Opozita nuk hedh kurrë baltë mbi vendin

Peripatos

Nga Klementin Mile

Opozita, tha Rama, po hedh baltë mbi vendin në kancelaritë europiane. Kjo deklaratë e tij erdhi në kontekstin e dhënies së rekomandimit pa kushte nga Komisioni Europian për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Pjesë e këtij konteksti qe edhe vizita e Bashës në Gjermani, vendin më të fuqishëm të Bashkimit Europian, për të cilën u aludua se kreu i opozitës shkoi atje “të hidhte baltë”. Pa u futur në synimet dhe karakterin e njërit apo tjetrit politikan, pa e gjykuar aspak moralitetin e tyre dhe pa e cekur fare çështjen e atdhedashurisë, duhet megjithatë të themi se kryeministri e ka tërësisht gabim atë që thotë: opozita e ka të pamundur të hedhë baltë mbi vendin.

Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë opozitë, ku sot gjejmë aleancën ideologjikisht të panatyrshme të Partisë Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në fakt, cilado qoftë opozita, edhe një më e mirë edhe një më e keqe se kjo, ajo nuk mund të hedhë dot baltë mbi vendin. Le ta marrim pak seriozisht akuzën e kryeministrit. Me termin “hedh baltë” ai është duke thënë se opozita po mashtron, po gënjen, po shpif, nuk po thotë të vërtetën për gjendjen e vendit. Kur opozita thotë se ministra e deputetë të mazhorancës janë të lidhur me krimin e organizuar, ajo po gënjen; kur thotë se vendi është mbushur plot me drogë në gjithë territorin e tij dhe se kjo ndodh jo vetëm me tolerimin, por shpesh edhe me ndihmën e policisë së shtetit, ajo po mashtron; kur opozita thotë se tenderët, koncesionet dhe paraja publike në përgjithësi është ushqim për korrupsionin në vend, ajo po shpif; kur thotë se Reforma në Drejtësi nuk synon të sjellë drejtësi, por vetëm që ta vendosë sistemin e drejtësisë në duart e kryeministrit, ajo nuk po thotë të vërtetën.

Të gjitha këto, sipas kryeministrit Rama, janë raste të hedhjes së baltës mbi vendin, në mënyrë që kancelaritë europiane të mos e miratojnë fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë; në mënyrë që qeveria të mos arrijë ta pretendojë si të vetin këtë sukses dhe opozita të mos humbasë kështu pikë në publik. Ky është pra motivi i opozitës: ajo është e gatshme të hedhë edhe baltë mbi vendin, duke i penguar në këtë mënyrë aspiratat për integrim europian të shqiptarëve, vetëm për hir të interesave të ngushtë për të marrë pushtetin. Por a qëndron ky përshkrim i Ramës?

Së pari, një opozitë politike, edhe kur i paraqet faktet gabim, nuk mund të thuhet se po “hedh baltë”. Të hedhësh baltë nuk është aspak kategori politike, ajo i referohet një çështjeje morale. Morali në politikë ka vend dhe kuptim vetëm në dy raste: atëherë kur rrezikohet dallimi ndërmjet zyrtarit dhe publikut prej korrupsionit dhe atëherë kur rrezikohet dallimi ndërmjet mazhorancës dhe opozitës prej shkeljes të parimit të konfidencialitetit. Përkundër këtyre dy rasteve ku është legjitime ta përdorësh gjykimin moral në politikë, hedhja e baltës është veçse një formulë, e cila, kur shprehet nga një politikan i lartë si kryeministri i vendit, vetëm sa e ndot politikën me moral. Ky moralizim i kotë i politikës në fakt e dëmton demokracinë, duke krijuar iluzionin se beteja politike është ndërmjet “të mirëve” dhe “të këqijve”, ku gjithmonë qeveria është e mirë dhe opozita gjithmonë e keqe. Konkluzioni logjik i këtij ligjërimi është i lehtë për t’u kuptuar dhe tërësisht antidemokratik: qeveria, duke qenë e mirë, duhet të rrijë gjithmonë në pushtet dhe opozita, duke qenë e keqe, nuk duhet të vijë kurrë në pushtet.

Së dyti, opozita nuk mund të hedhë dot baltë mbi vendin në kancelaritë europiane ngaqë këto kancelari kanë pafundësisht shumë mjete dhe burime informacioni të tjera për të dalluar “hedhjen e baltës” nga “hedhja e mjaltit” dhe nga thënia e së vërtetës. Ambasadat e vendeve europiane përgatitin raportin e tyre për gjendjen në vendin tonë; të tjera raporte i përgatitin organizatat e shoqërisë civile; të tjera raporte vijnë nga njerëz me influencë që ftohen nga ambasadat për të darkuar e për të raportuar; e të tjera raporte përgatiten nga shërbimet sekrete të atyre vendeve. A duhet ta marrim seriozisht thënien e kryeministrit, sipas të cilit kancelaritë europiane paskan mbetur në dorë të opozitës shqiptare për t’i informuar për gjendjen në Shqipëri? A nuk është kjo thënie e tij po aq e motivuar politikisht sa edhe interpretimet e komentet e opozitës?

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Lufta e re e Ftohtë”, Shqipëria bëhet pjesë

Dy diplomatët rusë të cilët do të duhet të lënë territorin shqiptar...
Read More