Oprah Winfrey dhe debati mbi garën presidenciale për vitin 2020

Vetëm disa ditë pas fillimit të vitit 2018, kanë filluar debatet mbi garën presidenciale për vitin 2020 në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Donald Trump thotë se nuk beson që personazhi i njohur i medias, Oprah Winfrey, e cila tani ka televizionin e saj dhe që është bërë me punën e saj miliardere, do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të 2020-ës; por ai shprehu besimin se në se ajo do të kandidonte, ai do ta mundëte.

“Do të ishte shumë bukur, por nuk besoj se ajo do të kandidojë”, – tha Presidenti të martën.

“Nuk e di në se Presidenti e ka parë fjalimin e Opras”, – tha një zëdhënës i Shëpisë së Bardhë të hënën, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, në se Presidenti e kishte ndjekur në televizion fjalimin pasionant të zonjës Winfrey, ku ajo nuk e përmendi zotin Trump.

Megjithatë, komentet e saj, se ishte rritur në varfëri, për fuqizimin e grave dhe mbështetja për shtypin, që ka qenë nën kritika të vazhdueshme nga zoti Trump, i bënë disa figura politike konservatore të mendonin se Oprah Winfrey mund të jetë duke shqyrtuar kandidimin në vitin 2020.

Kur e pyetën prapa skenës në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Golden Globes të dielën, në se kishte plane të kandidonte, ajo u përgjegj “Jo nuk kam në plan”. Por disa njerëz të afërt me të kanë thonë se Winfry po shikon mundësinë e kandidimit.

Partneri i saj, Stedman Graham, u citua të dielën në mbrëmje të ketë thënë për gazetën The Los Angeles Times, se “Kjo varet nga njerëzit. Ajo absolutisht do ta bënte këtë.”

Në një intervistë televizive në fillim të vitit të kaluar, Winfrey tha se zgjedhja e zotit Trump i kishte ndryshuar asaj mendjen nëse ajo kishte mungesë të përvojës për postin më të lartë politik të Amerikës. Por në një tjetër intervistë televizive në tetor, ajo hodhi poshtë spekulimet, duke deklaruar, “Nuk do të ketë asnjë lloj gare politike nga unë për asnjë lloj posti.”

Winfrey, siç ishte rasti edhe me zotin Trump para se të zgjidhej president, nuk ka mbajtur asnjë post publik.

Presidenti Trump të hënën, duke folur në një konventë kombëtare të fermerëve në Tenesi, nuk përmendi emrin e zonjës Winfrey dhe nuk bëri asnjë referencë në lidhje fushatën e tij të rizgjedhjes.

“Vendi ynë po e kthen vetëbesimin,” tha zoti Trump në lidhje me punën e tij pothuaj një vjeçare si President i vendit. “Ne jemi dëshmitarë të një epoke të re të patriotizmit, begatisë dhe krenarisë”.

Në të kaluarën, zoti Trump ka folur pozitivisht për zonjën Winfrey. Në një intervistë televizive të vitit 1999, kur ai tha se po mendonte të hynte në garën për president një vit më vonë (megjithëse ai nuk e bëri një gjë të tillë), Trump deklaroi, “Oprah do të ishte gjithmonë zgjedhja ime e parë për nënpresidente”, duke shtuar, “ajo është e shkëlqyeshme, një grua e jashtëzakonshme”.

Vajza e Presidentit Trump, Ivanka e vlerësoi përmes një mesazhi në Twitter fjalimin e zonjës Winfrey të hënën vonë.

Oprah Winfrey mbështeti Senatorin demokrat nga Ilinoi, Barak Obama, në fushatën e tij të sukseshme presidenciale të vitit 2008 dhe ish Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton në fushatën presideniale të vitit 2016, në të cilën ajo humbi ndaj zotit Trump.

Nuk ka asnjë udhëheqës të qartë demokrat që do ta sfidonte Presidentin Trump në zgjedhjet e vitit 2020, ndërkohë që vëmendja është kthyer në zgjedhjet e mesmandatit për në Kongres, që do të mbahen në nëntor të këtij viti, kur 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve do të zgjidhen ose rizgjidhen, së bashku me një të tretën e 100 anëtarëve të Senatit.

Në muajt pas zgjedhjeve të mesmandatit për Kongresin, në mes të mandatit katër-vjeçar të Presidentit Trump, sfiduesit presidencialë demokratë ka të ngjarë të fillojnë shpalljen e kandidaturave të tyre kundrejt tij.

Shkruar Nga
More from Revista User

Njerëzit e lindur në shtator dallojnë nga të tjerët: Ata kanë karakteristika të veçanta

Shtatori është muaji kur vera na braktis dhe fillon vjeshta. Për fëmijët...
Read More