Ornela Vorpsi: Përjetimet për gjumin, erosin, vdekjen, macen, ekzistencën… Leonard Cohenin

Gjumi. Shpeshherë me shaka them, lavdi kujt e ka shpikur dyshekun. E shtrirë në ndërresa të pastra, nën jorganin e fshehur dynjaje, në qetësinë e dhomës së gjumit, është një nga dimensioned e jetës që më konforton pa masë, për ta thënë me pak fjalë, duke u fshehur kësisoj, marr pushim nga bota. Arti. Ka qenë dhe është rruga ime që në fëmijëri.

Kam nisur vizatimin dhe pikturën në moshën gjashtëvjeçare. Kisha bindjen që kjo ishte rruga ime për gjithë kohën që do të jetoja. (jeta i ka dhënë disa tërmete të fuqishme kësaj bindjeje të fëmijërisë). Era e vajit të linit më qetëson dhe më jep ndjenjën e një përjetësie premtuese në qetësi dhe mirësi. Kur futem në një atelie picture dhe ndjej këtë erë, ndihem si në shtëpinë time. Çdo gjë më duket të jetë në vendin ku do të duhej të ishte.

Kam kaluar orë të tëra duke admiruar pikturat e mjeshtërve të mëdhenj. Ngjizja e ngjyrave si muzikë e heshur më flet thellë në shpirt, duke bërë që të mos e ndjej më vetminë dhe mjerimin që di ta bartë bota. Ekzistenca. Një çudi e madhe. Procesi i të jetuarit, ne si njerëz, çdo gjë që kjo ekzistencë më shfaq parasysh më tregon sa e habitshme është të jetuarit.

Voltaire thotë: “eshtë kaq e çuditshme që jetoj (ekzistoj) qoftë edhe për një jetë, sa nuk do të tronditesha më tepër nëse do të vija në jetë për të dytën apo të tretën herë”. Macja.

Një shtëpi pa mace më duket shtëpi e pambaruar. Një mace është qershi mbi tortë e një banese. Pa e ekzagjeruar aspak mund të them se kjo qenie jo vetëm e zbukuron vendin ku jetohet, por pikërisht kjo “kafshë” e bën banesën më njerëzore.

Ta veresh një mace të qetësohet shpirti. Murgjit zenë kanë marrë gjithmonë shembull macen për qetësinë e saj. Në perëndim shkenca ka “zbuluar” se të përkedhelësh një mace ul tensionin e gjakut dhe ka veti kurative mbi depresionin.

Nuk i kam kuptuar dot asnjëherë njerëzit që nuk i duan kafshët. Gandi thotë: “Do të njohësh ku ndodhet njerëzimi? Shihe si sillet me kafshët”.

Isha e lumtur kur pashë që në Tiranë qentë bridhnin me një pusullë plastike në vesh – shenja që ishin të ndjekur nga veterinari. Hap të madh paska bërë populli im, thashë me vete. Leonard Cohen. Ky është njeriu i bukur. Një nga poetët më të mëdhenj të shekullit tonë, i njohur më tepër për këngët.

Cohen ka udhëtuar gjithë jetën e tij në oqeanin e ankthit dhe depresionit. Rruga e tij, edhe pse ishte i vlerësuar nga thuajse gjithë bota, e ka sprovuar tej mase. Për këtë arsye, ai u tërhoq nga jeta e përditshme për t’u mbyllur në një manastir Zen Rinzai për të studiuar Zen-in e tij dhe mundur demonët e shpirtit të tij. I thjeshtë deri në palcë, sic mund të jenë njerëzit e mëdhenj që janë njësh me të vërtetën, Cohen ka shkruar poezitë nga më marramendëset që kam lexuar.

Gjithmonë i përIdjekur nga demonët, edhe pse në dhimbje të madhe, ai ka ditur të jetë mirënjohës dhe të falenderojë misterin që ka krijuar botën. Erosi. Edhe si përemër Eros më duket si tingull muzike. E shih më me ngjyrë të kuqe, rose dhe të kaltër.

Gërma “S” në fund është thika që ai di kaq mirë të ta ngulë thellë ku të dhembë, në zemër. Si mund ta harroj këtë gjysmë perëndi-gjysmë demon, i cili është burimi i jetës sonë? Sipas mitologjisë greke Penia (varfëria) përfitoi që Poros (perëndia e begatisë), ishte i dehur me nectar në festën e Afërditës.

Penia iu shtri afër me synim që ta kishte një fëmijë me të. Kështu lindi Erosi. Njeriu dhe cdo qenie mbi tokë vjen në jetë nga një akt seksual. Erosi bart aktin seksual. Këtë gjysmë perëndi- gjysmë demon e kemi pësuar dhe e pësojmë thuajse të gjithë.

Eskili kur arriti shtatëdhjetë vjetët, ndjeku që Erosi e la dhe u shpreh: “Më së fundi ky përbindësh iku. Tani mund të shkruaj tragjeditë e mia rehat”! Sa herë kam dashur (nëse njerëzimi me shpikjet e tij mund ta kishte bërë të mundshme, të hiqja nga gjaku im këtë dimension – Erosin, I cili të bën skllav).

Erosi është edhe i dashuruar me urtësinë. Vdekja. Kam ndierë hapat e vdekjes që në moshën gjashtë vjece. Ndoshta ngaqe gjyshja ime, njeriu më i dashur në botë më vdiq para syve.

Që prej asaj kohe vdekja më është bërë e pandarë, mendim sundues dhe fuqiplotë. Shumë herë, vdekja më duket një proces i tmerrshëm (sepse i paevitueshëm) dhe shumë herë më duket i vetmi shpëtim, duke thënë që vdekja nuk është vendosur kot në fund të jetës, është sikur të ikësh, të flesh më së fundi për t’u çlodhur nga një ditë e mundimshme pune. (Marrë nga “Koha Ditore”.

Titulli i Origjinalit: Të jetuarit është habi)

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kardashian dhe Mario, në dashuri me Shqipërinë, emërtojnë ‘shqiptar’ një produkt make-up

  Mario Dedivanoviç është një ndër make up artistët më të famshëm...
Read More