Pa thjeshtëzimin dhe uljen e taksave, qeveria nuk ka rrugëdalje

Nga Ervis Iljazaj

Duket sikur shqetësimi më i madh në perceptimin e opinionit publik, është në këto ditë çështja e taksave. Barra fiskale është kthyer në një problem për ekonominë dhe shoqërinë. Qeveria Rama, nëse ndodhet në vështirësi këto kohë, është vetëm për këtë arsye dhe për asnjë gjë tjetër. Nuk ka asnjë arsye politike, që mund të ndikojë më shumë te një mazhorancë se sa çështjet e ekonomisë dhe veçanërisht taksave.

Kështu që, qeveria të vetmen rrugë për të përballuar këtë situatë jo fort në favor të saj, ka të kthejë sytë nga ekonomia. Mënyra se si mund ta bëjë këtë është ulja e barrës fiskale dhe thjeshtëzimin e tyre. Ka shumë taksa në sistemin fiskal shqiptar, gjë e cila sjell një vështirësi në mbledhjen, menaxhimin dhe përdorimin e tyre. Është e vërtetë që një pjesë e barrës fiskale ka ardhur si pasojë e formalizimit të ekonomisë, por kjo nuk përjashton faktin se taksat janë kthyer në një problem për ekonominë dhe shoqërinë dhe si pasojë, ka vënë në vështirësi pozitat e qeverisë në raport me qytetarët.

Qeveria me krenari përmend shpesh faktin se ekonomia shqiptare ka pësuar rritje të prodhimit të brendshëm, por kjo ka ardhur kryesisht si pasojë e disa veprave të mëdha, si për shembull ndërtimi i gazsjellësit TAP, i cili është në përfundim dhe ndikimi i tij në ekonomi do të përfundojë gjithashtu, dhe do të gjendemi përballë një situate ekonomike e cila gjen vështirësi të rilancohet.

Treguesi më i qartë i kësaj situate është mungesa e investimeve të huaja. Edhe pse sistemi fiskal nuk është faktori i vetëm që ndikon në thithjen e tyre, ai mbetet gjithmonë një nga kryesorët. Shqipëria, me këtë barrë fiskale që ka, e ka të pamundur të konkurrojë me vendet e rajonit për të tërhequr logot e mëdha multinacionale. E vërteta është se, asnjë markë e madhe ndërkombëtare nuk gjendet në vendin tonë. Po të shtosh këtu dhe mungesën e krahut të punës të specializuar, atëherë, situata bëhet pothuajse dëshpëruese në këtë drejtim.

Kështu që, mënyra që i ngelet vendit për të konkurruar është vetëm nëpërmjet barrës fiskale të ulët dhe të thjeshtëzuar. Ndërkohë që situata është krejtësisht në krahun e kundërt. Shumë taksa, shumë procedura, shumë të larta.

Megjithatë, ngjarjet e ditëve të fundit, protestat e qytetarëve të Kukësit, sollën në vëmendje të opinionit publik një çështje shumë të rëndësishme, atë të taksave. Lajmi i mirë nga ngjarjet e fundit, është pikërisht fakti se betejat politike dhe qytetare po zhvillohen për taksat, instrumenti më i rëndësishëm i një ekonomie dhe një qeverisjeje.

Deri më tani retorika politike shqiptare, nga të dyja palët, ka qenë pothuajse bosh, pa asnjë çështje të qenësishme që ndikon drejtpërsëdrejti në jetën e qytetarëve. Në rastin më të mirë është zhvilluar një betejë politike për Reformën në Drejtësi, por edhe ajo është një betejë hipokrite me garën midis dy palëve se kush e do më shumë drejtësinë.

Në këtë kuptim, politika shqiptare nuk ka prodhuar asnjë gjë të rëndësishme në aspektin e propozimeve dhe politikëbërjes. Kështu që, protestat e ditëve të fundit jo vetëm që i bëjnë mirë demokracisë në aspektin e raportit midis pushtetit dhe qytetarëve, por edhe në aspektin e çështjes së rëndësishme që diskutohet këto ditë, ajo e politikave ekonomike dhe fiskale.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

UET merr akreditimin 5-vjeçar nga Agjencia Britanike e Sigurimit të Cilësisë

Raporti vlerësues i Agjencisë Britanike të Akreditimit (QAA) në bashkëpunim me Agjencinë...
Read More