Ornela Vorpsi dhe trekëndëshi: Para, Pushtet e Femra

Nga Elona Zhana, Bruksel

Gjuetia e shtrigave dhe gjuetia e gjuetarëve të gjuetisë së shtrigave që pasoi vizitën e Ornela Vorpsit në Tiranë më bëri krejt naivisht t’i drejtoja vetes pyetjen: «A më pëlqen mua Ornela Vorpsi?».

M’u kujtua që kisha lexuar librin e saj të parë me një frymë ndërsa të dytin e kisha braktisur pas faqes së parë. Kam ndjekur pak fare nga punët e saj pamore dhe më përcjellin një ndjenjë mes pasigurisë, dhimbjes e hakmarrjes. Por nuk është se jam ndonjë njohëse e madhe e artit pamor.

M’u kujtua po ashtu që dikur pasi kishte nxjerrë librin e dytë kam patur një bisedë të muskuluar këtu në Bruksel gjatë të cilës realisht mbroja Ornelën, ose gruan, ose artisten bukuroshe grua që ishte Ornela. Bëhej fjalë që ajo kishte thënë se shqiptarët nuk ishin ende gati për të lexuar librat e saj ndaj edhe ajo nuk i përkthente në shqip. Nuk jam tifoze e teorisë së botës bardhezi, mendoj që kishte edhe atëherë shqiptarë që do ta pëlqenin siç rezultoi që kishte edhe sot që nuk do ta pëlqenin fare. Dhe më mirë kështu, është pikërisht ky dualitet esenca e nevojës për art.

Kur gëluan portalet nga një intervistë që kishte dhënë, u bëra kurojze dhe e kërkova në youtube. Kam vendosur të çliroj veten nga diktatura e medias dhe ndaj jam shumë pak ndjekëse live e tyre. Pashë intervistën dhe ishte tërësisht siç e prisja unë para gati 10 vitesh. Ornela ishte sërish shumë e bukur, e largët, mosbesuese, me një stil të sajin por edhe me një karakteristikë që ne humanët e kemi të përbashkët, atë të nevojës për të na dashur.

Që ajo do të gjykohej ishte një evidence ende pa hapur gojën. Por ajo gjuajti edhe dy nga tre përbërësit e trekëndëshit skandal -shpjegues: Para, Pushtet e Femra. Në mos fare të tre! Fakti që foli për dashurinë e saj platonike ndaj Ramës, bëri që të drejtoheshin ndaj saj shtizat e atyre moralistëve që duke qenë klonim i mendësisë otomane më atë të një qytetarizmi ala komunist, i kanë marrëdhëniet shumë të kompleksuara së pari, me trupin e lë pastaj me dashurinë. Lind pyetja a do të gjykohej Ornela nëse do të kishte patur një dashuri platonike me një jo-Ramë? Po, por sigurisht më pak. Ky ishte këndi: Femra (mashkulli në këtë rast çfarë e bën situatën edhe më atipike).

Ornela qëlloi edhe këndin e Pushtetit. Ajo u shpreh se Rama, kryeministri shqiptar kishte mahnitur Parisin me artin e tij. Nuk duhen shumë neurone për të kuptuar që po mahnite Parisin të ka ardhur radha të nisesh të pushtosh e mahnitësh Los Angelos e jo të kthehesh në Shqipëri. Por a nuk mund të dakordohemi ne që realisht Vorpsi ka të drejtën e saj të mendojë që Rama ka mahnitur Parisin?

Edhe këndi i tretë: Para, nuk u kursye gjatë kësaj gjuetie. Dhe flas për para nga këndvështrimi i Vorpsit në këtë rast pasi në të kundërt do të ngatërrohej me pushtetin. Ekspozita e saj u mundësua nga kryeministri. Tërësisht normale, është një teknikë e marketingut politik dhe është po aq e vjetër sa edhe strukturimi i dëshirës së njeriut për pushtet. Personalisht m’u duk shumë idiote teza komplotuese sipas të cilës asaj i ishte kërkuar të fliste për Kryeministrin gjatë intervistave të asaj. Vorpsi çmimin e paguante me ekspozitën e saj në COD, kaq!

Dhe si përfundim moj vajzë të pëlqen Ornela Vorpsi, ty apo jo?, i them vetes. Meqë po flasim për profesorë një i imi këtu në Bruksel, jo aq i pashëm dhe as aq ambicioz sa Rama; na thoshte: «Mos prit një përgjigje të duhur kur ke bërë pyetjen e gabuar».

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kandidatët për organet e drejtësisë; anonimë, të pacertifikuar dhe aspak garant

Nga Ervis Iljazaj Komisioni ad hoc, i ngritur nga Parlamenti për përzgjedhjen...
Read More