Pa dekomunistizim, nuk mund të ketë hapje të dosjeve

Nga Ervis Iljazaj

Daut Gumeni, anëtar i Autoritetit për Hapjen e Dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, tha në emisionin “Debati në Channel One”, se ky institucion ka dështuar. E thënë kjo nga një njeri që merret përditë me këtë punë dhe që shikon nga afër si funksionon ky institucion, merr një rëndësi të veçantë për të kuptuar se sa seriozisht e ka politika shqiptare dekomunistizimin e shoqërisë.

Hapja e dosjeve do të vazhdojë të dështojë, për sa kohë që e keqja më e madhe e shoqërisë shqiptare është mungesa e dekomunistizimit të politikës, nga e cila rrjedh dhe pamundësia për funksionimin e institucionit që është ngritur për hapjen e dosjeve.

Deri më tani antikomunizmi ka qenë një nga fjalët më të përdorura të politikës. Çdo parti politike e ka përdorur atë, sa herë që i është dashur për të bindur qytetarët se hijet e së shkuarës tashmë janë thjesht një histori.

Megjithatë, antikomunizmi në këto 27 vite tranzicion nuk ka qenë asnjëherë objektiv i vërtetë i politikës shqiptare, ose më së paku faktet kanë treguar një gjë totalisht të kundërt.

Shqipëria vazhdon ende të jetë bashkë me Moldavinë, të vetmet vende që nuk kanë një ligj lustracioni nga vendet ish-komuniste të Lindjes, që të merret me pastërtinë e figurave të politikës dhe atyre që kanë poste publike.

Si ka mundësi që ende nuk kemi arritur të bëjmë një gjë kaq të rëndësishme kundër një regjimi kriminal që mbajti rreth 50 vite Shqipërinë të izoluar?

Është fare e thjeshtë, në politikën shqiptare dhe në postet publike ka njerëz që në një mënyrë apo një tjetër kanë patur një marrëdhënie të rëndësishme me regjimin komunist. Në këtë kuptim, dekomunistizimi i shoqërisë dhe i politikës është pothuajse i pamundur.

Ndryshimi i regjimeve politike në Shqipëri, përtej rëndësisë së pamohueshme të lëvizjes studentore, ishte më shumë një koncesion nga regjimi komunist se sa një revolucion, siç ndodhi në shumë vende të lindjes, ku ndryshimet e regjimeve ishin të përgjakshme. Kështu që shumë prej elitës politike të tranzicionit, ishin pjesë dhe e regjimit komunist. Një pjesë e saj vazhdon ende të ketë një rol të rëndësishëm edhe sot.

Ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste, në Shqipëri përgjatë regjimit, nuk u krijua një grup shoqëror kundër tij, ose siç quhet ndryshe, një elitë disidente. Kundërshtime kishte, por ato ishin individuale dhe spontane, të paorganizuara.

Kjo bëri që mos të krijohej një klasë politike që të merrte në duar fatet e vendit pas rënies së regjimit. Prandaj, Shqipëria sot, është ndoshta i vetmi vend ish-komunist që nuk ka “larë hesapet” ende me komunizmin, sepse shumica e drejtuesve të jetës publike vinte po nga ajo kulturë.

Nuk është rastësi, që ende nuk kemi ligjin e lustracionit, i cili nëse do të ekzistonte, vullneti politik do të miratohej brenda ditës. Mirëpo, kjo nuk ndodh për faktin se ekziston një konflikt interesi midis një pjesë të politikës dhe ligjit.

Antikomunizmi do të vazhdojë të jetë konsum i politikës së ditës, për aq kohë sa klasa politike shqiptare do të rinovohet plotësisht. Përkujtimore si ajo e Parlamenti dje, do të vazhdojnë të ekzistojnë, por asnjëherë nuk do të shoqërohen me vendime konkrete për të çuar deri në fund pastrimin e shoqërisë dhe politikës nga e kaluara.

Nëse vërtet politika shqiptare dëshiron të dekomunistizojë vendin, duhet ta fillojë nga vetja. A mund të ndodhë kjo? Patjetër që jo, për sa kohë që një pjesë e tyre vijnë nga ai regjim. Prandaj dekomunistizimi do të mbetet thjesht një iluzion për shoqërinë shqiptare dhe do të përdoret thjesht për retorikë të rëndomtë politike.

Duhet të presim të kalojnë dekada përpara se të themi se të kaluarën antikomuniste e kemi lënë pas. Deri atëherë është mirë që mos ta marrim seriozisht fabulën antikomuniste të politikës shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Bursa sociale UET, historia prekëse: Nga viktimë e dhunës në studente

“Arsimi më ndryshoi jetën, asnjëherë nuk është vonë t’ia nisësh nga e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.