tha Basha, i cili ashtu si më sipër përforcoi qëndrimin se ka dy rrugë: ose konsensus ose protesta në të gjithë vendin.

“Data e vendimmarrjes është data kur shqiptarët do ta dinë nëse fundi i pashmangshëm, i paevitueshëm i Republikës së vjetër do të jetë proces i një konsensusi, i një shansi për gjithëpërfshirje edhe për mëkatarët e Republikës së vjetër apo do të jetë nisja, fillimi, inicimi i lëvizjes popullore, për mosnjohjen mospranimin dhe rrëzimin e çdo ligji, e çdo institucioni të Republikës së vjetër përmes mosbindjes civile dhe akteve të tjera të rezistencës dhe qëndresës paqësore dhe demokratike…”, shtoi ai.

Basha nuk harroi të specifikonte se protestat do të jenë gjithnjë paqësore dhe demokratike.

“Paqësore dhe demokratike. Bashkimi ynë do të jetë i tillë, i tillë do të jetë akti i rrëzimit formal të Republikës së vjetër. I tillë do të jetë akti i lindjes së Republikës së Re, me garancitë e përfaqësimit për qytetarët shqiptarë në vend të partive politike me garancitë e llogaridhënies para qytetarëve shqiptarë dhe jo para oligarkëve dhe kriminelëve…”, -tha ai.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Dashuria në kohëra oportuniste

Nga Klementin Mile* Para disa ditësh, një mikesha ime më pyeti për...
Read More