Pa reformuar politikën nuk mund të ketë drejtësi

Nga Ervis Iljazaj

Rasti i Saimir Tahirit, është rasti i parë i një politikani që hetohet mbas aprovimit të Reformës në Drejtësi nga Parlamenti me votë unanime. Në këtë kuptim, ky rast përbën një moment të rëndësishëm për politikën dhe drejtësinë shqiptare për të kuptuar vërtet nëse ka një vullnet për ta. Pa hyrë në detajet e çështjes Tahiri, që tashmë është debatuar dhe stërdebatuar në media dhe në opinionin publik, me të gjitha gjasat duket që nuk ka një vullnet për t’i shkuar deri në fund kësaj reforme, të paktën ky është perceptimi që është krijuar me ngjarjet e fundit.

Prandaj, 140 votat që aprovuan Reformën në Drejtësi, praktikisht janë kthyer në 140 vota kundra saj. Nuk mund të ndodhte ndryshe duke parë raportin problematik që një pjesë e politikës shqiptare ka patur me drejtësinë. Kështu që deputetët e Parlamentit të Shqipërisë nuk mund të votonin një Reformë, që me shumë gjasa do të bëheshin “viktima” të saj.

Teatrit të 140 votave pro Reformës në Drejtësi, tashmë i ka rënë maska. Duket qartë që vota unanime për të, ishte një votë e sforcuar dhe e detyruar si pasojë e presionit të aleatëve ndërkombëtarë dhe sidomos SHBA-së. Të vendosur edhe përballë presionit të qytetarëve shqiptarë, të cilët presin me padurim drejtësinë në këtë vend, klasa politike nuk kishte rrugë tjetër përveçse ta votonte atë në bllok.

Politika dhe drejtësia duken si dy rrugë paralele që nuk takohen kurrë, duke na dhënë përshtypjen e një bashkëpunimi, që në shumë raste është më shumë iluzion sesa e vërtetë. Ashtu sikurse drejtësia nuk heziton të vendosë instrumentet e saj në shërbim të politikës, në të njëjtën mënyrë politika, në emër të mbrojtjes së lirisë dhe realizimit të drejtësisë arrin deri në eliminimin e kundërshtarit politik. Dy pushtete të ndryshme, që historikisht janë në përplasje me njëra-tjetrën, por në të njëjtën kohë pashmangshmërisht të lidhura po aq fort.

E njëjta histori po ndodh edhe me Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Më shumë se sa një reformë në drejtësi ajo ngjan si një reformë politike. Në të gjitha diskutimet publike flitet pak ose aspak për problemet e vërteta të drejtësisë ose në rastin më të mirë atyre nuk u kushtohet vëmendja e duhur. Askush nuk e di se si kjo reformë do të zgjidhë problemet e gjykatësve të korruptuar, zgjatjet pafund të proceseve gjyqësore, kualifikimin e magjistratëve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor nga politika, si dhe shumë probleme të tjera që ajo ka shfaqur gjatë gjithë viteve të tranzicionit.

Në pamundësi të reformimit të klasës politike shqiptare, e cila ndihet e fortë për aq kohë sa është e votuar nga populli i saj, duket se aleatët tanë amerikanë kërkojnë të përdorin instrumentet e drejtësisë dhe veçanërisht organin e akuzës si një “snajper” për të mbajtur nën kontroll politikanët “problematikë” të Shqipërisë.

Prandaj, më e rëndësishme sesa Reforma në Drejtësi për Shqipërinë, është reforma politike. Një reformë politike e plotë dhe kushtetuese, e cila mundëson çlirimin e energjive pozitive, si dhe u hap rrugë ideve të reja progresive dhe reformuese të vendit.

Një reformë e cila rregullon deformimin e përfaqësimit politik, financimin dhe funksionimin e partive politike. Më shumë se një reformë për hir të reformës, duhet një klasë politike e çliruar nga hijet e vjetra të retorikës boshe, bllokuese e vazhdimësisë së reformave institucionale dhe juridike. Por edhe ky ndryshim kërkon vullnet politik, i cili me sa duket mungon. Në këtë kuptim duket i legjitimuar dhe si e vetmja rrugë përdorimi i instrumenteve të drejtësisë për të reformuar edhe klasën politike shqiptare.

Duhet thënë se përdorimi i drejtësisë për të reformuar politikën është një precedent pothuajse i rrezikshëm, i cili, jo vetëm që nuk do të zgjidhte problemet e saj, por do të përdorej si një armë për të eliminuar kundërshtarët politikë. Reforma e vërtetë e politikës buron vetëm nga sovrani ose marrëveshjet konsensuale të saj, në të kundërt do të krijonim një pseudoreformë në politikë dhe një pseudoreformë në drejtësi. Pra, do të ndryshonim gjithçka për të mos ndryshuar asgjë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Terapia shok e Edi Ramës, të gjitha frontet e hapura

Nga Ervis Iljazaj Dje është organizuar konferenca “Ditët e Medias” nga Bashkimi...
Read More