Pacolli për “DW”: Serbia nuk ka pse të thotë se e njeh Kosovën


Ministri i Jashtëm i Kosovës Bexhet Pacolli, u shpreh në një intervistë për Deutsche Welle se Serbia nuk ka pse të thotë se e njeh Kosovën, vetëm duhet të sillet në atë mënyrë.

Mediat serbe citojnë Pacollin kur shprehet se realiteti është që Serbia mund të influencojë rajonin dhe se Kosova ka një kufi të gjatë me Serbinë, e për këtë arsye Prishtina dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë.

Pacolli, i cili foli në gjuhën serbe gjatë intervistës, këmbënguli se Serbia duhet të sillet si e vetëdijshme për pavarësinë e Kosovës dhe se shpresonte shumë në normalizimin e marrëdhënieve duke thënë se Kosova nuk ka reaguar ndaj provokimeve të muajve të fundit dhe se politikanët serbë lejohen të vizitojnë Kosovën.

Ministri i Jashtëm i Kosovës tha se hera e fundit që kishte vizituar Beogradin ishte në 1998-n kur u takua me Slobodan Milosevic. I pyetur nëse do e vizitonte sërish Serbinë, ai shtoi se ishte takuar me presidentin serb Vuçiç dhe ministrin Jashtëm Serb Daçiç, duke theksuar se nuk ka asgjë kundër tyre dhe se ata ishin treguar të sjellshëm me të. Por nëse do të ketë vullnet të mirë nga kosovarët dhe nga Beogradi ai do të vizitonte sërish Serbinë.

Duke thënë se koha e ndryshimit të kufijve ka përfunduar, Pacolli u shpreh se Kosova as nuk mund të ndahet dhe as nuk mund ti bashkohet një vendi tjetër. Ai nuk preferoi t’i përgjigjej në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjes nëse kishte një plan për krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Ai tha se Kosova do të kishte marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet në rajon, sidomos me Shqipërinë me të cilën ka mbledhje të përbashkëta qeverie, lëvizje të lirë pa asnjë pengesë, dokumente të përbashkëta e mbi të gjitha synimin e përbashkët për integrimin europian, të vetëdijshëm se një ditë kufijtë nuk do të kenë asnjë kuptim.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mimoza Ahmeti: Juvenali- Satira: Nga libraria e trotuareve

  Kalimi buzë një librarie të shtrirë përgjatë trotuaresh në Tiranë, është...
Read More