Opozita: Tahiri mbështeti një grup të strukturuar kriminal

Në emër të opozitës, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj lexoi raportin e përgatitur prej tyre në Këshillin e Mandateve në lidhje me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit për deputetin Saimir Tahiri.

Ndryshe nga mazhoranca, përfaqësuesit e opozitës në Këshill, përfshi këtu edhe atë të LSI-së, argumentojnë se kërkesa e Prokurorisë është e mbështetur në fakte dhe prova që vërtetojnë lidhjen e ish-ministrit Tahiri me bandën e vëllezërve Habilaj, e angazhuar në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sipas tyre, faktet e grumbulluara nga autoritetet italiane dhe të bëra publike nga mediat italiane dhe ato shqiptare dëshmojnë se organizata kriminale me anëtarë shtetas italiane dhe shtetas shqiptare mes të cilëve dhe familjarë Habilaj ka patur kontakte të shpeshta me deputetin Saimir Tahiri dhe lidhje të ngushta me të, gjer te dhënia e dhuratave dhe e shpërblimeve të paligjshme, për veten, familjarët dhe partinë politike të tij që t’i përdorte për zgjedhje, si pasojë e krijimit prej tij të mbështetjes dhe lehtësimit për trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve.

Demokratët theksojnë se organet hetimore kanë zbuluar se shtetasi Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij, apo anëtarë të tjerë të organizatës kriminale, kanë bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë, një prej të cilëve është edhe deputeti Saimir Tahiri, gjatë ushtrimit të funksionit të lartë zyrtar të ministrit të Brendshëm.

“Vëllezërit Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë patur lidhje të ngushta me deputetin Saimir Tahiri dhe duke përfituar nga këto lidhje të ngushta dhe përmes shpërblimeve, kanë arritur të bëjnë të mundur, krijimin e kushteve për kultivimin në sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike në Shqipëri, transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë shtetit, me skafe, peshkarexha dhe automjete, ndër të tjera makina Audi me targe AA003GB”, thuhet në raport.

Sipas tyre, deputeti Saimir Tahiri gjatë ushtrimit të funksionit të ministrit të Brendshëm, dyshohet se ka patur dijeni për këto fakte penale dhe se ka vepruar aktivisht për lehtësimin dhe mbështetjen e këtij aktiviteti të organizuar kriminal duke siguruar paprekshmërinë e grupit të strukturuar kriminal.

Në raportin e opozitës thuhet se është e qartë, që automjeti i shitur nga Tahiri ka shërbyer si mjet mbrojtës për grupin e strukturuar kriminal në kryerjen e trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve.

Jo vetëm kaq, por deputetët e opozitës konstatojnë se përgjatë gjithë kohës që deputeti Saimir Tahiri ka ushtruar funksionin e ministrit të Brendshëm, Policia e Shtetit nuk ka kryer asnjë veprim pengues apo zbulues të veprimtarisë kriminale të familjes Habilaj dhe klanit të tyre, edhe pse ka patur sinjalizime nga SHISH dhe autoritetet italiane.

“Nga analiza e fakteve dhe provave rezulton e qartë se veprimtaria kriminale është e shtrirë në hapësirë dhe në kohë dhe se grupi i strukturuar kriminal ka mbështetjen shtetërore të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka siguruar paprekshmërinë e këtij grupi të strukturuar kriminal”, thuhet në këtë raport.

Gjithashtu, deputetët e opozitës e bëjnë fakt të kryer marrjen e shpërblimeve nga Tahiri dhe familjarët e tij, ashtu siç edhe thuhet në përgjimet e autoriteteve italiane.

“Shpërblimet janë dhënë në para, pagesa për veshje kostume, dhe në diamante e vërtetuar të paktën 3 herë”, theksojnë përfaqësuesit e pakicës në këtë raport.

Sa i përket debatit nëse këshilli duhet të marrë në shqyrtim provat, deputetët e opozitës theksojnë se ai verifikon vetëm procedurën që është zhvilluar, pa i hyrë cilësisë dhe vlerës së provave në drejtim të faktit penal dhe të autorësisë.

Opozita konstaton se Prokuroria, në faqet 3-4 të relacionit, tregon në mënyrë të qartë se këto dyshime të arsyeshme bazohen në një set provash, duke renditur sasinë e drogës së kapur në Itali, sasinë e drogës të kapur javën e shkuar në Vlorë, të dhënat e marra në formën e përgjimeve (1800 fletë në total, transkripte), dokumentet e shitjes së automjetit me targa AA 003 GB nga deputeti Saimir Tahiri tek Artan Habilaj, dokumentet për përdorimin të këtij automjeti pas shitjes nga Tahiri, si dhe rrezikun e prishjes së provave.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Katër liderët e opozitës

Lulzim Basha do të duhet të fitojë rolin e protagonistit, në Parlamentin...
Read More