Opozita nuk duhet të tregojë konstruktivitetin e një balerine politike

Nga Ndriçim Kulla

Partia Demokratike vazhdon që të jetë në një situatë mjaft të vështirë. Sot demokratët, kanë një dëshpërim të thellë në shumicë i cili shprehet në mosbesimin e tyre për të “pritur” seriozisht së shpejti një rikthim të mundshëm në pushtet. Duke kapërcyer me një vështrim të thellë dhe objektiv imazhin e rremë, që shpesh po krijohet nga lidershipi aktual i Partisë Demokratike për të dalë fitimtarë në betejat e ardhshme të radhës e kupton me qartësi se entuziazmi është i pavërtetë, madje mund të mendosh ndoshta edhe për humbjen e thellë të radhës që ka gjasa të përsëritet në zgjedhjet e ardhshme të pushtetit lokal. Demokratët, përveç një numri të kufizuar njerëzish, që ndoshta edhe mund ta pranojnë status quo-n për shkaqe nga më të ndryshmet të interesave të ngushta personale, po e kuptojnë fare mirë, që kjo forcë politike sot ka probleme të mëdha me veten e saj. Humbja e papërfytyrueshme vetëm sa u bë sikur u analizua. Hezitimi i lidershipit e transformoi këtë proces në zvarritje duke e shpërndarë sa andej-këndej pa fokus kryesor, apo në analiza sporadike të shoqëruara me praktika formale dhe burokratike nga më të ndryshmet, duke nënvleftësuar kështu faktin se analiza konkrete ka një rol kyç në rikthimin e besimit tek elektorati. Të bën gjithashtu përshtypje avashllëku, zbehtësia e ribashkimit të opozitës të fragmentarizuar si rezultat edhe i listës së kalamendur për deputet, e cila ndikoi më së shumti në humbjen e thellë në zgjedhjet e fundit. Rifreskimi i PD-së, ristrukturimi dhe idetë e reja do ishin faktorët kryesorë që do krijonin frymën që mungon, e cila me siguri do ta çonte në pushtet PD-në dhe jo propaganda e modeleve të vjetra, pa shpirt dhe krijimtari që po vazhdon ende. Performanca e re që mungon qartësisht, duke u kuptuar si një detyrë që do ndikojë në rezultatin e çdo veprimi që bëhet në shërbim të ardhjes në pushtet duhet të kishte domosdoshmërisht dy prioritete. E para, ribashkimin e sinqertë të PD–së së përçarë dhe fragmentarizuar që sot për fat të keq është një realitet që dhëmb. Dhe e dyta, riorganizimin ose dhe ribërjen e degëve të PD-së në rrethe të cilat jo vetëm që janë sklerotizuar, por në shumë raste kanë humbur dhe orientimin e tyre partiak dhe politikë. As njëra, as tjetra nuk po bëhet; një pavëmendje kjo, që nuk iu shkon fare objektivave të vështira, që duhej të kishte përpara PD-ja sot.

Me rezultatet dramatikisht të dobëta të dy zgjedhjeve të fundit, atyre parlamentare dhe dy vjet më parë atyre lokale, opozita dhe kryesisht drejtuesit e saj duhej të kishin përjetuar një revolucion transformues brenda vetes. Përballë një qeverisje të tillë në të gjithë botën, duke përfshirë edhe vendet më të qytetëruara dhe demokratike, opozita do të duhej të radikalizohej, pasi nuk do të kishte rrugëdalje tjetër. Kur qeveria e kthen politikën në ring boksi dhe luan boksierin politik të peshave të rënda, opozita dhe në radhë të parë lideri i saj, nëse kanë ndërmend të jenë opozitë e vërtetë duhet të veprojnë në të njëjtën mënyrë, madje të jenë më të ashpër se pala tjetër duke ringjallur aksionin e humbur politik.

Me këtë kurrë nuk dua të nënkuptoj që opozita duhet të jetë destruktive, duke destabilizuar vendin, por kur qeveria bën radikalin e fortë në politikë, opozita ka hapësira brenda demokracisë që të reagojë në mënyrë adekuate, ndryshe do të mbetet qesharake dhe kështu do të rrezikojë të humbë përfundimisht besimin fare, madje edhe atë pak besim të mbetur të njerëzve.

Opozita doli nga zgjedhjet e fundit me atë që është rezultati i saj më i keq historik. Ata që thonë se PD në këto zgjedhje pati rezultatin më të keq që nga viti 1997 e kanë gabim, sepse në 1997 PD–ja humbi zgjedhjet duke qenë parti në pushtet. Ndërsa në 2017 PD-ja humbi zgjedhjet duke qenë parti në opozitë prej katër vjetësh. PD ka humbur në zgjedhje si parti opozitare në 1991 dhe 2001. Në të dyja këto raste humbja nuk ka qenë kaq e rëndë sa ajo e vitit 2017.

Zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit të kaluar kishin mjaft probleme dhe PD-ja shumë mirë që denoncoi blerjen masive të votës me paratë e drogës si një nga faktorët kryesorë të deformimit të rezultatit, por për fat të keq vetëm me propagandë. Jo me akuza që duhej të faktoheshin qartësisht, mundësisht rast pas rasti me argumentimet e nevojshme, të cilat do ishin shumë të dobishme për besueshmërinë e njerëzve. Por me këto lloj denoncimesh të shumta PD-ja, ku mungoi profesionalizmi politik, deklaroi dashur pa dashur se ajo ishte sjellë si opozitë balerinë në kushtet kur e kishin tërhequr me detyrim në ringun e boksit politik.

Edhe mund të mirëkuptohet opozita që hyri në zgjedhje në kushtet e kanabizimit të vendit dhe përdorimit të parave të drogës për të blerë vota, për arsye të presionit të madh të ndërkombëtarëve, siç ka pohuar vetë kryetari i opozitës pas zgjedhjeve për marrëveshjen që bëri me kryeministrin. Por nuk mund të mirëkuptohet opozita për sjelljen e saj kur pak muaj para zgjedhjeve të pushtetit lokal vazhdon të sillet si balerinë në situatën kur mazhoranca e shndërron politikën në një ring boksi duke marrë në mbrojtje me arrogancë edhe ish-ministrin e saj të Brendshëm të akuzuar për një aferë mafioze. Dhe po të shtosh këtu edhe qëndrimet e tjera arrogante të qeverisë, ku të gjitha kanë emëruesin e përbashkët të sjelljes prej boksieri politik, atëherë sjellja e opozitës bëhet e pakuptueshme.

Ata partnerë ndërkombëtarë që i bënë presion opozitës atëherë, në maj e ndoshta edhe në qershor pas zgjedhjeve, nuk do të kishin shans ta bënin të njëjtën gjë në tetor, në nëntor ose pas ngjarjeve të herëpashershme apo aktualisht. Të mos harrojmë se partia që sot është në pushtet, për një gjë shumë më të vogël se afera në të cilën është përzier Saimir Tahiri bëri protestën radikale të 21 janarit.

Opozita e sotme nuk duhet të jetë destruktive, e përsëris, madje duhet të jetë konstruktive, por nuk duhet të tregojë as konstruktivitet prej balerine politike e profilizuar vetëm me deklaratat inflacioniste politike që po bën publikisht, kur politika po bëhet ring. Në radhë të parë ajo duhet që të marrë seriozisht ripërtëritjen e saj me një strategji të mirëpërcaktuar, ribashkimin dhe pastaj riorganizimin kapilar në mënyrë të dukshme të të gjithë strukturave që ka, që nga stafi i qendrës dhe deri në bazë. Dhe për të gjitha këto duhet të kujdeset për një proces të hapur dhe bindës në mënyrë që të fillojë dhe të zgjohet besueshmëria e njerëzve. Sepse ndryshe do mbetet një opozitë që e kërkon pushtetin kuturu (dhe këtu e kam fjalën për Partinë Demokratike) e cila, duke e lënë rikthimin e saj në qeverisje në mëshirën e fatit, duke shpresuar që qeveria aktuale të bjerë vetë duke u konsumuar pak e nga pak dhe pastaj nuk do ketë rrugë tjetër veç asaj, qe ajo t’i prijë krijimit të qeverisë së ardhshme. Kjo nuk është çudi, se edhe mund të ndodhë me këtë konsumim të qeverisjes, por çfarë qeverisje mund të jetë kjo?

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rrugëtimi që nuk resht

“Armëpushimi” është një rrëfim plot lirizëm dhe humor për ringirtjen e njeriut...
Read More