“Pacta sunt servanda”, mesazhi ‘i fshehtë’ që Kotzias i dërgoi sot Bushatit

“Specifikisht me Shqipërinë, vendi ynë është është i përqendruar në respektimin e të drejtave të pakicave dhe pronës, si dhe në nevojën për pajtueshmëri të plotë me parimin e “pacta sunt servanda” dhe në luftën efektive të krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës”, ky ishte mesazhi që dha sot Ministria e Jashtme e Greqisë lidhur me proges-raportin e Komisionit Europian për vendet që aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian, dhe ku për vendin tonë u propozua hapja e negociatave.

Për të gjithë ata që nuk kuptojnë latinisht dhe nuk janë familjarë me të drejtën ndërkombëtare, termi “pacta sunt servanda” i përdorur në deklaratën e ministrisë greke, nuk u thotë diçka, por në marrëdhëniet ndërkombëtare është një parim shumë i rëndësishëm.

E përkthyer fjalë për fjalë nga latinishtja, pacta sunt servanda do të thotë: marrëveshjet duhet të mbahen ose t’i qëndrosh marrëveshjes.

Në kuptimin e tij më të zakonshëm, parimi i referohet kontratave apo marrëveshjeve private, duke theksuar se këto marrëveshje janë një lloj ligji mes palëve dhe nënkupton se mospërmbushja e detyrimeve përkatëse është  shkelje e paktit. Ky parim i detyron palët t’i “përmbushin me mirëbesim” këto marrëveshje.

Po pjesa më e rëndësishme e këtij parimi është se shtetet që kanë lidhur “pacta sunt servanda” nuk mund të nxjerrin si argument dispozita të së drejtës së brendshme si arsye për mosplotësimin e marrëveshjes private. Pra, në rast të përplasjes midis të drejtës së brendshme dhe të drejtës ndërkombëtare, përparësi do ketë “pacta sunt servanda”.

Për ta shpjeguar më qartë mund të marrim një shembull shumë të komentuar. Qeveria e kryeministrit Edi Rama e ka bërë të qartë se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje detare me Greqinë që bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2009. Por nëse në takimin e Davos, i zhvilluar pak muaj më parë midis kryeministrave të Shqipërisë dhe Greqisë, është lidhur një marrëveshje e llojit “pacta sunt servanda”, ashtu siç pretendohet prej muajsh nga Nikos Kotzias (ekzistenca e marrëveshjes), atëherë qeveria e Ramës duhet ta zyrtarizojë atë marrëveshje sepse sipas parimit të pacta sunt servanda, prioritet merr marrëveshja private midis lidërve dhe jo vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Greqisë nuk përmendej në asnjë rresht marrëveshja e detit, por kërkohej respektimi i “pacta sunt servanda”, pa specifikuar se për cilat çështje ishte lidhur kjo marrëveshje. Sa i përket çështjeve të tjera dypalëshe, Athina nuk është fshehur duke përdorur gjuhën diplomatike por i ka përmendur shumë qartë, siç është respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe pronës private.

/Politiko.al

Shkruar Nga
More from Redaksia

Deputeti gjerman: Që pas sulmit të Ramës ndaj Krischbaum, s’merrem me politikanë shqiptarë

  Një nga përkrahësit më të mëdhenj të Shqipërisë dhe sistematikisht partizan...
Read More